Aktualitet
Muzika e lartë i kushton shtrenjtë lokalit në Velipojë, gjobë 200 mijë lekë për zhurmën
Një subjekt në zonën turistike të Velipojës është ndëshkuar me 200 mijë lekë të rinj gjobë pasi gjatë kontrolleve të Policisë është konstatuar se gjeneronte muzikë mbi nivelin e lejuar të zhurmës.
Sipas Policisë së Shkodrës, masa administrative është vendosur ndaj administratores së lokalit, E. Gj., 23 vjeçe, pas verifikimeve të kryera nga shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë në kuadër të kontrolleve për respektimin e rregullave gjatë sezonit veror dhe parandalimin e ndotjes akustike.
Efektivët e policisë kanë përdorur pajisje të posaçme matëse për të kontrolluar nivelin e zhurmës në ambiente të ndryshme, si të hapura ashtu edhe të mbyllura, në zonat turistike.
Nga matjet e kryera ka rezultuar se një prej lokaleve tejkalonte kufijtë e përcaktuar ligjërisht për zhurmën, duke sjellë vendosjen e gjobës ndaj subjektit.
Policia ka bërë të ditur se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit turistik, me fokus jo vetëm respektimin e niveleve të lejuara të zhurmës, por edhe oraret e përdorimit të muzikës në ambientet e hapura.
Sipas rregullave në fuqi, muzika në ambientet e jashtme lejohet nga ora 11:00 deri në 24:00, me qëllim ruajtjen e qetësisë publike dhe garantimin e një klime të sigurt për pushuesit dhe banorët në zonat turistike.