Connect with us

Kosova

Marrëveshja e madhe në Kosovë! Kurti dhe Abdixhiku bien dakord për presidentin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë arritur marrëveshje për emrin e kandidatit për presidentin e ardhshëm të Kosovës.

Pas një serie takimesh dhe diskutimesh për stabilitetin institucional, dy partitë janë dakorduar që emri i përbashkët për postin e presidentit të jetë Profesor Doktor Bekim Sejdiu.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se takimet mes palëve kanë nisur më 9 korrik dhe kanë vijuar në mënyrë të vazhdueshme, me fokus gjetjen e një zgjidhjeje për të garantuar funksionimin dhe stabilitetin institucional.

Abdixhiku tha se negociatat nuk kanë qenë të lehta, por se të dyja palët kanë qenë të angazhuara për të gjetur një emër konsensual për postin e presidentit.

Sipas tij, gjatë diskutimeve janë shqyrtuar disa emra të personaliteteve me kontribute profesionale, shoqërore dhe shtetërore, përpara se palët të dakordësoheshin për Bekim Sejdiun.

“Gjatë diskutimeve të përbashkëta jemi dakorduar për një emër dhe ai është Profesor Doktor Bekim Sejdiu”, deklaroi Abdixhiku.

Ai e cilësoi Sejdiun si një figurë me karrierë të spikatur akademike dhe profesionale, si dhe me përvojë në pozita të rëndësishme.

Marrëveshja mes Vetëvendosjes dhe LDK-së pritet të jetë një hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të situatës institucionale dhe përcaktimit të kreut të ardhshëm të shtetit të Kosovës.

Advertisement