Connect with us

Aktualitet

Media izraelite: Shqipëria dhe Kosova pjesë e ‘forcës së sigurisë” për Gazën

Zgjerimi i forcës ndërkombëtare të stabilizimit për Gazën po merr formë, ndërsa në listën e vendeve pjesëmarrëse përmenden tashmë edhe Shqipëria dhe Kosova.
Sipas raportimit të medias izraelite i24 News, Shqipëria dhe Kosova pritet t’i bashkohen një misioni që përfshin gjithashtu Marokun, Indonezinë, Greqinë dhe Kazakistanin.
Indonezia parashikohet të kontribuojë me kontingjentin më të madh – deri në 8 mijë trupa – duke formuar bërthamën e operacionit.
Për Shqipërinë, një angazhim i tillë do të përbënte një tjetër hap në konsolidimin e profilit të saj si kontribuuese në misione ndërkombëtare të sigurisë.
Tirana ka marrë pjesë më herët në operacione të NATO-s dhe misione paqeruajtëse, duke synuar të ruajë një linjë të qartë pro-perëndimore në politikën e jashtme.

Nëse konfirmohet zyrtarisht, përfshirja në një forcë stabilizuese në Gaza do ta poziciononte Shqipërinë në një mision delikat, me dimensione të forta politike dhe rajonale, në një kohë kur Lindja e Mesme mbetet një nga zonat më të paqëndrueshme globale.
Kosova në një mision të ndjeshëm
Edhe për Kosovën, pjesëmarrja do të ishte një zhvillim i rëndësishëm në aspektin diplomatik dhe të sigurisë.
Forca e Sigurisë së Kosovës ka zgjeruar gradualisht rolin e saj ndërkombëtar, ndërsa angazhimi në një mision të tillë do të shihej si dëshmi e kapaciteteve në rritje dhe e orientimit strategjik euroatlantik të Prishtinës.
Kosova ka shprehur vazhdimisht mbështetje për Izraelin në zhvillimet e fundit në rajon, dhe përfshirja në këtë mision do të kishte edhe dimension simbolik politik.
Detajet e misionit
Forca ndërkombëtare do të vendoset në zona tashmë nën kontrollin izraelit, prapa një zone tampon sigurie. Sipas burimeve, misioni nuk pritet të bëhet operacional para muajit maj.
Megjithatë, mbetet e paqartë pjesëmarrja e aktorëve kyç rajonalë, si Jordania dhe Arabia Saudite, të cilat ende nuk kanë dhënë pëlqimin për t’u bashkuar me operacionin.
Zgjerimi i listës me Shqipërinë dhe Kosovën sinjalizon një përfshirje më të gjerë ndërkombëtare, por suksesi i misionit do të varet nga konsensusi politik dhe arkitektura përfundimtare e sigurisë në terren.

Një takim i pritshëm në Washington ndërkaq, nën siglën e Bordit të Paqes, i thirrur nga presidenti amerikan, Donald Trump dhe me pjesëmarrje të konfirmuar nga kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mund të riafirmojë këtë plan për të pasur forca shqiptare dhe kosovare në misionin paqeruajtës.
Duke qenë se është deklaruar se një shumë prej 5 miliardë dollarësh do të pritet të mblidhet përmes kontributeve të anëtarëve të Bordit të Paqes dhe se Shqipëria e Kosova mund të mos jenë në pozita të forta për donacione ekonomike, një investim ushtarak mund të jetë më i mundshëm.
Ende pritet konfirmim nga ministritë përkatëse për këtë raportim.

Advertisement