Bota
Meloni: Jetike që Irani të heqë dorë nga ambicia për armë bërthamore
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka theksuar se është jetike që Irani të braktisë ambiciet e tij bërthamore, në kuadër të përpjekjeve për stabilizimin e situatës në Lindjen e Mesme.
Në deklaratat pas takimit me liderët evropianë, Meloni u ndal edhe te rëndësia e lirisë së lundrimit në Ngushtica e Hormuzit, duke e cilësuar atë si një parim themelor të së drejtës ndërkombëtare, që duhet të zbatohet për çdo korridor detar.
Ajo theksoi se armëpushimet në Libani dhe Iran duhet të jenë pjesë integrale e çdo procesi serioz negociues për zgjidhjen e krizës në rajon.
“Është jetike që Irani të heqë dorë nga synimi për armë bërthamore”, deklaroi Meloni.
Kryeministrja italiane bëri të ditur gjithashtu se misioni detar i propozuar nga Keir Starmer do të fokusohet në sigurinë e anijeve në zonën përreth Hormuzit, duke përfshirë operacione për zbulimin dhe pastrimin e minave detare, si dhe garantimin e sigurisë për industrinë e transportit detar.
Në përfundim, ajo e cilësoi këtë mision si “plotësisht mbrojtës”, duke shtuar se Italia do të kontribuojë me një numër të caktuar njësish detare.