Aktualitet
“Më çau hundën”/ Dëshmia e policit pas sulmit të Nuredin Dumanit në burg
Detaje të reja janë bërë publike lidhur me incidentin e ndodhur më 7 gusht 2026 në sektorin “C” të paraburgimit nr. 313 në Tiranë, ku i paraburgosuri Nuredin Dumani dyshohet se ka sulmuar fizikisht një efektiv të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve.
Sipas dëshmisë së efektivit Rexhep Sinaj, ngjarja ka ndodhur paraditen e 7 gushtit, teksa ai po hynte në sektorin “C”, ku ishte caktuar për shërbim. Sinaj ka deklaruar se në momentin që po ngjiste shkallët drejt katit të dytë, Dumani ka dalë në korridor dhe e ka goditur me një kovë me ujë, duke i lagur rrobat dhe duke bërë që ushqimet që mbante në duar të binin në tokë.
Sipas dëshmisë së tij, menjëherë pas kësaj Dumani e ka goditur edhe me grusht në fytyrë, duke i shkaktuar një dëmtim në pjesën e hundës. Efektivi mësohet se i është nënshtruar më pas edhe një ekzaminimi mjekoligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë.
Sinaj ka deklaruar gjithashtu se gjatë periudhës së shërbimit në këtë sektor, Dumani e kishte ofenduar në disa raste, por sipas tij ai nuk i ishte përgjigjur dhe nuk e kishte ofenduar të paraburgosurin.
Pas incidentit, Dumani është larguar drejt dhomës nr. 1 në katin e dytë të sektorit “C”. Ngjarja mësohet se është dokumentuar edhe nga kamerat e sigurisë së burgut, ndërsa në momentin e përplasjes kanë qenë të pranishëm edhe dy punonjës të policisë, Edmond Gjiriti dhe Kujtim Balliu.
Të dy efektivët janë marrë në pyetje nga Policia e Burgjeve dhe kanë dhënë dëshmitë e tyre mbi atë që kanë parë. Ndërkohë, sipas materialit hetimor të referuar, deri në këtë fazë Nuredin Dumani nuk është marrë në pyetje për incidentin.
Pamjet e kamerave të sigurisë, sipas të dhënave të bëra publike, tregojnë momentin kur Dumani i afrohet efektivit dhe e godet me kovën e ujit. Në korridor dallohet uji i shpërndarë në shkallë, ndërsa ushqimet bien në tokë. Më pas në skenë shfaqen edhe punonjësit e policisë dhe disa të paraburgosur të tjerë, përpara se situata të qetësohet dhe dyert e sektorit të mbyllen.
Incidenti vjen në një kohë kur Nuredin Dumani vijon të ketë një rol të rëndësishëm në disa hetime të SPAK, si bashkëpunëtor i drejtësisë. Emri i tij është përfshirë në disa dosje të rëndësishme penale, ndërsa paralelisht ai është marrë i pandehur në çështje të tjera dhe përballet me akuza të rënda, përfshirë vrasje, tentativa vrasjeje, grabitje dhe grup të strukturuar kriminal.
Në dosjen “Plumbi i Artë”, Dumani është një prej të pandehurve, ndërsa çështja ndodhet në fazën përfundimtare, ku pritet edhe paraqitja e pretencës së Prokurorisë së Posaçme për të pandehurit.
Incidenti i 7 gushtit rikthen në vëmendje edhe kushtet dhe mënyrën e menaxhimit të personave me rrezikshmëri të lartë, veçanërisht në rastet kur ata ndodhen në sistemin e paraburgimit dhe njëkohësisht bashkëpunojnë me organet e drejtësisë.