Bota
Mjekët ngrenë alarmin: Rritet me 30% përdorimi i kokainës te të rinjtë!
Përdorimi i substancave narkotike tek të rinjtë po njeh rritje të ndjeshme, me specialistët që flasin për një trend shqetësues të viteve të fundit. Sipas tyre, konsumi i kokainës ka shënuar një rritje deri në 30%, duke u kthyer në një fenomen gjithnjë e më i përhapur, edhe në mosha të reja.
Mjekët theksojnë se në të kaluarën kanabisi ishte substanca më e përdorur, por sot vihet re një zhvendosje drejt drogave më të forta, ku kokaina po merr përparësi. Sipas toksikologëve, ulja e moshës së përdorimit të saj po sjell pasoja serioze, jo vetëm për shëndetin fizik, por edhe për atë mendor dhe social të të rinjve.
Një tjetër element shqetësues është fakti se shumica e përdoruesve të kokainës kanë kaluar më herët përmes konsumit të kanabisit. Specialistët e cilësojnë këtë të fundit si një “hap të parë” drejt drogave më të rënda, duke krijuar një rrugë që shpesh çon në varësi më të fortë dhe përfshirje në rrjete shpërndarjeje.
Sipas tyre, normalizimi i kanabisit nga të rinjtë po e përkeqëson situatën. Shumë adoleshentë nuk e konsiderojnë më atë si drogë, por si diçka të zakonshme, çka bën që përdorimi të nisë që në moshë shumë të hershme, madje edhe 11–12 vjeç. Ndërkohë, kokaina raportohet të përdoret kryesisht nga të rinjtë rreth moshës 18 vjeç.
Mjekët paralajmërojnë se, ndonëse përdorimi shpesh nis si eksperiment, dalja nga varësia është tepër e vështirë. Vetëm një pjesë e vogël e përdoruesve arrin të shkëputet plotësisht, pasi shumë prej tyre ndërpresin trajtimin dhe nuk e ndjekin deri në fund procesin e rehabilitimit.