Bota
Mamdani “kërcënon” se do ta arrestojë Netanyahun: Ai është kriminel lufte, vendi i tij është në Hagë
Kryetari i Bashkisë së Neë Yorkut, Zohran Mamdani, ka thënë se po sheh mundësitë nëse autoritetet e qytetit mund ta arrestojnë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu nëse ky shkon në New York për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.
Në një intervistë për “The New York Times” Mamdani deklaroi se kjo çështje është objekt i një “diskutimi aktiv” me departamentin ligjor të qytetit, por nuk e përsëriti zotimin e tij të mëparshëm se do të urdhëronte arrestimin e Netanyahut.
“Unë besoj se kryeministri Netanyahu i përket Hagës. Ai është një kriminel lufte i cili po ndiqet penalisht sipas një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Çfarëdo që ligji më lejon të bëj në New York, atë do të bëjmë”, ka thënë Mamdani.
Gjykata Ndërkombëtare Penale pati lëshuar urdhër-arrest për Netanyahun në nëntor 2024 mbi pretendimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Gaza. Izraeli pati kundërshtuar si pretendimet ashtu edhe juridiksionin e gjykatës.
Çdo përpjekje e autoriteteve të New Yorkut për ta zbatuar këtë urdhër-arrest do të përballej me pengesa të mëdha ligjore. Shtetet e Bashkuara nuk janë palë në Statutin e Romës, me të cilin është themeluar Gjykata Penale Ndërkombëtare, dhe nuk e njohin juridiksionin e saj.