Politike
Ministri Demo ashpërson tonet nga Italia: Forcim i sigurisë publike
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka deklaruar se garantimi i lirisë së protestës duhet të shoqërohet me masa për parandalimin e dhunës dhe ruajtjen e rendit publik. Gjatë një vizite në San Patrignano të Italisë, ku po merr pjesë në një takim ndërkombëtar për parandalimin e varësive dhe rehabilitimin, Demo zhvilloi bisedime me përfaqësues dhe homologë evropianë, përfshirë nga Italia dhe Franca.
Në fokus të diskutimeve ishte forcimi i sigurisë publike, parandalimi i akteve të dhunshme dhe mbrojtja e qytetarëve, institucioneve dhe pronës publike e private. Sipas ministrit, institucionet shqiptare po shqyrtojnë përvojat e vendeve të Bashkimit Evropian për të vlerësuar mundësitë e përmirësimit të kuadrit ligjor dhe kapaciteteve institucionale në vend.
Duke komentuar protestat e fundit në Shqipëri, Demo theksoi se e drejta për të protestuar është e garantuar nga Kushtetuta, por sipas tij, ajo nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën apo dëmtimin e pronës.
“E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese dhe ne jemi plotësisht të vendosur ta garantojmë dhe ta mbrojmë. Por e drejta për të protestuar nuk është e drejtë për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë, apo për të shkatërruar pronën publike, si dhe atë private”, u shpreh ministri.
Demo bëri të ditur se me partnerët evropianë janë diskutuar mënyra për të forcuar mekanizmat e sigurisë dhe për të parandaluar përplasjet gjatë protestave. Sipas tij, përvojat e Italisë dhe vendeve të tjera evropiane po analizohen për të identifikuar masa që mund të përshtaten me kushtet e Shqipërisë.
“Zhvillimet e fundit në Shqipëri kanë nxjerrë në pah nevojën për të ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e sigurisë publike dhe parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës”, deklaroi ai.
Ministri nënvizoi se institucionet do të ndërmarrin masat e nevojshme në përputhje me ligjin, me synimin për të garantuar rendin dhe sigurinë në të gjithë vendin. Në përfundim, ai theksoi se mbrojtja e së drejtës për protestë dhe garantimi i sigurisë publike duhet të realizohen njëkohësisht.
“Ne do të garantojmë lirinë e protestës, por njëkohësisht do të marrim të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin, për të garantuar rendin dhe sigurinë e çdo qytetari në të gjithë territorin e Shqipërisë”, u shpreh Demo.