Politike
Mbetjet toksike/ Rama kapet dhe me prokurorinë e Durrësit: Vetëm vetën e vetë nuk paraburgosën
Kryeministri Edi Rama është kapur dhe me vendimin e prokurorisë së Durrësit për mbetjet toksike që u kthyen nga Tajlanda dy vite më parë në Durrës. Gjatë podcastit ‘Flasim’, Rama teksa po komentonte mosmarrjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e një anëtari qeverie, u shpreh se arrestet pa gjyq arritën një kulm të ri këtë javë.
Ndërkohë që më tej, Rama ironizoi se nga mbi 30 fletë arresti që ishin firmosur, prokurori i Durrësit, vetëm vetën e vetë nuk arrestoi.
“Kujtdo që ka vënë buzën në gaz apo ka nxjerrë gjuhën jashtë pas mosvendimit të Kushtetueses dhe e bën hosana dhe fërkon duart me kuturisjet e modës së re të arresteve pa gjyq, të cilat arritën një kulm të ri këtë javë me 30 e kusur fletë-arresti të prera nga një prokuror në Durrës, i cili në fakt nuk paraburgosi vetëm veten e vet, – se të gjitha çfarë kishte rreth e rrotull për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, – i futi në një thes, – u them një gjë, – kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor e të gjithëve bashkë, e jona, qeveri, parlament, drejtësi, me të gjitha të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj, arritjet dhe lajthitjet e drejtësisë së re, do të prodhojë ndonjëherë kosto për këtë shumicë qeverisëse, të cilat do ta kthejnë në punë mullirin e prishur të opozitave, gabon ditë dhe natë sepse nuk kupton atë që e kupton shumë qartë populli shqiptar, njeriu i zakonshëm i Shqipërisë,” tha Rama.