Connect with us

Aktualitet

Mesazhe terroriste në institucionet shqiptare, Bashkia e Bulqizës evakuohet

Bashkia e Bulqizës është rrethuar me shirita sigurie pas alarmit për një bombë të pretenduar në ambientet e institucionit. Punonjësit e administratës janë larguar nga godina, ndërsa autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një kërcënim real apo një alarm të rremë.

Alarmi në Bulqizë vjen në kuadër të një serie kërcënimesh të dërguara mëngjesin e sotëm me e-mail në adresat elektronike të disa institucioneve në qytete të ndryshme të vendit. Mesazhet, të dërguara nga një adresë ende e paidentifikuar, kanë përmbajtje kërcënuese dhe terroriste dhe pretendojnë se në institucionet e përfshira janë vendosur bomba.

Pas marrjes së informacionit, strukturat e Policisë së Shtetit kanë nisur kontrollet në institucionet e prekura nga kërcënimi. Sipas Policisë, nga verifikimet e kryera deri tani nuk ka rezultuar prania e ndonjë bombe apo e ndonjë lloj tjetër eksplozivi.

Në disa qytete të vendit janë kryer kontrolle të ngjashme. Në Tiranë, kërcënimi ka prekur edhe institucione të rëndësishme, ndërsa në ambientet e SPAK dhe GJKKO kanë mbërritur specialistë të Antiterrorit, të shoqëruar nga qen të trajnuar për zbulimin e eksplozivëve.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, duke theksuar se nga kontrollet e deritanishme nuk është konstatuar asnjë eksploziv dhe se nuk ka vend për panik.

Në Bulqizë, godina e Bashkisë vijon të jetë e izoluar, ndërsa strukturat përgjegjëse po kryejnë kontrollet dhe verifikimet e nevojshme për garantimin e sigurisë.

Advertisement