Shkrime
NATO/ Lobimi i kongresmenëve amerikanë mund të digjet nga ngërçi politik në Kosovë
Inciativat në Uashington, sado premtuese, rrezikojnë të mos sjellin rezultate konkrete nëse politikanët në Prishtinë nuk arrijnë të projektojë stabilitet institucional dhe pjekuri shtetërore përballë atyre që nuk duan ta shohin Kosovën në tryezën e NATO-s.
“Na duhet një qeveri stabile me një shumicë funksionale për të çuar përpara procesin e reformave dhe për të përmbushur standardet e kërkuara për anëtarësim në NATO”, deklaron ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, derisa komenton rezolutën e fundit të kongresistëve amerikanë që bën thirrje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Kosova duhet t’u japë miqve të saj shumë argumente pozitive për të mbrojtur kauzën e saj, duke u mohuar armiqve mundësinë për argumente negative. Prandaj, duhet një periudhë e gjatë e stabilitetit politik dhe një udhëheqje politike vendimtare”.
Shea theksoi se, megjithëse mbështetja nga Shtetet e Bashkuara është thelbësore për Kosovën, diplomacia kosovare duhet t’i orientojë energjitë kah kryeqytetet evropiane, kryesisht për shkak të faktit se janë katër aleatë që nuk e njohin pavarësinë e saj.
“Mbështetja e SHBA-së është gjithmonë thelbësore për Kosovën, por NATO është duke evoluar në një aleancë më evropiane, ngase SHBA-të janë duke reduktuar angazhimet ushtarake për mbrojtjen e Evropës. Kosova duhet të lobojë më shumë në kryeqytetet kryesore evropiane dhe të mos i mbajë sytë vetëm, apo kryesisht, nga Uashingtoni” – theksoi Shea
Ndryshe, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, Kosova ka kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO, por, duke marrë parasysh se janë katër aleatë brenda NATO-s që nuk e njohin – Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia dhe vendimi për anëtarë të rinj duhet të merret në mënyrë unanime, kjo kërkesë nuk ka avancuar.
Marrëdhëniet e Kosovës me NATO-n janë formalizuar kryesisht në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it, të cilin NATO e udhëheq që nga paslufa në Kosovë. Kosova akoma nuk është pjesë e Partneritetit për Paqe ose ndonjë mekanizmi tjetër të bllokut ushtarak perëndimor përmes së cilëve do të afrohej më shumë me NATO-n.