Connect with us

Aktualitet

Morën peng punonjësit e Tatimeve në ambientet e resortit, në pranga 5 persona në Golem

Pesë persona janë vënë në pranga sot në 19 korrik, pasi dyshohet se kanë mbajtur të bllokuar për një kohë të konsiderueshme disa punonjës të Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve brenda ambienteve të një resorti në Golem.

Ngjarja është regjistruar dje më 18 korrik, gjatë kohës kur punonjësit e Tatimeve po kryenin kontrolle në kuadër të detyrës së tyre. Sipas policisë, të arrestuarit dyshohet se kanë penguar lëvizjen e punonjësve shtetërorë dhe i kanë mbajtur ata të mbyllur brenda resortit.

Në pranga kanë rënë administratori i resortit, shefi i financës, shefi i sigurisë dhe dy punonjës sigurie. Arrestimet janë kryer nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, pas kallëzimit të bërë nga punonjësit e Tatimeve.

Për të pesë personat rëndon akuza për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”. Materialet hetimore janë dërguar në Prokurori për vijimin e procedurave.

Njoftimi i policisë:

Mbajtën të mbyllur, për një kohë të konsiderueshme, brenda ambienteve të një resorti në Golem, punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, vihen në pranga administratori dhe 4 punonjës të tjerë të resortit.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, pas kallëzimit të bërë nga punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, shtetasit:

S. N., 34 vjeç, administrator i resortit;

Z. J., 56 vjeç, shef finance në resort;

A. K., 56 vjeç, shef i sigurisë së resortit;

H. S., 64 vjeç, punonjës i sigurisë së resortit;

B. A., 57 vjeç, punonjës i sigurisë së resortit.

Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 18.07.2026, kanë penguar dhe kanë mbajtur të mbyllur, për një kohë të konsiderueshme, brenda ambienteve të një resorti në Golem, punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët ishin duke ushtruar detyrën. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Advertisement