Connect with us

Shkrime

Monotonia e një shteti ku fshihet realiteti

Nga Denis Dyrnjaja

Për pak muaj mbush 25 vjet në profesionin e gazetarit. Të paktën në dy dekadat e fundit më kanë ftuar rëndom në këto ceremonitë zyrtare të karakterit burokratik protokollar në të cilat kam refuzuar të shkoj, përjashtuar dy herë ku kuptova se ishte e njëjta histori, të njëjtat rituale, e njëjta formë, por aspak përmbajtje. Se di pse nuk i jemi larguar dot si mendësi “BLLOKUT TË ISH UDHËHEQJES KOMUNISTE” ku disa ishin dhe sërish sot janë të privilegjuarit dhe të tjerët janë masa, janë ata që kanë të drejtë vetëm të përfytyrojnë. Kjo lloj mendësie është kryesisht karakteristikë e vendeve me tipologji autokratike ose diktatoriale që kryesisht gjenden në pjesën lindore të Europës.

Mjafton të shohësh mënyrën e organizmit, të ftuarit dhe gjithë ndodhinë që pason në të tilla evente. Në raste festash udhëheqësi në këtë rast presidenti që është kryetari i shtetit thërret me demek njerëz publike, por edhe persona të rëndësishëm të sipërmarrjes, besimeve fetare, medias, trupit diplomatik etj. Kryesisht këto pritje ndodhin me rastin e festave kombëtare ose festave të fundvitit. Për ju që nuk e dini ose keni përfytyrime të ndryshme sikur është diçka e këndshme, iu them se pjesëmarrja në këto ceremoni është diçka tepër bajate dhe false. Anglezët përdorin fjalën Boring për të tilla rrethana apo situata. Pra janë ngjarje pa ngjarje brenda, të mërzitshme.

Psh fjalimet e organizatorëve janë shabllon, ndërsa të ftuarit bëjnë muhabet pa pikë interesi, ndërsa udhëheqësi po lexon fjalimin që ka përsëritur disa herë gjatë ditës për të lexuar pa gabime para të ftuarëve. Dhe meqë kjo tablo përsëritet thuajse çdo herë do të ishte shumë më e vlefshme që të ndryshonte formati i këtyre ceremonive të lodhshme e pa pikë bereqeti, përveç gëzimit që ju përcjell zengjinllarëve të rinj për të demonstruar asetet lukzoze të veshjeve, automjeteve apo akoma dhe më keq për ata që e kanë sëmundje hamësinë (janë ata që vdesin të hanë e pinë qyl). Këto raste të cilat bëjnë bashkë shumë kategori të shoqërisë do të duhej të shërbenin që të gjithë të flisnin me të gjithë në një formë të hapur dhe gjithçka të ndiqej live nga publiku.

Festa e pavarësisë është e popullit e vendit dhe e kombit dhe nuk është party privat i llagapëve të shtetit që bëjnë sikur kanë katër breza me gjak blu. Psh a është më shumë rasti për të festuar apo reflektuar në 110 vjetorin e pavarësisë?! Vendi është më i ndarë apo më i bashkuar?! Shqiptarët kanë më shumë shpresë apo më pak shpresë në vendin dhe për të ardhmen e tyre?! Politika po shërben për keq apo për mirë?! Është ulur apo rritur besimi ndaj saj? Po komunitetet fetare çfarë roli luajnë, po shoqëria civile e kështu me radhë çdo kush te ndjente të paktën një herë në vit përgjegjësinë e asaj që përfaqëson…

Njerëzit kanë nevojë për të dëgjuar e patur një forum të hapur mendimesh dhe më mirë se kudo e kurdo kjo mund të ndodhë në të tilla raste se ndryshe nuk ka shanc të bëhet, sepse çdokush sheh interesat e tij personale ose të grupit ku bën pjesë e shqiptarëve iu nxjerrin herë Rita Orën e herë Dua Lipën të hutohen nga shkëlqimi i gënjeshtër i ngjyrave muzikës e dritave për pak orë se pastaj iu duhet të kthehen në shtëpi të lajnë rrobat me 30 gradë, ndërsa pseudoelita del nga Pallati i Brigadave, krekosur e llangosur me fuoristrada e limuzina luksoze për të pritur radhën e ardhshme të krekosjes vanitoze të neveritshme por që për ta është shumë serioze!

Shkrime

Shkopi dhe karota, emisari Escobar i kursyer në vendime

Pas lajmit se Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, po largohet për një detyrë tjetër, shumë u habitën nga lajmi se Gabriel Escobar , i cili, ashtu si Lajçak, nuk do të shihet më në Beograd dhe Prishtinë në rolin e të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, pasi sipas DASH, po shkon në një tjetër mision.

Deri më tani nuk dihet nëse dhe kush së bashku me pasardhësin e Lajçakut, Borut Pahor, në periudhën e ardhshme do të tentojnë që në emër të Amerikës të normalizojnë marrëdhëniet Beograd-Prishtinë, por gjithsesi rezultatet e Escobar-it mund të analizohen.

Milica Andriç Rakiç, drejtore e programit të Iniciativës së Re Sociale nga Mitrovica Veriore, kujton se në fushatën parazgjedhore, administrata e Biden premtoi se do të mbështeste rolin kryesor të BE-së si ndërmjetëse në dialog, dhe ata vazhdimisht i qëndruan asaj.

“Fokusi më i madh i ‘gjeneralit’ amerikan në dialog ishte pozita e komunitetit serb në Kosovë përmes formimit të asociacionit, por nuk pati rezultate të prekshme, gjë që zyrtarët e Departamentit të Shtetit e pranuan hapur. SHBA-të kanë humbur një partner në Kosovë me qeverinë e Albin Kurtit dhe kjo ndikon ndjeshëm në aftësinë për të zbatuar vizionin e tyre për një Kosovë evropiane. Escobar ka qenë prej kohësh fytyra e strategjisë dhe kontributit të SHBA-së në dialog, por, ashtu si ndërmjetësi kryesor Lajçak, ishte i kufizuar në marrjen e vendimeve, si për karotat, ashtu edhe për shkopinjtë” – e përshkruajti ajo për median serbe ‘Danas’.

Sipas saj, si rezultat, dialogu në vend që të ishte një mjet për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u shndërrua në një aparat zjarrfikës dhe tani dalëngadalë po bëhet burim i zjarreve dhe krizave të reja.

“Në mënyrë që roli i SHBA-së, pra i dërguari i saj, të ishte më efektiv, duhet të kishte vullnet që SHBA-të të përfshiheshin më shumë në dialog, në vend që të uleshin në dhomën tjetër teksa negociatat vazhdonin, por SHBA-të, nga respekti për partnerët e saj evropianë dhe BE-në, nuk e bënë këtë, të paktën administrata e Biden. Kjo është arsyeja pse emërimi i mundshëm i pasardhësit të Escobar do të varet ndoshta nga vlerësimi i Departamentit të Shtetit nëse në hierarkinë ekzistuese dhe kompetencat e të dërguarit ai ose ajo mund të kontribuojë në dialog më shumë se disa nga pozicionet e përhershme në Byronë për Evropën dhe Euroazinë” – vlerësoi Andriç Rakiç.

Dhe studiuesi i Rrugës së Tretë të Re, Dragoslav Rašeta, theksoi se për momentin nuk ka as informacione të besueshme dhe as thashetheme se kush mund të jetë i dërguari i ri special për Ballkanin Perëndimor, në radhë të parë për shkak se administrata Biden, për shkak të balancës së pushtetit ndërmjet Demokratëve dhe republikanëve në Senat dhe në Komisionin e Punëve të Jashtme të Senatit, kanë pasur shumë probleme me vendosjen e diplomatëve gjatë tre viteve të mëparshme.

Ai i tha Danasit se ndoshta do të duhet pak kohë derisa të gjendet një kandidat që do t’i përshtatet të dyja palëve.

Sipas mendimit të tij, që nga emërimi i Escobarit, është bërë përparim i dukshëm në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, edhe pse nuk ka pasur përparim në muajt e fundit. Kjo është arsyeja pse ai beson se performanca e Escobar shihet me sy të mirë në Uashington, edhe pse ai nuk arriti t’i shtyjë të dyja palët në vijën e finishit.

Milija Biševac, një nga themeluesit e Lëvizjes Popullore Serbe në Kosovë, theksoi se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës aktualisht është në nivelin më të ulët. Sipas tij, tensioni në marrëdhënie ka nisur dy vite më parë, menjëherë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe ardhjes në pushtet të Albin Kurtit në Prishtinë.

“Edhe pse në opinion ka teori të ndryshme që kanë të bëjnë me shkarkimin e tij dhe madje disa skandale që kanë të bëjnë me korrupsionin, fatkeqësisht gjatë përfshirjes së tij në dialog nuk kemi parë shumë rezultate sepse politika e ushtruesit të detyrës së kryeministrit në Prishtinë është ekstreme dhe e mbyllur ndaj ndikimeve të jashtme, madje edhe ndaj SHBA-së. Sigurisht, zgjedhja e një të dërguari të ri mund të ndryshojë shumë gjëra në vetë dialogun, por edhe në marrëdhëniet në të gjithë Ballkanin Perëndimor, të cilat janë mjaft të acaruara” – deklaroi Bishevac.

 

 

Continue Reading

Shkrime

Një opozitë që kërkon ndihmë nga Edi Rama për të mundur Erion Veliaj

Nga Mero Baze

Ka një lutje publike të opozitës për Edi Ramën, që së paku tu jap një mundësi të ndjehen të fituar ndaj Erion Veliaj, meqë qeverinë se mundin dot.

Për këtë I janë turrur fjalimit të Edi Ramës rreth reformave që duhen ndërmarrë kundër korrupsionit në shtetin shqiptar, dhe po përpiqen ta përkthejnë si fjalim kundër Erion Veliaj. Disa nxjerrin pikat e fjalimit që as socialistët si kanë mbajtur aq mirë shënim dhe I identifikojnë me Veliaj.

Të tjerë shpikin dhe gjëra që Rama si ka thënë dhe prap I identifikojnë me Veliaj. Madje për ta bërë më të plot konspiracionin, e ilustrojnë dhe me dokumente të dal nga ministritë, që dhe ato të quhen që I ka nxjerr Edi Rama kundër Erionit. Ata kanë në dorë dhe thuajse gjithë numrat e protokolleve të ministrive që janë marrë me inceneratorët dhe shpjegojnë dhe çfarë kanë pasur në mendje ministra të ndryshëm kundër Erionit.

Pra 24 orë pas thirrjes së Edi Ramës, për opozitën që tu bashkohet reformave kundër korrupsionit në administratë shtetërore, I vetmi përkthim që opozitarët duan ti bëjnë thirrjes është që ai tu jap kokën e Erion Veliaj.

Mënyra se si po e përkthen opozita, nuk tregon atë që ka në mendje Edi Rama, por atë që ka nevojë opozita. Dhe opozita duket se ka nevojë urgjente që Edi Rama ti jap një dhuratë meqë nuk po ja dalin dot. Madje jo që nuk po ja dalin, por sheshi para bashkisë, ka përditë me më pak se 50 vet dhe e vetmja gjë që rritet është dendësia e njerëzve të inkriminuar të cilët nuk kanë alternativë tjetër.

Në këtë pikë dëshpërimi I opozitarëve është dhe më I thellë, pasi edhe pse hedhin Molotov dhe thërrasin gjithë banditët para bashkisë, përsëri ndjehen të pafuqishëm dhe kërkojnë ta vrasin Erion Veliaj me dorë të Edi Ramës.

Nëse lexon mediat kryesore të opozitës prej dje deri më sot, duket që Edi Rama është ylli polar I tyre, idhulli I tyre që mund ti shpëtoj nga humnera ku kanë rënë duke ua hequr Erion Veliaj. Nuk kanë asnjë shpresë tjetër. Me sa duket as nga SPAK nuk shpresojnë më përveçse nga Edi Rama.

Në fakt fjalimi I Edi Ramës nuk ka ndonjë ofertë personale dhe as ndonjë identikit të korruptuari , por ngre nevojën alarmante që administrata e shtetit shqiptar të krijoj kulturën e përballjes me ligjin dhe të jetë e pavarur nga lidershipi politik.

Nuk di nëse i gënjen apo tallet dikush nga brenda pushtetit të Edi Ramës, apo e kanë instiktive këtë reagim, por nëse ka një rrugë që e bën me imunitet dhe më të fort politik Erion Veliaj, përfshi dhe nga Edi Rama , është kjo rruga që ka zgjedhur opozita që ti kërkoj si nder Edi Ramës kokën e Erion Veliaj për llogari të tyre.

Mirë është të gjejnë diçka më kreative që të paktën të duket sikur arrijnë dhe vet ndonjë gjë se nuk mund të shtynë gjithë jetën në opozitë duke kërkuar leje nga Edi Rama. Edhe për të vrarë Erion Veliaj.

Continue Reading

Shkrime

Serbët pa busull, nuk duan të dalin nga tuneli

Nga Zheljko Ivanoviç

“Rroftë përgjithmonë Serbia” – Kështu tha Millosh Vuçeviç, kryeministri i ri serb, i cili nuk premton për mirë, duke gjykuar nga përvoja e Ballkanit në tërësi. Duket se makina mori tatëpjetën ose iku në të kaluarën në vend të së ardhmes.

Serbia ka arritur në pikën e sotme fundore, pa detin që e ka pasur ëndërr kaq shumë kohë, siç vërejti me të drejtë kryeministri i porsaemëruar, por jo për shkak të të ashtuquajturit Vojisllav Koshtunica, i cili i shtoi atij mozaiku vetëm një guralec, por për shkak të themeluesit të politikës së vitet 1990. Atëherë elita politike dhe intelektuale serbe, me mbështetjen e plotë të Kishës Ortodokse Serbe, në vend të demokracisë dhe anëtarësimit në BE, zgjodhi projektin e Serbisë së Madhe, një koncept antievropian dhe siç doli, edhe një koncept antiserb, një kamp në të cilin duhej të jetonin të gjithë serbët e botës, siç besonin dhe ëndërronin të rinjtë në atë kohë, mes të cilëve edhe aktivisti i shquar I partisë së Sheshelit, tani kryeministër i Serbisë, Millosh Vuçevië” – kështu shkruan gazetari dhe aktivisti malazez I të drejtave të njëriut, Zheljko Ivanović në një rubrikë për ‘Vijesti’.

Diskutimet dhe replikat e kryeministrit të ri të Serbisë tregojnë se edhe pas tre dekadash e gjysmë dhe katër luftërave të humbura, zyrtarët në Beograd nuk e kuptojnë pse në vend të daljes në det, atyre në fakt iu duhet një dalje nga tuneli anti-qytetërues ku po rrinë me dekada.

“Në fakt, Serbia pas luftrave mbeti jo vetëm pa dalje në det por edhe pa sy në ballë, pra gjysmë verbër” – ka shkruar Ivanović duke potencuar: – Asgjë nuk kuptoj as Aleksandër Vuçiç pas rënies së komunizmit dhe shembjes së Murit të Berlinit, se Serbia, si shumica e vendeve të tjera të Bllokut Lindor, duhej të futej në krahët e Perëndimit, pra demokracisë, institucionet e forta, mediave te pavarura. E njëjta gjë është edhe sot, edhe pse kanë kaluar dekada, ata nuk e kanë të qartë se ku është vendi i tyre dhe cili është drejtimi i lëvizjes” – shkruan Ivanović……………………………

Kjo është arsyeja pse ata janë ulur në tre karrige për 12 vjet. Në vend të rrugës evropiane, përsëri po dredha-dredha nëpër një botë të re serbe, duke ëndërruar sërish për një shtet të madh, ata enden pa busull. Por befasia nuk qëndron te Vuçeviç, pasi ai është një lojtar i dorës së dytë në ndeshjen e madhe të udhëhequr nga mjeshtri Vuçiç. Janë të kota për të miliarda investime dhe të qënit një ‘tigër ekonomik’ në Ballkan, kur Serbinë e ka kthyer prapa në çdo aspekt, aq sa Beogradi sot rrezaton më toksik se në vitet ’90, kur bëhet fjalë për institucionet e kapur, dhe kur shikon propagandë të pamëshirshme, dhe kur dëgjon kuvendin serb, dhe kur analizon se si duket dialogu në një shoqëri ku kryeministri i fundit i rradhës, bashkë me paraardhësen Brnabiç i përshkruan rregullisht disidentët politikë, gazetarët e pavarur dhe disa politikanë evropianë si gënjeshtarë, hajdutë dhe derra. Nga këto rezulton se Serbia kurrë nuk ka qenë më radikale se sa është sot, dhe ky është problemi i saj më i madh – se është larg një shoqërie normale dhe të denjë dhe jo se është larg daljes në det. Elita serbe do vazhdojë të jetë në konflikt me botën normale dhe demokratike për fajin e saj, edhe pas refuzon Rezoluten për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara dhe Kosovën në Këshillin e Evropës. Është thjesht e pabesueshme se si Vuçiç dhe të gjitha kukullat e tij nuk e kuptojnë se duke mohuar apo trilluar krime nga e kaluara e afërt, ata vetë janë fajtorë më të mëdhenj për faktin se Rezoluta për Srebrenicën erdhi në agjendën e OKB-së. Ballafaqimi me të kaluarën, pa zbardhur dhe falsifikuar fakte dhe ngjarje, është themeli i botës dhe qytetërimit modern” – shkruan gazetari malazez Zheljko Ivanović në një rubrikë për ‘Vijesti’.

Continue Reading

OPINION

‘Kryeministri i shikon vartësit si minj’/ Reagim i fortë nga Endi Tafani

Nga Endri Tafani
Përmbledhja e konferencës së shtypit të Kryeministrit sot.
1. Kryeministri i shikon vartësit si minj dhe qeveria dhe administrata është thjesht një grumbull minjsh. Dikush duhet ti tregoje Kryeministrit që minjtë nuk rrinë në vende të pastra se ngordhin për bukë.
2. Kryeministri e ndjen veten në rrethim në një kështjellë dhe dikush po tenton t’i helmojë ujin. Është kuriozitet normal të zbulohet kush do jete kali i bardhë që do gjeje ujësjellësin, sipas romanit të Kadaresë, por krahasimi i qeverisë me një kështjellë, fortifikata, ushtarë, agjent, armiq luftë tregon shumë për mentalitetin e Kryeministrit përtej pallavrave bajate për bashkëqeverisje, podcaste trendy etj.
3. Kryeministri i ekzekutivit nuk mburret dot me rezultatet e ekzekutivit, por mburret me rezultatet e gjyqësorit. Mund të ishte mburrur dhe me rezultatet e Interit në kampionat, ishte e njëjta gjë.
4. Kryeministri kreu i ekzekutivit nuk di gjë për vjedhjet,por çuditërisht opozita që nuk ka lidhje fare me ekzekutivin i di te gjitha. Logjikisht i bie që mbase duhet opozitë në krye të vendit. Minimumi opozita do dije se çfarë ndodh brenda ekzekutivit. Një hap i vogël por pozitiv në krahasim me ku jemi.
Nuk e di kush ia bën së fundi fjalimet Kryeministrit por kishte aq shumë fiasko logjikë sa alternativat mund të jenë dy. Ose është intoksikuar totalisht e nuk di çfarë thotë, ose e di që populli prapë do e votojë e nuk ia ndjen për budalliqet që lëshon nga goja, mjafton që të mbushë kohë televizive.
Continue Reading

Shkrime

Belbëzimi jargavitës i Mesias Aleksandër Vuçiç

Nga Boshko Jakshiç

I pushtuar nga zemërimi se nuk është në gjendje të pengojë hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, presidenti Aleksander Vuçiç njoftoi “ndryshime të thella dhe thelbësore” në politikën e jashtme të Serbisë dhe drejtimi i kthesës lë të kuptohet për një largim të ri nga bota demokratike.
Pse presidenti hyn me kaq zemër në beteja diplomatike që dihet paraprakisht se janë të humbura, siç është edhe rasti me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme për gjenocidin në Srebrenicë? Që ai të shpenzojë energji, është puna e tij, por përballja me botën që Serbia nominalisht aspiron është një zgjedhje e rrezikshme që kërcënon zhytjen edhe më thellë të Serbisë në izolim dhe kërcim drejt përqafimit me Nënën Rusi.
Unë mendoj se presidenti e di që zemërimi i shprehur publikisht është aleati më i keq në diplomaci, por ai nuk rri dot pa u marrë me armiqtë e këqij që ai si rregull i sheh në Perëndim. Egoja e tij e shfrenuar e shtyu atë të nxitonte drejt kryesueses të seancës së Këshillit të Sigurimit kushtuar diskutimit të punës gjashtëmujore të UNMIK-ut në Kosovë.
Vuçiç tha atje se nuk ka pasur asnjë marrëveshje paraprake sipas së cilës ai dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kanë pasur nga tre minuta kohë për përgjigje. Maltezja Vanessa Fraser nuk e mbylli gojën me përulësi, gjë që pritej nga presidenti serb, i cili është mësuar që askush të mos guxojë të ndërpresë monologjet e tij të gjata në televizionin kombëtar në Serbi. Ajo ngriti zërin, përdori disa herë grushtin mbi tavolinë dhe e bëri të qartë se nuk do lejonte që zëvendësi i saj të paraqitej si gënjeshtar.

“Unë vetëm…” belbëzoi Vuçiç. “Faleminderit, zoti President, keni tre minuta kohë”, përfundoi Fraser episodin nga seanca ku Vuçiç “ka dhënë një mësim mbi dinjitetin njerëzor”, siç interpretohet nga besnikët e tij dhe ish “ish” Aleksandër Vulin gjithnjë e më i zëshëm, në pritje të riaktivizimit në qeveri me ndihmën e Moskës.
Vuçiçi, i cili thotë se nuk është profet, por vetëm dëgjon faktet, ka marrë një mësim të mirë.

Ne kemi qenë dëshmitarë të dy fiaskove diplomatike në një periudhë shumë të shkurtër kohe. Votimi i parë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kur Kosova hapi derën e anëtarësimit të plotë në organizatën më të rëndësishme evropiane për promovimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e demokracisë. Vuçiç pret që të gjithë të tjerët të udhëhiqen nga emocionet që ai ka ndaj Rusisë. Nëse e duan Serbinë, do jenë me ne, edhe nëse kjo është kundër interesave të grekëve, maqedonasve të veriut apo malazezëve. Një verbëri e tillë kthehet shpejt në hakmarrje.

Debakli i dytë do të pasojë në maj në Kombet e Bashkuara, kur shumica e 193 anëtarëve pritet të mbështesin një rezolutë që shpall 11 korrikun si ditën ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të kryer nga forcat serbe të Bosnjës në vitin 1995 në Srebrenicë, kur 8000 të paarmatosur, burra dhe djem boshnjakë u vranë dhe 30,000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan nga zona e atëhershme e mbrojtur e OKB-së.

Bota nuk e ka harruar Srebrenicën, por shumë në Serbi do ta fshinin gjenocidin nën qilim dhe do t’i thërrisnin liderit i cili, si pjesë e ekipit të Vojislav Sheshel, tërhoqi kufijtë rreth Kroacisë, kërcënoi se do të vriste njëqind boshnjakë për një serb të vrarë, pastaj u end mbi Sarajevë me një pistoletë 12.7 mm, teksa ishte ministër i Informacionit në kohën e Slobodan Milloshevicit dhe më vonë Bulevardin e Beogradit e emëroi me emrin e Ratko Mlladić.

Përsa i përket Vuçicit, rasti I Srebrenicës mund të jetë një “krim i tmerrshëm”, por jo gjenocid. Prandaj po shpalli luftë edhe në këtë front. Kundër çfarë? Kundër vendimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, organ i sistemit të OKB-së, i cili pa mëdyshje konfirmoi se në Srebrenicë ndodhi gjenocidi?

Në Nju Jork, në një pritje për përfaqësuesit e misioneve të huaja në OKB, Vuçic u bëri thirrje anëtarëve që të mos votojnë për rezolutën për Srebrenicën.

Në Misionin e Serbisë në OKB është formuar një staf special që merret me rezolutën 24 orë në ditë. Ivica Daçic shpalli gjendjen e jashtëzakonshme diplomatike dhe ndaloi pushimet për punonjësit e ambasadave dhe konsullatave.

Kështu ishte edhe në fillim të prillit, kur u krijua një grup punues për të penguar hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës. Rezultati në Strasburg – zero. Kështu do të jetë edhe me rezolutën në Nju Jork. E pritshme, pasi gjithçka bazohet në premisa false.

Rezoluta nuk përmend askund Serbinë, Republikën Srpska apo popullin serb, por presidenti përsërit me këmbëngulje se qëllimi është të etiketojë serbët si komb gjenocidal, Republika Srpska si një krijim gjenocidal që duhet shfuqizuar dhe se Serbia duhet të paguajë reparacionet  e luftës. Ai gjithashtu thotë se rezoluta do të sjellë tensione të reja në rajon. Përhapje manipuluese e frikës. Teori konspirative që nuk ka bazë në të drejtën ndërkombëtare e cila shprehimisht thotë se nuk ka gjë të tillë si faji kolektiv.

“Askush nuk po e demonizon Republikën Srpska dhe nuk po flet për përgjegjësinë kolektive të Republikës Srpska apo popullit serb” – thuhet qartë në deklaratën e përbashkët të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, Ambasadës së SHBA-së dhe Zyrës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunimi në Evropë në Bosnje Hercegovinë nga viti 2018.

Vuçic nuk është i gatshëm të pranojë që mohimi i gjenocidit i regjistruar në aktgjykimin e Gjykatës së Hagës dhe refuzimi i rezolutës së OKB-së e largojnë atë nga pajtimi dhe jo anasjelltas. Ai vazhdon të luftojë betejat që I promovoi vetë, por ka llogaritë e veta të hapura.

Ai do të paraqitet si një luftëtar i palëkundur dhe i patrembur për mbrojtjen e vendit por dhe duket si një gjemb nëpër këmbë për gjysmën e mirë të botës. Ai do të forcojë vlerësimin e tij midis atyre që i dëgjojnë fjalët e tij sikur të ishin thënë nga Papa i pagabueshëm i Romës. Ai do të bëjë gjithçka për të zgjeruar sundimin e tij.
Kushdo që mendon se Srebrenica, Kosova në Këshillin e Evropës apo marrëdhëniet e mira në rajon i interesojnë shumë, gabohet.

Emocionaliteti i tij i përzemërt është një funksion i pragmatizmit të ashpër. Vuçic e di se zemërimi hakmarrës nuk është kurrë një aleat i mirë në politikën e jashtme, por ai është gjithashtu i vetëdijshëm se sa fitimprurës mund të jetë ky zemërim për marketingun e tij personal. Ai do të vazhdojë ta shtyjë Serbinë në izolim sepse do ta ketë më të lehtë të arrijë misionin e tij mesian në tokë.

 

 

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING