Aktualitet
Morën peng punonjësit e tatimeve/ Dalin emrat e administratorit dhe katër punonjësve të “Prestige Resort”
Pesë persona, mes tyre administratori dhe katër punonjës të “Prestige Resort” në Golem, janë arrestuar nga Policia pasi dyshohet se kanë mbajtur të mbyllur për një kohë të konsiderueshme punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët ndodheshin në resort për ushtrimin e detyrës.
Në pranga kanë rënë administratori Sajmir Ndrecaj, shefi i financës Zaho Jaçaj, shefi i sigurisë Artan Kasa, si dhe dy punonjësit e sigurisë Hamid Sula dhe Bujar Agolli. Ngjarja ka ndodhur paraditen e 18 korrikut, kur inspektorët e Tatimeve ishin paraqitur në resort në kuadër të një plani kontrolli që përfshinte disa subjekte ekonomike.
Sipas burimeve nga Policia e Durrësit, grupi i inspektorëve po kryente verifikime mbi aktivitetin ekonomik të subjektit dhe dokumentacionin financiar, me fokus shlyerjen e detyrimeve tatimore. Gjatë kontrollit, ata dyshohet se janë futur në një zyrë nga drejtuesit e resortit dhe më pas janë mbyllur brenda për rreth një orë, pa mundur të dalin. Në këto kushte, punonjësit e Tatimeve kanë arritur të njoftojnë Policinë, e cila ka ndërhyrë dhe ka bërë të mundur lirimin e tyre.
Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se pesë të arrestuarit dyshohen për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin penguan dhe mbajtën të izoluar punonjësit e Task Forcës së Tatimeve gjatë ushtrimit të detyrës. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.