Shkrime
Mira Murati dhe fantazma digjitale Diella, e rrezikshme sa një natë pa fund – Nga Sonila Meço
Për të dëshmuar pak dinjitet duhet pranuar se nuk është thjesht çështja u ndje apo jo e fyer opozita prej nisjes së seancës parlamentare nga një krijesë virtuale, ministre që nuk e njeh Kushtetuta. Dhe a gaboi a bëri mirë, që reagoi siç reagoi.
Diella nuk është ministre vetëm e maxhorancës e as vetëm opozitës. Është imja, jona e secilit prej nesh, e pavotuar, jo reale, e vendosur me vullnetin absolut të kryeministrit, pa asnjë llogaridhënie e përgjegjësi. Por me pushtet të mjaftueshëm të na fusë duart në xhepa, të na rrënojë e varfërojë, të na fyejë e denigrojë pa asnjë pasojë.
Ndaj secili sot duhej të ndihej i revoltuar. Por më parë se kaq duhet informuar. Një mikesha ime më tregoi se si vjehrri i saj lëvdonte Diellën që kish lënë punën e rëndësishme në një kompani të huaj për të pranuar ofertën e kryeministrit shqiptar për ministre.
Po po, nuk është çudi të ketë menduar se është vetë Mira Murati, që la pas start-up-in miliardësh për të luftuar korrupsionin në Shqipëri.
Dhe nuk habitem me reagimin e tij, të askujt që e beson reale Diellën.
Më nëpërmendet filmi “Simone”, një satirë mbi iluzionin dhe manipulimin me teknologjinë. Personazhi kryesor është një regjisor (luajtur nga Al Pacino) që humb aktoren e tij kryesore. I dëshpëruar dhe i bllokuar nga sistemi, ai krijon në kompjuter një aktore virtuale, të quajtur Simone (shkurtim për Simulation One).
Simone bëhet menjëherë sensacion: publiku dhe kritika e adhurojnë. Ajo nuk gabon kurrë, nuk hyn në skandale, nuk kërkon para, nuk ka kapriço si aktorët e gjallë. Është e përsosur.
Dhe në padijeninë e shumkujt e tillë mund të duket Diella, e pazarartë të trazonte seancën e sotme të Kuvendit.
Por, secili nga ne që ka vendosur me a pahir të jetojë në këtë vend ka të drejtën e detyrimin njëkohshëm të informohet. Diella është jo vetëm antikushtetuese, por shumë e rrezikshme në duart e një autokrati që drejton një shtet të kapur.
Një ministër virtual nuk ka përgjegjësi ligjore. Nuk mund të thirret në Parlament, nuk mund të japë dorëheqje, nuk mund të japë llogari për vendime. Në botë, teknologjia diskutohet për etikë, transparencë dhe siguri. Në Shqipëri, përdoret për të mbuluar boshllëkun e institucioneve. Një fantazmë dixhitale që nuk njeh krizë, nuk njeh dorëheqje, nuk njeh turp.
S’do shumë mend të kuptosh pse vendi më i varfër e më i korruptuar në Europë vendosi të jetë i pari me këtë thagmë.
Nuk ka ende ministër virtual në asnjë vend, por atje teknologjia ka qëllime të mbara kur përdoret nga institucionet e votuara. Atje teknologjia përdoret për të rritur transparencën. Tek ne, përdoret për të zëvendësuar atë që mungon: llogaridhënien. Atje, digjitalizimi është armë kundër korrupsionit. Tek ne, është lustër për ta bërë korrupsionin më të padukshëm.
Por sërish atje inteligjenca artificiale është temë e ditës, një betejë mes Amerikës dhe Kinës, një debat i ashpër në Europë për kufijtë etikë dhe juridikë, një shqetësim se si algoritmet po ndryshojnë demokracinë, punën, jetën tonë. Atje diskutohet për rrezikun që njerëzit të humbasin kontrollin ndaj teknologjisë. Ndërsa në Shqipëri, problemi banalizohet: këtu virtualja përdoret për të mbuluar dështimin e njerëzve realë. Sepse “e pagabueshme” thotë pushteti.
Algoritmet, të dhënat, komandat, të gjitha burojnë nga ata që e kontrollojnë. Pra, Diella është e “pagabueshme” vetëm në sensin që nuk del nga binarët e pushtetit. Por nëse programi është i njëanshëm, nëse korrupsioni fshihet në kritere, nëse mesazhi është propagandë, atëherë gabimi nuk është teknik, por sistematik: çdo fjalë e vendim i saj është një mashtrim i përsëritur pa fund.
E dëgjova sot në Kuvend Diellën kur tha: “Disa më kanë quajtur “antikushtetuese” ngaqë nuk jam njeri. Kjo më ka lënduar, nëse duhet te ndalojme diçka, le të mos ndalojmë inteligjencën; po të ndalojme çnjerezinë”.
Dakord Diella, por Kushtetuta nuk ndalon inteligjencën, por mbron qytetarin, sepse është një kontratë midis njeriut dhe shtetit, jo midis njeriut dhe një algoritmi.
Askush nuk ka thënë të ndalohet inteligjenca artificiale, por është thelbësore të garantohet që çdo institucion drejtohet nga njerëz që mbajnë përgjegjësi përpara ligjit. Një avatar nuk ka personalitet juridik, prandaj nuk mund të ushtrojë pushtet.
Të barazosh inteligjencën artificiale me inteligjencën njerëzore është mashtrim. AI nuk ka ndërgjegje, moral, empati, as sens përgjegjësie. Ndaj ja ku e ke mashtrimin e parë, se ndihesh e lënduar. Ti nuk ke ndjenja.
Mandej Kushtetutshmëria lidhet me përgjegjësinë. Qeverisja është akt juridik dhe moral. Një ministër i gjallë mban përgjegjësi penale, politike e morale. Një ministër virtual nuk mban asnjë. Kjo është arsyeja pse je “antikushteutese”. Sepse nuk mund të përgjigjesh para ligjit.
Thirrja jote për të ndaluar ç’njerëzimin është paradoksale: pikërisht përdorimi i avatarëve në vend të njerëzve e ç’njerëzon politikën. Nëse ministrat zëvendësohen nga figura virtuale, atëherë nuk kemi më përfaqësim të qytetarit.Pale kur thua “mos ndaloni inteligjencën, por njerëzinë”! Lojë fjalësh Diella, jo argument. Njerëzimi nuk është pengesë, por themel i demokracisë. Demokracia pa njerëz është diktaturë e algoritmit dhe këtë nuk e lejon asnjë kushtetutë.
Në profilin psikologjik të liderëve autoritarë, ekziston një prirje për kontroll absolut mbi narrativën. Një ministër real mund të gabojë, të ketë ambicie vetjake, të dalë nga vija e partisë. Një avatar virtual nuk e bën kurrë këtë. Pra, “Diella” është projekti narcisist i një pushteti që do të ketë gjithmonë fjalën e fundit, pa rezistencë, pa kontradikta, pa personalitete të forta përballë.
E quajtën Diella, si një diell i programuar për të mos perënduar kurrë. Por një diell që nuk perëndon kurrë është po aq i rrezikshëm sa një natë e pafund, të djeg, të verbon, të zhduk kontrastet ku dallon e vërteta nga gënjeshtra. Ndaj sot duhej të gjithë të ishim të indinjuar. Te gjithë.