Kosova
Mesazhi i Amerikës për Kurtin sipas The Economist: injoroni evropianët dhe blini gazin tonë
Revista prestigjoze britanike The Economist i ka kushtuar një artikull të veçantë çështjes së Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG), duke përmendur edhe presionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës për t’u përfshirë në projektet e tyre energjetike, madje edhe duke anashkaluar rregullat e Bashkimit Evropian.
The Economist ka kujtuar se Kosova aktualisht nuk ka asnjë tubacion që e lidh me rrjetet e gazit në rajon, kryesisht për shkak të refuzimit të kryeministrit kosovar, Albin Kurti, i cili në vitin 2021 pezulloi projektin për lidhje me Maqedoninë e Veriut.
E përjavshmja britanike sugjeron se kryeministri Kurti “mund të vazhdojë me ndërtimin e tubacionit” pas paralajmërimit të ambasadës amerikane në Prishtinë.
“Mesazhi nga Amerika është i qartë: nëse dëshironi mbështetjen tonë, injoroni evropianët dhe blini gazin tonë”, shkruan The Economist në artikullin e publikuar më 29 qershor me titull “Politika e Amerikës në Ballkan ka të bëjë tërësisht me gazin”.
The Economist vëren gjithashtu se Evropa nuk është kundër gazit amerikan, sepse ai ndihmon në largimin e Rusisë nga Ballkani, por kundër metodave të Amerikës.
“Problemi i evropianëve [për çështjen e gazit] qëndron te përdorimi i presionit [nga amerikanët] për të shtyrë marrëveshjet përpara. Ata shprehin gjithashtu keqardhje për mundësinë që vendet e Evropës Jugore, të cilat kanë potencial të madh diellor, të erës dhe hidroenergjisë, të detyrohen të përdorin gaz amerika”, shkruan The Economist.
“Për shkak të objektivave ekologjike, evropianët kanë vështirësi të konkurrojnë me kompanitë që u ofrojnë përfitime personale zyrtarëve të lartë ballkanikë (bigwigs) që nënshkruajnë për marrëveshjet e gazit. Por në një botë ku rregullat janë duke ia liruar vendin fuqisë, atyre mund t’u duhet të gjejnë se si ta peshojnë ofertën e Amerikës”.
Amerika është eksportuesja kryesore e LNG-së me rreth 85-90 miliardë metra kub (bcm) në vit. Ajo synon të shkëpusë Evropën nga shantazhi energjetik i Rusisë, derisa i ka ofruar edhe Kosovës integrim përmes korridoreve që kalojnë nga Greqia dhe Kroacia përmes lidhjes së mundshme me Maqedoninë e Veriut ose Shqipërinë.