Politike
MARTA KOS: ÇMIMI I ANTARESIMIT TE SHQIPERISE NE BE, SA NJE KAFE EUROPIANE
Shqipëria mund të jetë pjesë e Bashkimit Europian përpara vitit 2030, nëse vijon me ritmin e reformave dhe përmbush të gjitha kushtet e anëtarësimit.
Këtë sinjal e ka dhënë Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila gjatë prezantimit të strategjisë së re të zgjerimit në Parlamentin Europian tha se objektivi për të parë disa vende të reja brenda Unionit deri në fund të kësaj dekade tashmë është një skenar realist.
“Ëndrra ime, në fakt tani nuk duket dhe aq ëndërr, por me këmbë në tokë, është që unë të shoh të kemi të paktën 2 deri në 3 vende të anëtarësuara në BE brenda 2030. Nëse ato e meritojnë”, deklaroi Kos.
Në diskutimin në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, procesi i zgjerimit u shoqërua me vlerësime përgjithësisht pozitive për vendet kandidate.
Një nga shqetësimet e ngritura lidhej me projektin e Jared Kushner në Shqipëri, në zonën e Zvërnecit. Për këtë çështje, Marta Kos dha një përgjigje që e zhvendosi fokusin te respektimi i standardeve europiane të mjedisit.
“Sigurisht, edhe ne jemi në dijeni të të ashtuquajturit projekt të Kushner në Shqipëri. Ndaj ne po i kërkojmë qeverisë shqiptare që të përshtatë të gjithë legjislacionin mjedisor shqiptar me atë të BE-së”, u shpreh ajo.
Pra, sipas qasjes së Komisionit Europian, projektet e mëdha në Shqipëri nuk përbëjnë në vetvete pengesë për integrimin, për sa kohë që ato respektojnë legjislacionin dhe standardet e Bashkimit Europian.
Por sfidat më të mëdha për zgjerimin nuk ndodhen vetëm te vendet kandidate. Një prej debateve kryesore është brenda vetë Bashkimit Europian dhe lidhet me mënyrën e marrjes së vendimeve.
Disa vende anëtare kërkojnë të ruajnë sa më shumë përdorimin e parimit të unanimitetit, ndërsa Komisioni Europian po diskuton mekanizma që do ta bëjnë vendimmarrjen më efikase.
“Disa prej tyre duan të kontribuojnë në këtë mekanizëm më eficient, disa të tjerë janë shumë në favor që ende të përdorin unanimitetin, sa më shumë që të jetë e mundur. Ne nuk duam të eliminojmë unanimitetin, sugjerojmë disa kufizime, që mund të jenë më efektive”, deklaroi Kos.
Komisionerja europiane solli edhe një argument ekonomik për të treguar se zgjerimi nuk do të kishte një kosto të papërballueshme për qytetarët europianë.
Duke marrë Malin e Zi si shembull, ajo tha se një vend me rreth 650 mijë banorë do t’i kushtonte BE-së rreth 380 deri në 420 milionë euro, ndërsa kontributi financiar i tij do të merrej gjithashtu në konsideratë.
Sipas saj, kjo do të përkthehej në më pak se një euro në vit për çdo qytetar europian.
“Sa do t’u kushtonte europianëve anëtarësimi i Shqipërisë? Një kafe europiane me çmim shqiptar. Le të flasim troç, Mali i Zi është 650 mijë banorë, pothuajse sa Shtutgarti apo Tuluza. Kjo do na kushtojë ne rreth 380 deri në 420 milionë euro. Nga ana tjetër, do të shohim se sa do të kontribuojë Mali i Zi për BE. Pra, me pak fjalë, më pak se 1 euro për qytetar europian, çdo vit. Ne mund ta përballojmë këtë. E njëjta gjë për Shqipërinë, e njëjta gjë edhe për Moldavinë”, Theksoi Marta Kos
Deklaratat e Marta Kos japin kështu një sinjal të rëndësishëm politik për Tiranën: anëtarësimi i Shqipërisë brenda kësaj dekade nuk shihet më vetëm si një aspiratë afatgjatë, por si një objektiv i mundshëm, nëse vendi përmbush kushtet dhe ruan ritmin e reformave.