Connect with us

Aktualitet

Moti i keq/ Situatë e rënduar në të gjithë vendin, përmbytje në Tiranë e Durrës

Reshje të shumta shiu kanë përfshirë vendin tonë që prej orëve të para të mëngjesit, duke krijuar kështu edhe problematikat e para. Në qarkun e Lezhës për shkak të reshjeve është fryrë Përroi i Zmejës në Rrëshen dhe rrezikohet përmbytja e disa banesave Në Tiranë reshjet e shiut kanë nisur me intensitet që orët e para të mëngjesit. Për pasojë disa rrugë janë të mbushura me ujë, ndërsa niveli Lanës është rritur në zonën e Pallatit me Shigjeta. Në Durrës ka prani të madhe të ujit pranë stadiumit të futbollit ‘Niko Dovana’ dhe te rruga ‘Egnatia’ që të çon në Currila. Për shkak të reshjeve të shumta të shiut, përroi i Zmejës është fryrë dhe rrezikohet përmbytja e disa banesave. Gjatë gjithë ditës së sotme meteorologët kanë parashikuar që të ketë stuhi shiu dhe breshër. Në darkë pritet që të ulet intensiteti i reshjeve. Ditën e Mërkurë vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me alternime vranësirash të cilat do të pasohen me reshje shiu me intensitet mesatar e lokalisht deri të lartë fillimisht në veriperëndim e më pas lokalisht përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe në jug të vendit. Reshjet do të jenë të herëpashershme  dhe do të shtrihen në të gjithë territorin në formën e rrebesheve të shpejta e stuhive më shkarkesa të forta elektrike e breshër. Gjatë orëve të mbrëmjes reshjet do të ulin intensitetin dhe do të jenë në formën e shtrëngatave afatshkurtra. Era do të fryjë me drejtim veriperëndim-jugperëndim me shpejtësi mesatare 1-8 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetarë era fiton shpejtësi 10-14 m/s shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-3 ballë. Temperaturat parashikohen: në zonat malore 9 deri 16 °C në zonat e ulëta 9 deri 20°C në zonat bregdetare 13 deri 22 °C.

Aktualitet

Vdekjet e mistershme në Shqipëri, dëshmia: Nga këngëtarja Anita Bitri dhe familjarët e saj në SHBA, te katër turistët rusë në Qerret të Kavajës

Bardhyl Çipi, një nga specialistët më me përvojë në vendin tonë në fushën e Mjekësisë Ligjore dhe Bioetikës, mësimdhënies së tyre dhe përgatitjes së ekspertëve të rinj mjeko-ligjorë.

Disa nga pacientët e tij, janë: viktima që u vranë në kufi për të shpëtuar nga diktatura komuniste, por i ndihmuar nga qeni i tij besnik, për zbulimin e kufomës së tij të fshehur, gruaja e internuar që vrau veten nga dëshpërimi, qytetarët e Kosovës të vrarë nga serbët, sepse kërkonin të jetonin të lirë, për të mos u poshtëruar dhe torturuar prej tyre, banorët që kanë jetuar 1500 vjet më parë në Shqipëri, profesori i universitetit të Tiranës i grabitur dhe i vrarë, etj.

Një libër mbi vdekjen dhe provat shkencore për zbulimin e llojeve të ndryshme të saj: vrasje, vetëvrasje, të stimuluara dhe të detyruara nga regjimi komunist, vrasje dhe gjenocide ndaj Shqiptarëve nga fqinjët e tyre, kufoma të freskëta apo të dekompozuara dhe të skeletizuara.

Dokumentet e vdekjeve të personave të shquar; Kenedit, Linkolnit, Napolonit, Leninit, Trockit, etj., dhe ngjarje të tjera të vdekjeve të njerëzve të zakonshëm. Njohuri mbi ndryshimet që ndodhin pas vdekjes dhe ekzaminimit të kufomave në botë dhe në vendin tonë, nga pikëpamja historike, etike, mjekoligjore, juridike.

Disa nga librat e tij të fundit janë; “Manuali i Mjekësisë Ligjore” (2015), “Bioethics in Albania noëadays” (2016), “Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore” (2018), “Mjekësia Ligjore Kriminalistika” (2020).

Vdekjet e Anita Bitrit dhe katër turistëve rusë në Shqipëri

Edhe në vendin tonë ka pasur mjaft raste vdekjesh nga oksidi i karbonit, me një pjesë të të cilave jam ndeshur edhe unë gjatë ushtrimit për një kohë shumë të gjatë, të profesionit të mjekësisë ligjore.

Por ajo që m’u kujtua në fillim ka qenë vdekja e këngëtares së njohur shqiptare, Anita Bitri, së bashku me nënën dhe vajzën e saj, më 19 tetor 2004, në Staten Island të Nju Jorkut.

Nga ekzaminimet mjeko-ligjore dhe toksikologjike, si dhe shqyrtimi i të dhënave hetimore dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes, ajo u konsiderua si një rast i ndodhur për shkak të bllokimit të tubit të shkarkimit të monoksidit të karbonit (CO) të kaldajës së sistemit të ngrohjes, nga ana e punëtorëve gjatë ndërtimit të një ballkoni, në pjesën anësore të shtëpisë ku banonin viktimat.

Si pasojë e këtij bllokimi, ato u helmuan nga gazi vdekjeprurës i oksidit të karbonit, që kishte mbushur mjedisin e brendshëm të shtëpisë, nga bojleri që ndezi vetë viktima një natë më parë, për t’u ngrohur, sepse koha ishte ftohur shumë.

Rasti u konsiderua aksidental dhe nuk u shoqërua me ndjekje penale të ndonjë personi.

Rasti i vdekjes së katër turistëve rusë në Shqipëri

Po ngjarja më e rëndë e helmimit vdekjeprurës nga monoksidi i karbonit që ka ndodhur në vendin tonë, padyshim ka qenë ajo e vdekjes së katër turistëve rusë, më datën 15 tetor 2021, në një hotel të fshatit Qerret, të rrethit të Kavajës, për të cilën, një muaj e gjysmë më vonë, në një intervistë telefonike, gjatë një emisioni televiz të gazetares së njohur Klodiana Lala, unë shpjegova aspektet mjekoligjore të këtij rasti tragjik, me katër vdekje.

Kjo bisedë televizive, ndofta e bë shkaku që më shtyu që unë t’i shqyrtoj me më shumë kujdes të gjitha rrethanat, të dhënat hetimore, toksikologjike, mjeko-ligjore të këtyre vdekjeve, të paraqitura në mediat visive dhe shtypin e vendit tonë, duke u mbështetur edhe në përvojën time dhe literaturën e pasur përkatëse.

Madje për t’i plotësuar sa më shumë këto të dhëna, unë u takova edhe me prokurorin, që më tregoi edhe dosjen penale të kësaj ?ështjeje, në lidhje me aspektet mjeko-ligjore të saj.

Sipas dosjes së prokurorisë rezulton se; më 15.10.2021, ora 22.10, është marrë njoftimi se në Qerret, Golem Kavajë, në Hotel “Gloria Palace”, në ambientet e SPA-së, janë gjendur katër persona pa shenja jete, që rezultuan të ishin të katër shtetasve rusë: dy prindër, vajza dhe dhëndëri i tyre.

Itinerari i lëvizjeve deri në vdekjen e tyre ka qenë pak a shumë ky:

Viktimat kanë qenë akomoduar në këtë hotel, që më datën 10 tetor 2021. Pas disa ditëve të qëndrimit në hotel, më 15.10.2021, kanë udhëtuar drejt Maqedonisë së Veriut dhe në orën 10.07 kanë kaluar kufirin e Qafës së Thanës; Atje ata janë ushqyer dhe po atë ditë, në orën 17.07, kanë hyrë përsëri në Shqipëri, nga pika kufitare e Tushemishtit. Janë ndalur vetëm në Librazhd, ku janë ushqyer përsëri. Në orën 20.00, janë kthyer në hotel ku kishin prenotuar ambientet e SPA-së, që një ditë më parë, dhe kanë porositur për disa ushqime, që të çoheshin në dhomat e tyre. Ata janë gjetur të vdekur në ambientet e SPA-së nga personeli i hotelit.

Pas njoftimit nga hoteli, u krye menjëherë, nga grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit, këqyrja e vendit të ngjarjes. Kufomat u gjetën në katin përdhe (kati 0) të godinës së hotelit, ku në anën veriore të këtij kati, ndodhet zona e pishinës së ngrohtë dhe SPA-së. Të vendosur në një ambient me përmasa 22.2 -8.4 m., në qendër të të cilit ndodhet pishina, me përmasa 11.5 x 6.5 m., me volum 60 muji.

Në skajin veri perëndimor të këtij ambienti, gjendet e vendosur, sauna e cila në momentin e këqyrjes, rezulton në punë dhe në pultin e saj, lexohet shënimi elektronik 19.14 dhe temperature 63 gradë celsius. Përreth perimetrit të pishinës, gjenden të vendosura radhazi shezllone plastike, me ngjyrë të bardhë.

Në cepin veri-lindor të pishinës, pranë shezlongut të parë në radhë, përdhe, gjendet e shtrirë në mënyrë të ?rregullt, kufoma e një shtetasi mashkull, i identifikuar më pas si ajo e shtetasit S. B.

Në anën lindore të pishinës, në mesin e gjatësisë së saj, gjenden pranë njëra-tjetrës, dy kufoma të tjera, një mashkull dhe një femër, e identifikuar si N. B. dhe N. B. dhe këto dy kufoma, të shtrira në gjendje të çrregullt. Në anën perëndimore të pishinës, në shezllongun e mesit, gjendet e shtrirë dhe pa asnjë shenjë jete, kufoma e shtetases E B.

Nga këqyrja e jashtme e kufomave, tek asnjëra prej tyre nuk u vërejtën dëmtime të jashtme trupore (shenja dhune).

Nga ambienti i vendit të ngjarjes u morën në cilësinë e provave materiale, dy telefona celularë të viktimave dhe veshjet e përdorura prej tyre. Në vijim nga uji i pishinës, u morën konform procedurave standarde, për ekzaminim të mëtejshëm laboratorik, dy kampione uji, të ndarë nga njëri-tjetri, një për ekzaminim me volum 1000 ml. dhe një për ruajtje, volum 100 ml.

Gjithashtu u morën për ekzaminim të mëtejshëm edhe dy kampionë pluhur, në dukje si klor që përdoret për dezinfektimin dhe përpunimin e ujit të pishinës; kampionët e klorit u morën të ndara në masën nga 100 ml. secila, një për analiza dhe tjetra për ruajtje. Gjithashtu nga dhomat në të cilat ishin akomoduar viktimat, u morën për ekzaminime të mëtejshme produktet ushqimore dhe mbetjet e tyre, me qëllim që ato të ekzaminoheshin.

Ditën tjetër, më 16.10.2021, u krye autopsia e katër viktimave. Në ekzaminimet mjeko-ligjore të tyre u vunë re shenjat karakteristike të vdekjeve asfiktike, si dhe ngjyra e kuqe e çelur e indeve, në të katrë viktimat. Këto të dhëna, jepen në aktet përkatëse mjeko-ligjore, të shoqëruara me analizat toksikologjike, që rezultuan që gjaku i tyre, përmbante onoksid karboni, në shifrat 75 – 80 %.

Rezultatet mjeko-ligjore të këtyre katër vdekjeve, u shpallën kur kishte kaluar më shumë se një muaj, nga ndodhja e kësaj ngjarjeje tragjike. Kështu që gjatë muajit të parë pas këtyre vdekjeve, u dyshua më shumë për një helmim nga klori, ose avujt e tij, një helmim ushqimor, apo biologjik, etj.

Mjaft kohë më pas, është kryer edhe një eksperiment hetimor në të njëjtat kushte që ka ndodhur ngjarja, për të përcaktuar, nëse CO në ajër ka ardhur si pasojë e keqfunksionimit të kaldajës në hotel dhe mungesës së sistemit siç duhet të ventilimit, apo për arsye të tjera. Nga kryerja e tij, nuk u arrit ndonjë rezultat.

Pikërisht, në intervistën e dhënë prej meje, në dhjetor të vitit 2021, unë shpjegova, midis të tjerave:

Monoksidi i karbonit (CO), i dalë në rezultatet e ekspertizës është një nga helmet më të rrezikshme dhe në momentin që ai lidhet me hemoglobinën, bëhet vdekjeprurës. Vdekja e tyre ka ndodhur për arsye se problemi në kaldaja, duhet të jetë shumë i rëndë, që vdiqën të katër bashkë. Monoksidi i karbonit është një gaz pa erë e peshë sa të ajrit dhe formohet kur ka djegie. Ai konsiderohet një nga helmet më të rrezikshme dhe më të përhapura. Ka si veti që të lidhet, me hemoglobinën e gjakut.

Në rastet kur futet monoksidi në trup, nëpërmjet frymëmarrjes, ai lidhet me hemoglobinën e rruazave të kuqe të gjakut, dhe kjo lidhje me të, është 250 herë më e fuqishme se ajo me oksigjenin. Varet nga sasia e gazit të oksidit të karbonit, në vendin ku ndodhet njeriu. Oksigjeni zëvendësohet me këtë gaz dhe shfaqen shenjat e helmimit, me dhimbje koke, marrje mendsh. Ka edhe një lloj euforie, e ngjashme me dehjen. Pastaj kalohet në fazën e dytë, ku njeriu ka pamundësi në të lëvizur, pastaj bie në koma dhe vdes.

Në rastin konkret, fakti që këta katër viktima të gjetura të vdekura në të njëjtën ambient, gjaku i të cilave përmbante CO në sasi shumë të lartë, e vërteton në mënyrë të saktë; që vdekja e tyre ka ardhur nga helmimi, me oksid karboni.

Viktimat në këto vdekje, paraqiten me një ngjyrë të të kuqe të çelur të trupit të tyre, e ngjashme me atë njeriut të gjallë, siç u gjetën edhe në këtë ngjarje.

Në momentin kur kanë hyrë punonjësit, ambienti është pastruar. Këtu është diçka që duhet parë me kujdes, fakti që këta vdiqën të katërt, tregon se mundësia për një defekt në kaldajë, të jetë shumë e madhe”.

Në të vërtetë, arsyeja kryesore, që unë po e bëj përsëri këtë analizë mjaft të hollësishme të këtij rasti, është se kjo ngjarje e rëndë vdekjeprurëse, kur ka kaluar një kohë e gjatë, vazhdon të mbetet ende e pazbuluar, në lidhje me rrethanat dhe shkakun e këtij helmimi.

Në fillim unë dua të theksoj punën e ekipit të ekspertimit të Institutit të Mjekësisë, pjesë e të cilit kam qenë edhe unë mjaft vite më parë, i cili arriti të përcaktojë me saktësi, si shkaktar të këtyre katër vdekjeve: helmimin nga CO (oksidi i karbonit).

Përveç kësaj, unë po përmend edhe të dhënat e literaturës së huaj, sipas të cilës, vdekjet nga helmimi me CO, të ndodhura në mjediset e mbyllura të pishinave dhe saunave të hoteleve, kanë ndodhur në mjaft raste në SHBA-ës, për shkak të defekteve të pajisjeve ngrohëse dhe atyre të ventilimit, të mjediseve të mbyllura të këtyre pishinave.

Por cilat janë të metat, që mund të kenë ndikuar negativisht në mos zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje ,në fshatin Qerret të Kavajës?

– Së pari, për këtë rast tragjik, u mendua menjëherë në fillim, për vdekje të ndodhura kryesisht nga helmimi me klor, ose avujt e tij, helmim ushqimor, ose biologjik, etj. Kështu, me aq sa kam arritur të verifikoj, nga të dhënat e marra prej meje në Prokurorinë e Kavajës dhe atyre paraqitura në shtyp, në këqyrjen e vendit të ngjarjes, menjëherë pas ndodhjes së saj, nuk rezulton të jenë parë dhe kontrolluar instalimet, për ngrohjen e mjediseve të brendshme të pishinës dhe saunës të hotelit: kaldaja ngrohëse e instaluar përjashta hotelit, me tubacionet e saj, sistemi i ventilimit, etj.

– Së dyti, ka një vonesë të pashpjegueshme, mbi një muaj, në shpalljen e rezultateve të plota të autopsive të viktimave, që përmbajnë edhe ekzaminimet toksikologjike përkatëse, për zbulimin e shkaktarit të vërtetë të këtij helmimi të rëndë, ndërkohë që rezultatet e ekzaminimeve toksikologjike, të vdekjes të shkrimtarit Francez Emil Zola, i kryer 120 vite më parë, e kanë zbuluar dhe shpallur në shtyp këtë helmim, shumë shpejt, vetëm 2-3 ditë, pas vdekjes së tij.

Ndërsa në rastin e vdekjes së katër turistëve rusë, gjatë kësaj periudhe mbi një-mujore, u kërkua kryesisht për helmim nga klori dhe avujt tij. Më vjen keq, ta deklaroj konstatimin e këtyre të metave, që kanë ndikuar padyshim në mos zbulimin e plotë të kësaj ngjarjeje, të cilat mund të kenë ndodhur, për arsye të ndryshme.

Unë po i shpall ato, sepse ky është një rast i rëndë, me katër jetë njerëzore të humbura, për të cilat mjekësia ligjore, një shkencë e vënë në shërbim të interesit kolektiv dhe drejtësisë shoqërore, së bashku me organet përkatëse të drejtësisë, kanë detyrimin, që t’i sqarojnë këto vdekje, në të gjitha detajet e tyre. Për fat të keq, për këtë ngjarje tragjike, Prokuroria e vendit tonë, ka pezulluar hetimet e mëtejshme.

Continue Reading

Aktualitet

Banesat e dy personazheve të ekranit u kontrolluan nga SPAK, hetuesit janë llahtarisur nga ato që kanë parë

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço tregoi se së fundmi janë kontrolluar nga SPAK banesat e dy personazheve të ekranit, ku i janë sekuestruar telefona dhe pajisje të tjera komunikimi.

Karamuço tha i ftuar mbrëmjen e djeshme në “Top Story” se disa politikanë të lartë janë nën hetim për transaksionet dhe pasuritë që ata zotërojnë.

Karamuço: Meqë jemi tek korrupsioni, aktualisht është duke u zhvilluar një kontroll i madh në disa banesa në Tiranë nga ana e SPAK-ut.

Dy prej tyre i përkasin njerëzve që ne i njohim në ekranet tona. Njërit prej tyre dje në njërën prej shtëpive i janë bllokuar celularë dhe pajisje të tjera të komunikimit.

Grida Duma: Si i njohim në ekranet tona, në çfarë kuptimi?

Karamuço: Janë njerëz të ekranit që dyshohet se janë të lidhur me politikanë shumë të lartë të vendit dhe mendohet që mund të jenë bërë bashkëpunëtorë për pastrimin e produkteve të veprave penale.

Ndërkohë është edhe një grua e moshuar e cila po hetohet si latifondistja më e madhe e rrethinave të Tiranës mbas Toptanësve, por e viteve të fundit që ka toka pafund deri në Rinas.

Grida Duma: Për çfarë hetohet?

Karamuço: Për pastrim të produkteve të veprës penale edhe ajo, transaksione dhe asete në emrin e saj.

Grida Duma: Kur shfaqet për publikun kjo e dhënë se cilët po hetohen me emra?

Karamuço: Janë politikanë të lartë që tani po hetohen dhe janë në fazën e fundit të asaj që ne i themi hinka për të dalë në konkluzione. Vijnë pafund kartela pasurie që shikohen transaksione të reja dhe është një çmenduri.

Ata aty janë llahtarisur nga gjërat që po ju vijnë në burime të ndryshme, nga institucionet shqiptare, lidhur me pasuritë se si janë ngurtësuar, transferuar dhe pastaj janë munduar të fshihen gjurmët.

Continue Reading

Aktualitet

Strategjia e përbashkët e Veliajt me kryeministrin është një kurth për opozitën

Analisti Lorenc Vangjeli sheh Erion Veliaj si fitues në sytë e Opinionit public në përballjen e tij me Berishën dhe Metën. Duke folur në emisionin “Opinion”, Vangjeli tha se strategjia e Veliajt është një kurth i përbashkët mes kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë, për ta tërhequr kundërshtarin e tyre politik dhe atje ku ata zakonisht fitojnë.

“Qëllimi i zotit Veliaj ishte befasues. Nisur nga ajo që pamë ai ka bërë atë që duhej për mbështetësit e tij dhe për të nisur luftën politike nga dyert e SPAK. Strategjia e tij është një kurth i përbashkët mes kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë, për ta tërhequr kundërshtarin e tyre politik dhe atje ku ata zakonisht fitojnë. I gjithë thelbi i kësaj strategjie qëndron tek e bëra e kontrastit mes gjuhës së Berishës dhe Metës për SPAK dhe gjuhës së Veliajt duke i quajtur kolegë dhe bashkëpunues. Duke i thënë publikut atë që do të dëgjojë, Erion Veliaj fiton betejën me publikun…. Të gjithë ata që ai sulmon, përfshi edhe kolegët tanë, njerëzit do thoshin – “He mo se edhe këta njësoj janë”. Dhe kjo është një gjetje inteligjente. Ka zgjedhur që në këtë mënyrë të bëjë numrin 2 të PS dhe të bëjë gardhin e mbrojtjes për PS dhe për Edi Ramën”, deklaroi Vangjeli.

 

Continue Reading

Aktualitet

Kronikë e një arrestimi të paralajmëruar

Nga Lutfi Dervishi

Në ditën kur supozohej ta arrestonin, ai u zgjua në orën 5:30 të mëngjesit dhe bëri një vrap të lehtë në të njëjtën shteg të parkut të liqenit ku kishte nisur prej javësh ushtrimet fizike, veçse atë ditë ajri dukej më i ngarkuar, a thua se ishte mbushur me pëshpëritje e thashetheme për një ngarje të madhe që pritej të ndodhte.

Për javë e muaj me radhë, që nga gushti i vitit të shkuar, kryeqyteti nuk ishte bllokuar nga trafiku, por nga parashikimet e analistëve, gazetarëve dhe komentatorëve politikë, të cilët paralajmëronin me një siguri profetike dhe kënaqësi që nuk e fshihnin dot se Ai, një politikan jo pa ndikim, do të arrestohej së shpejti.

Një tufë të ftuarish dhe tuafësh televizivë nën regjinë e moderatorëve gjithnjë të habitur, flisnin sikur të kishin qenë prapa kurrizit të gjykatësit që kishte firmosur urdhërin e arrestit. Detajet shkonin deri aty sa jepej jo vetëm ora, dhe vendi, por edhe se si do të ndodhte arrestimi.

Kafetë, që zakonisht gumëzhinin nga zhurma e ekspresit ishin shndërruar në falltore. Kokat e klientëve lëviznin sa nga filxhanet e kafeve te ekranet e mëdhenj duke, pritur me stoicizëm rënien e njeriut që kishte ecur në korridoret e pushtetit për 30 vjet me lehtësinë e dikujt që besonte se ishte i paprekshëm. “Durim a derëzi. Është vetëm çështje kohe,” “Akuzat mund të jenë të dobta, por provat janë shumë të forta”..

Gazetat, që në këtë vend historikisht kanë thënë vetëm të vërtetën, edhe të shtunen dolën me tituj të mëdhenj për arrestimin. Drejtuesit e emisioneve të mengjesit lexonin titujt si skenat përfundimtare të një drame politike që pritej të ndodhte orë e çast. Titujt që lexoheshin nga televizionet në mëngjes i referoheshin bisedave të darkës në ekran ku shkëlqenin fytyrat serioze të analistëve që analizonin çdo lëvizje të kaluar të Atij si të ishte një gjurmë që zberthente enigmën që do të çonte në fundin e tij të pashmangshëm.

Por në rrugë, jeta vazhdonte me ritmin e saj të zakonshëm. Leku, monedha vendase kishte shtrirë përtokë dhe po i merrte frymën euros dhe dollarit. 30 mijë profesionistë të lirë po lexonin faturat e Tatimeve per fitimin e 2024. Paradhenie! Qeveria vijonte me numërimin e turisteve që vinin nga vendet e BE-se, ndërsa Eurostat numëronte shqiptarët që kërkonin azil në BE!

Dita zgjatej çdo ditë me minuta në kurriz të natës, ndërsa entuziazmi i mëngjesit zbehej nën peshën e diellit të pasdites. Por me rënien muzgut, rritej siguria e babavangave të banaqeve televizive.

Ndërkohë ai e mbylli ditën e ngjeshur me aktivitete fizike dhe postime në Facebook. Në orët e vona u pa në një kafe në qendër të Tiranës, duke qeshur me zë të lartë mbi një filxhan makiato. Njerëzit rreth e rrotull kishin porositur kafe turke, në një përpjekje për të lexuar fatin e tij.

Mbrëmja erdhi dhe shkoi, dhe asnjë sirenë nuk u dëgjua, përveç sirenave të ambulancave që pas djegies së urgjencës silleshin të çoroditura sa nga një spital në tjetrin. Drama nuk ndodhi.

Gazetarët e kronikës që prisnin me minuta ngjarjen e madhe befas u qetësuan si pëllumbat që çukisnin copa buke në sheshin e para Universitetit. Diçka nuk shkonte mire me burimet. Spektakli i pritur nuk ndodhi.

Ndërsa nata zbriti mbi Tiranë, një erë e freskët fëshfërinte përmes rrugëve, ndoshta si një ndjesë për stuhinë që kurrë nuk erdhi. Analistët nga istikamet e tyre në ekran i bënë thirrjen e radhës prokurorisë të mos luante me parashikimet e tyre, ndryshe do të përballeshin me zemërimin popullor.

Po afroheshin Pashkët dhe vendi (bashkë me njerëzit) e meritonte një shi (dush) të mirë.

Continue Reading

Aktualitet

Rënia e euros/ Këmbehet me 100 lekë, goditja më e madhe që nga korriku i vitit të kaluar

Që nga data 23 prill, 1 euro po këmbehet mesatarisht në nivelin e 100 lekëve. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se monedha evropiane është në pikën më të ulët në historikun e këmbimit që nga korriku i vitit të kaluar, atëherë kur ishte edhe piku i sezonit turistik.

Në atë periudhë Banka e Shqipërisë vendosi të ndërhyjë në treg duke rritur kufirin e blerjes së eurove si pjesë e operacioneve për të mbushur rezervat e saj valutore. Kjo solli menjëherë vlerësimin e së monedhës evropiane.

Por, pavarësisht faktit se Banka e Shqipërisë vendosi sërish ta mbajë të lartë kufirin e blerjes së monedhës evropiane gjatë këtij viti në 250 – 330 milionë euro, monedha kombëtare po shkon drejt thyerjes së barrierës psikologjike, ku 100 lek do të kushtojnë më shumë se 1 euro. Kjo po ndodh prej kohësh me dollarin, që vijon uljen në mënyrë të ndjeshme, aktualisht duke u këmbyer me 0.93 lek.

Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se leku i fortë ka ndihmuar në stabilizimin e inflacionit dhe çmimeve, duke marrë parasysh se dollari ndikon drejtpërdrejt tek çmimi i naftës dhe lëndëve të tjera të para, ndërsa euro tek importi i mallrave.

Në raportin e stabiliteti financiar për gjashtëmujorin e dytë Banka e Shqipërisë pranon se mbiçmimi i lekut është në përputhje të plotë me rritjen e konsiderueshme të prurjeve valutore nga turistët, ndërsa për herë të parë gjatë vitit të kaluar deficiti i llogarisë korrente ishte pozitiv; kjo do të thotë se më shumë euro mbetën në vend se dolën.

Ndërsa kjo po vijon edhe në tremujorin e parë të këtij viti ku më shumë se 1.5 milion turistë kanë ardhur në vend, me sezonalitetin e turizmi të shtrirë gjatë gjithë vitit.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING