Connect with us

Sport

Maran me surpriza në kombëtaren kuqezi, Shqipëria gati të rrëmbejë një tjetër lojtarë

Epoka e Rolando Maran në krye të Kombëtares shqiptare ka nisur zyrtarisht. Tekniku italian, i prezantuar të martën në konferencë për shtyp, ka marrë menjëherë drejtimin e skuadrës kuqezi dhe ka filluar punën për ndërtimin e grupit të tij. 62-vjeçari pritet të përqendrohet fillimisht te përzgjedhja e futbollistëve për dy ndeshjet miqësore të muajit qershor, ku Shqipëria do të përballet me Izraelin më 3 qershor dhe me Luksemburgun më 6 qershor.

Sipas burimeve pranë ambientit kuqezi, Maran po ndjek nga afër disa futbollistë me potencial, të cilët ende nuk kanë krijuar hapësira të rëndësishme me përfaqësuese të tjera dhe mund të përfaqësojnë alternativa të vlefshme për të ardhmen e Shqipërisë.

Një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen e stafit teknik është Ron Raçi. Mbrojtësi i Hajdukut të Split konsiderohet një profil interesant për repartin mbrojtës, ndërsa fakti që ende nuk ka debutuar me përfaqësuesen e Kosovës e mban të hapur mundësinë e aktivizimit me fanelën kuqezi.

Burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit bëjnë me dije se po punohet për të bindur futbollistin të zgjedhë Shqipërinë, ndërsa Maran e sheh Raçin si një alternativë me karakteristika të veçanta për mbrojtjen.

Mbrojtësi luan në qendër dhe preferon këmbën e majtë, një profil që aktualisht konsiderohet i munguar në organikën e Kombëtares shqiptare. Gjatë karrierës së tij, ai ka qenë pjesë edhe e skuadrave si Trepça, Prishtina dhe Besa.

Ndërkohë, muajt e fundit pjesë e Kombëtares shqiptare është bërë edhe Etnik Brruti. Mesfushori vendosi të largohej nga Kosova U-21 për t’iu bashkuar Shqipërisë, ndërsa trajneri Silvinjo e grumbulloi me ekipin e parë.

Kalimi i Brrutit te kuqezinjtë shkaktoi reagime të shumta në opinionin sportiv, pasi futbollisti kishte mbajtur edhe shiritin e kapitenit te Kosova U-21. Megjithatë, ai nuk u aktivizua në ndeshjet kualifikuese të Botërorit ndaj Anglisë dhe Andorrës, duke mbetur në tribunë.

Pas zgjedhjes së tij për të përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, FSHF nisi procedurat pranë FIFA-s për ndryshimin e Federatës Sportive. Procedurat u kryen në kohë të shpejtë dhe pa pengesa, ndërsa FIFA zyrtarizoi kalimin e mesfushorit, duke i dhënë të drejtën të veshë fanelën kuqezi.

Advertisement