Bota
“Më kërkoi foto, më erdh keq për të”/ Italia “hakmerret” ndaj Trump, anulon takimin…
Një debat i papritur pas samitit të G7 në Evoprian, filloi nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili sulmoi kryeministren italiane Giorgia Meloni në një intervistë telefonike. Trump tha se Meloni i ishte lutur të bënin një foto bashkë dhe ai kishte ndjerë keqardhje.
“Ajo më luti të bëja një foto me të, më erdhi keq për të. Me shumë gjasa ajo është e lumtur që i fola.” tha ai.
Por Meloni i hodhi poshtë pretendimet e Trump, duke i cilësuar ato si të trilluara. Ajo tha se është e habitur nga kjo që ka deklaruar Trump, duke shtuar se Italia nuk përgjërohet kurrë.
“Jam e habitur. Nuk e kuptoj pse presidenti amerikan sillet në këtë mënyrë me aleatët e tij. Nuk është hera e parë që ndodh. Mund të them vetëm se më vjen keq që nuk tregon të njëjtën vendosmëri ndaj armiqve të Perëndimit dhe ndaj liderëve me të cilët tregohet shumë më i butë. Një gjë duhet ta mbajë mend: unë dhe Italia nuk përgjërohemi kurrë”, u shpreh ajo.
Pas kësaj, ministri i Jashtëm Antonio Tajani raportoi në X se ka anuluar vizitën e tij në Forumin e Biznesit Itali-SHBA, të planifikuar për 21 dhe 22 qershor në Miami, pas deklaratës së Presidentit të SHBA-së Donald Trump ndaj Kryeministres Giorgia Meloni.
“Fjalët serioze dhe ofenduese të Presidentit Trump kundër Kryeministres Giorgia Meloni ofendojnë të gjithë Italinë. Për këtë arsye, kam vendosur të anuloj vizitën time në Shtetet e Bashkuara, të planifikuar për 21 dhe 22 qershor.” tha ai.
Mediat italiane shkruajnë se gjatë vizitës, Zëvendëskryeministri ishte planifikuar të takohej me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio. Anulimi i udhëtimit vjen në një kohë kur dialogu ekonomik midis Italisë dhe Shteteve të Bashkuara konsiderohej një përparësi për Farnesinën.
Forumi i Biznesit në Miami u konceptua si një platformë për të forcuar eksportet, investimet dhe bashkëpunimin industrial midis dy anëve të Atlantikut, me pjesëmarrjen e institucioneve dhe kompanive të mëdha nga të dy vendet. Ngjarja supozohej gjithashtu se do të kishte ofruar një mundësi për një takim ballë për ballë midis Tajanit dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, një figurë kyçe në administratën Trump.