REAGIM
Ndalo, fike televizorin, harro lajmet, politikën, luftën
“Unë jam një njeri antik, që kam lexuar klasikët, që kam vjelur rrush në vreshta, që kam menduar për lindjen ose perëndimin e diellit mbi fusha.”
Pier Paolo Pasolini kishte të drejtë. Nuk më pëlqejnë as mua këto kohët moderne. E urrej “ngutin, zhurmën, vulgaritetin”. I urrej turmat e mëdha, qendrat tregtare që i detyrojnë njerëzit të japin shpirtin e tyre për të blerë gjëra që nuk u duhen. Por mbi të gjitha e urrej fjalën “të bësh”. Të bësh diçka me çdo kusht. Gjithmonë, në çdo kohë, shoqëria e sotme na nxit të bëjmë diçka.
Ndalo. Ndaloni për disa çaste. Fikeni televizorin, harroni lajmet, politikën, luftën, mos mendoni për gazetat dhe alarmet e tyre të kota, mos mendoni për angazhimet tuaja, gjërat që keni për të bërë, shqetësimet për punën dhe të ardhmen, mos mendoni për asgjë nga të gjitha këto! Ngadalësoni. Shikoni atë që keni para jush: qiellin, një pemë, një kopsht, det. Bëje tënden ëmbëlsinë e heshtjes, ëmbëlsinë e vetmisë.
Bëni shëtitje në plazh. Ishte një shkrimtar që thoshte se “deti është pasqyra e shpirtit, ne shkojmë tek ai kur kemi nevojë”. Deti i dimrit është edhe më i bukur. Nuk ka turma, zhurma dhe teksa ecni, keni përshtypjen se ju takon, vetëm juve. Dëgjoj zhurmën e valëve që përplasen me bregun. Era që pëshpërit. Shikoj qiellin e pafund, të lartë e të pamasë. Dhe pyes veten se çfarë është atje, ku qielli humbet në det, përtej horizontit. Unë vij këtu për të menduar. Për të gjetur se kush jam. Të bësh një jetë të fshehtë, të lirë nga “servitutet, detyrimet apo zinxhirët”. Sot ju uroj të gjithëve të gjeni një vend, një vend të veçantë që do t’ju bëjë të dridhet shpirti.