Connect with us

Aktualitet

“Mos klikoni”/ Alarmi për faqet false që imitojnë e-Albania, AKSK paralajmëron qytetarët

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka paralajmëruar qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve në rrjetet sociale. Sipas njoftimit, një link i shpërndarë në Facebook imiton platformën zyrtare e-Albania me qëllim vjedhjen e të dhënave personale.

Në një postim në Facebook, AKSK bën me dije se, pas identifikimit të rastit, ka ndërmarrë masat përkatëse dhe, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, domain-et dhe adresat IP të përdorura në këtë aktivitet keqdashës janë dërguar për bllokim pranë AKEP.

Ndërkohë, qytetarëve u bëhet thirrje të mos klikojnë linke apo të dhëna të dyshimta në rrjetet sociale ose aplikacionet e komunikimit.

Njoftimi i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike:

Kujdes nga faqet false që imitojnë institucionet zyrtare!

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike është njoftuar për një rast phishing të shpërndarë përmes rrjeteve sociale, kryesisht në Facebook, ku përdoruesit ridrejtohen në një faqe që imiton platformën zyrtare e-Albania me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe kredencialeve të aksesit.

Menjëherë pas identifikimit të rastit, AKSK ka ndërmarrë masat përkatëse dhe, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, domain-et dhe adresat IP të përdorura në këtë aktivitet keqdashës janë dërguar për bllokim pranë AKEP.

BËNI KUJDES!

Mos klikoni në linke të dyshimta që ju vijnë në rrjetet sociale apo aplikacione komunikimi.

Mos vendosni të dhënat tuaja personale apo bankare në faqe të paverifikuara.

Verifikoni gjithmonë adresën zyrtare të platformave përpara se të identifikoheni.

Platforma zyrtare e e-Albania aksesohet vetëm përmes adresave zyrtare institucionale.

Sulmet phishing synojnë të mashtrojnë qytetarët përmes imitimit të faqeve të njohura dhe kërkojnë vigjilencë të shtuar nga çdo përdorues online.

Advertisement