Aktualitet
Mbështeti studentët shqiptarë në RMV, ministria mohon shkarkimin e ambasadorit Denion Meidani
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas raportimeve mbi lëvizjet diplomatike në Shërbimin e Jashtëm, veçanërisht lidhur me ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani.
Në një deklaratë zyrtare, institucioni thekson se çdo vendimmarrje për emërimet apo lëvizjet në nivel diplomatik realizohet sipas legjislacionit në fuqi, rregullave të brendshme të Shërbimit të Jashtëm dhe praktikave diplomatike.
Sipas ministrisë, këto procese mbështeten në analiza profesionale dhe institucionale, me synim përdorimin efikas të burimeve njerëzore dhe në funksion të prioriteteve të politikës së jashtme të Shqipërisë. Në deklaratë sqarohet gjithashtu se vendimmarrja përfshin koordinim dhe konsultim me institucionet përgjegjëse shtetërore.
Reagimi vjen pasi në media u publikuan pretendime se lëvizja e mundshme e Meidanit nga posti i ambasadorit lidhej me qëndrimet e tij publike për çështjet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përfshirë debatin mbi përdorimin e gjuhës shqipe.
Ministria i cilësoi të pabazuara komentet dhe interpretimet e publikuara në media, duke shtuar se ato nuk pasqyrojnë procesin institucional që ndiqet në raste të tilla.
“Lëvizjet diplomatike, përfshirë ato në nivelin e Titullarit të Përfaqësisë, realizohen gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi, kuadrin e brendshëm rregullator për Shërbimin e Jashtëm, si dhe me praktikat e konsoliduara diplomatike.
Komentet dhe pasqyrimet në media nuk pasqyrojnë realitetin, aq më pak procesin institucional që ndiqet në raste të tilla.
Në mënyrë të veçantë, hamendësimet apo interpretimet e paraqitura si fakte janë tërësisht të pabazuara dhe nuk meritojnë vëmendje të mëtejshme.”, njofton MPJ.