Connect with us

Bota

Me vulë në dorë/ Marrëveshja për Gazën gati, Trump niset drejt Lindjes së Mesme

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se “Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar Fazën e parë të Planit tonë të Paqes”.
Kjo fazë përfshin lirimin e pengjeve dhe tërheqjen e trupave izraelite sipas dakordimit.
“Kjo do të thotë që TË GJITHË pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të rënë dakord si hapat e parë drejt një Paqeje të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përjetshme. Të gjitha palët do të trajtohen në mënyrë të drejtë!
Kjo është një DITË E MADHE për Botën Arabe dhe Muslimane, Izraelin, të gjitha kombet përreth dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ne falënderojmë ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, të cilët punuan me ne për ta bërë të mundur këtë Ngjarje Historike dhe të Paparë”, ka shkruar Trump në rrjetet sociale.
Një zyrtar i Katarit ka thënë se marrëveshja do të “çojë në përfundimin e luftës, lirimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë, si dhe hyrjen e ndihmave”.

Trump mund të shkojë në Lindjen e Mesme për marrëveshjen e Gazës

Presidenti amerikan Donald Trump tha se mund të udhëtojë për në Lindjen e Mesme këtë fundjavë, ndërsa negociatorët e tij kërkojnë të vulosin një marrëveshje për armëpushim në Gaza.
Trump tha në Shtëpinë e Bardhë se një marrëveshje është “shumë afër” dhe se mund të niset për në rajon të shtunën.
Zyrtarët nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Katari shprehen optimizëm të matur se një marrëveshje për përfundimin e konfliktit në Gaza mund të arrihet brenda kësaj jave.
Kështu raporton Axios, duke cituar disa burime të përfshira ose të informuara mbi bisedimet që po zhvillohen në Sharm El-Sheikh, Egjipt.
Çështjet kryesore në diskutim — si kushtet e tërheqjes ushtarake të Izraelit nga Gaza dhe identiteti i të burgosurve palestinezë që do të lirohen — janë shumë të ndjeshme.
Megjithatë, optimizmi i përbashkët i zyrtarëve të përfshirë është konsideruar një zhvillim i rëndësishëm.
Steve Witkoff dhe Jared Kushner u paraqitën të mërkurën në mëngjes për të përfaqësuar SHBA-të në bisedime.
Në bisedime marrin pjesë gjithashtu ekipet negociuese të Izraelit dhe Hamasit, kryeministri i Katarit si dhe shefat e inteligjencës së Turqisë dhe Egjiptit.
Qëllimi është që marrëveshja të njoftohet këtë javë dhe të fillojë lirimi i pengjeve izraelite javën e ardhshme, shkruan Axios duke cituar një burim të afërt me bisedimet.

Advertisement