Connect with us

Aktualitet

Montimi i mbikalimit të ri/ ARRSH njofton drejtuesit: Nesër dhe pasnesër do të ketë devijim

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar për një kufizim të përkohshëm të qarkullimit në autostradën Tiranë-Durrës, për shkak të punimeve për ndërtimin e mbikalimit të ri në Kashar.

Ndërhyrja do të zhvillohet më 14 dhe 15 gusht, nga ora 23:00 deri në 05:00, gjatë intervalit kur do të montohet struktura metalike e mbikalimit. Për garantimin e sigurisë gjatë punimeve, dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Tiranë-Durrës do të mbyllen përkohësisht.

Gjatë këtyre orareve, automjetet që udhëtojnë drejt Durrësit do të devijohen në dy korsitë e anës së majtë të autostradës, të cilat do të përdoren përkohësisht për qarkullim në të dyja drejtimet.

Sipas ARRSH-së, automjetet që kanë destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës do të vijojnë lëvizjen pa pengesa.

Autoriteti Rrugor Shqiptar u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës që të tregojnë kujdes dhe mirëkuptim gjatë zbatimit të masave të përkohshme të menaxhimit të trafikut.

Advertisement