Connect with us

Kosova

Marta i fryn kot bilbilit/ Analisti Maliqi: Vizita e Kos s’e përshpejton integrimin e Kosovës në BE

Studiuesi dhe analisti politik, Agon Maliqi komentoi vizitën e Komisioneres për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, në Kosovë dhe mesazhet e saj për procesin e integrimit evropian.

Sipas tij, vizita e zyrtares së lartë të Bashkimit Evropian nuk duhet mbivlerësuar si faktor vendimtar në ecurinë e procesit, pasi shpesh ekziston një diferencë mes dinamikës së Komisionit Evropian dhe vullnetit politik të shteteve anëtare të BE-së. Ai theksoi se Komisioni mund të jetë më dinamik në deklarata dhe iniciativa, por pa mbështetje të plotë politike nga vendet kryesore të Unionit, proceset mbeten të ngadalta dhe të fragmentuara.

“Unë mendoj që kjo ishte një vizitë që u shty disa herë për shkak të krizave politike dhe në një moment të caktuar duhej të ndodhte dhe duhej të përcillte këto mesazhe. Megjithatë, unë nuk do t’i vendosja shumë peshë deklaratave të zonjës Marta Kos. Ekzistojnë divergjenca për të cilën nuk po flitet shumë, veçanërisht mes Gjermanisë dhe Francës rreth procesit të zgjerimit në përgjithësi. Procesi i zgjerimit ka mbetur i ndikuar edhe nga çështja e Ukrainës. Marta Kos mund të vijë dhe të japë deklarata, kjo është pjesë e mandatit të saj si Komisionere, por Komisioni Evropian nuk e ka në këtë moment fuqinë politike që të shtyjë proceset përpara pa një konsensus të qartë mes shteteve anëtare. Pa u sqaruar këto çështje brenda BE-së dhe pa stabilitet politik në rajon, procesi nuk mund të ecë përpara. Nuk mund të ecë dialogu Kosovë–Serbi kur të dyja vendet nuk kanë stabilitet të plotë institucional. Në momentin që Kosova krijon institucionet, mund të hyjë Serbia në një cikël të ri zgjedhor. Këto janë më shumë deklarata aspirative, jo domosdoshmërisht sinjale për ndonjë ofensivë të re politike” – deklaroi Agon Maliqi

Advertisement