Politike
Malaj refuzon dekoratat e Ramës: Është i babëzitur, synon pushtet absolut
Arben Malaj, një prej figurave kryesore në PS për të paktën dy dekada, ka refuzuar kategorikisht çdo lloj vlerësimi nga lidershipi aktual i socialistëve.
Malaj e konsideroi Qeverinë Rama si “të babëzitur” dhe me synime për një pushtet absolut politik, veprime këto që po vrasin të ardhmen e Shqipërisë.
Në intervistë për Oranews, ai theksoi se ngjarjet e fundit janë thjesht një fotokopje e metodave të vjetra, të ngjashme me kohën kur shpalleshin “armiq të partisë” pikërisht ata që e kishin themeluar atë.
” Kam deklaruar publikisht dhe deklaroj që unë nuk marr asnjë vlerësim nga një lider aktual i cili është përfaqësues i një qeverie të babëzitur, për pushtet absolut dhe politik, duke vrarë të ardhmen e Shqipërisë.
Kështu që unë kam integritetin tim, respektoj të gjithë ata që më kanë mbështetur që ditën e parë kur kam qenë nënkryetar i Partisë Socialiste në Vlorë.
Nuk më habisni këto sepse janë të njëjtat fotokopje të qëndrimeve të dikurshme kur shpalleshin armiq të partisë ata që e themeluan partinë. Por nuk do ta pranoja kurrë dhe publikisht nuk do ta merrja. Kështu që s’kam asnjë keqardhje”, tha ai.