Politike
Ndaloi me bastun drejtuesin e PS/ I moshuari zbulon çfarë fshihet pas veprimit të tij
Një debat i tensionuar është regjistruar në Maliq gjatë diskutimeve për reformën administrativo-territoriale dhe propozimin për bashkimin e Bashkisë Maliq me atë të Korçës.
I moshuari Reiz Petritaj, i cili ndaloi me bastun kryetarin e Këshillit të PS në Maliq që të largohej nga salla, shpjegoi arsyet e veprimit të tij. Ai tha se reagimi i tij lidhet me kundërshtimin e fortë ndaj bashkimit të Bashkisë Maliq me Korçën.
Petritaj, banues me origjinë nga fshati Selcë, tha se shumë banorë të zonës janë larguar jashtë vendit, ndërsa sipas tij, problematikat e komunitetit duhet të zgjidhen në nivel lokal.
“Unë u bëra i revoltuar për arsyen, sepse unë jam nga fshati Selcë. Më kanë ikur të shumtët e njerëzve jashtë shtetit. Kur i kanë mundësitë të jetojnë këtu dhe kanë dëshirë të jetojnë”, u shpreh ai.
I moshuari pretendoi gjithashtu se në zonë ekzistojnë probleme të shumta që lidhen me korrupsionin dhe kërkoi që Bashkia Maliq të mos bashkohet me Bashkinë Korçë.
Sipas tij, banorët e Lozhanit, Libonikut dhe zonave të tjera janë shprehur kundër ndryshimit të propozuar administrativ.
“Problemi këtu është korrupsioni i pallogaritshëm. Të tërë në Lozhan ranë dakord që të mos prishet Bashkia e Maliqit. Ashtu edhe në Libonik, kudo kështu”, deklaroi Petritaj.
Duke folur për incidentin në sallë, ai pranoi se reagimi i tij ishte i fortë, duke thënë se “kalova në ekstrem për moshën që kam”.
Petritaj ngriti gjithashtu akuza për mënyrën se si, sipas tij, janë menaxhuar pasuritë dhe burimet në zonën e Maliqit, duke përmendur edhe hidrocentralet dhe çështjen e ujërave. Ai tha se ka kërkuar informacion për këto çështje dhe paralajmëroi se do të vijojë të kundërshtojë bashkimin e bashkisë.
Në fund, ai iu bëri thirrje edhe qytetarëve që kanë protestuar kundër reformës që të vijojnë qëndrimin e tyre.
“Maliqi nuk duhet të prishet. Ta dinë!”, deklaroi ai, duke shprehur vendosmërinë për të kundërshtuar reformën.