Kronike
Murosi të dashurën shqiptare/ 48-vjeçari italian pranon për herë të parë vrasjen e saj
Personi i dënuar me 24 vite burg për vrasjen e Paulës, ish-të dashurës dhe nënës së djalit të tij në Torremolinos të Spanjës në vitin 2023, ka pranuar për herë të parë që nga arrestimi i tij po atë vit se më parë, në vitin 2014, vrau dhe murosi partneren e tij të mëparshme, Sibora Gagani, 22 vjeçe, në këtë bashki.
I pandehuri, Marco R., 48 vjeç dhe me shtetësi italiane, gjithmonë kishte pranuar se kishte vrarë Paulën, 28 vjeçe, por për krimin ndaj të resë italo-shqiptare Sibora Gagani ai pranonte vetëm se e kishte murosur trupin. Ai mohonte vdekjen e saj dhe pretendonte se “ishte një çështje shumë më komplekse”.
Gjatë gjithë hetimit ai, jo vetëm mohoi të ishte autori i krimit, por madje deklaroi se policia gënjente dhe se e kishte “shitur”, një version që nuk u besua kurrë nga hetuesit apo prokuroria. Prokuroria kërkon që ai të dënohet me 22 vite burg për vrasje me paramendim në kuadër të dhunës gjinore, me rrethanë rënduese lidhjen familjare, si dhe për një vepër kundër integritetit moral.
Marco R. do të gjykohet nga një juri popullore për vrasjen e Siborës, në një proces të ndarë nga ai për vdekjen e ish-partneres së tij Paula.
Në dokumentin e mbrojtjes së tij, të siguruar nga EFE, i pandehuri pranon për herë të parë se e vrau brenda banesës ku jetonin dhe pranon fshehjen e trupit.
Trupi i Siborës u zbulua nga Policia Kombëtare Spanjolle pas një hetimi paralel të nisur pas arrestimit të tij për vrasjen e Paulës. Trupi ishte fshehur në një mur të dyfishtë që Marco R. kishte ndërtuar në një cep të një dhome ku ai nuk jetonte më. Viktima ndodhej në një kuti druri, e mbuluar me gëlqere, pranë një thike me gjak dhe një buqete me lule.
I pandehuri, tani 48 vjeç, e njohu Sibora Gaganin në vitin 2009, kur ajo ishte 18 vjeçe, në qytetin italian Nettuno, ku të dy jetonin.
Në vitin 2010 ata u transferuan në Spanjë, konkretisht në Torremolinos, si çift. Meqenëse Sibora nuk kishte dokumente të rregullta, ajo mbërriti me një identitet të rremë, emër me të cilin njihej në qytet.
Sipas prokurorisë, çifti jetoi në vende të ndryshme në Torremolinos dhe Sibora madje mori me qira një apartament të pavarur në vitin 2013, vit kur marrëdhënia u ndërpre përkohësisht. Megjithatë, në momentin e krimit në vitin 2014, ata jetonin sërish bashkë.
Në një ditë dhe orë të pacaktuar, por gjithsesi gjatë javës nga 7 deri më 14 korrik 2014, i dyshuari e sulmoi Siborën me një armë të ftohtë dhe, pasi i dha të paktën katër goditje me thikë — tre prej tyre pas shpine — i shkaktoi vdekjen.
Mbrojtja e të pandehurit kundërshton versionin e akuzës, sidomos pretendimin se bëhej fjalë për një vrasje me paramendim dhe me një veprim të planifikuar paraprakisht.
Avokatët mohojnë që të ketë ekzistuar një ekzekutim i befasishëm dhe i organizuar, megjithëse akuzat këmbëngulin se ai e vrau atë dhe se veproi njësoj si në rastin e Paulës, “në mënyrë të ftohtë dhe duke pretenduar se gjithçka lindi pas një debati”.