Connect with us

Aktualitet

Ndërron jetë aktorja e njohur, Mimika Luca

Aktorja e njohur e skenës shqiptare, Mimika Luca ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare. Gjatë karrierës së saj 15-vjeçare si aktore Mimika Luca ka interpretuar në rreth 30 role ku ndër to do të veçonim Luçia te “Borgjezi fisnik”, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama “Cuca e maleve”, Nica te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja te “Kur hidheshin themelet”, Sonja te “Xhaxha Vanja”.

Interpretimin e saj ndër më të mirët e ka në dramën “Drita”, dramë e shkruar nga vetë aktorja.

Luca u lind më datë 24 dhjetor të vitit 1937 në qytetin e Gjirokastrës. Gjatë fëmijërisë së saj ka kaluar shumë vështirësi ku edhe përfundoj në strehën vorfnore. Megjithatë ajo arriti të ndiqte pasionin e saj për artin dhe sidomos atë për baletin. Ajo ka interpretuar si balerinë së skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit nga viti 1951 deri në vitin 1962 ku edhe spikati per talentin dhe për aftësitë e saj fizike.

Pas njohjes me bashkëshortin e saj Ndrek Luca, një aktor i jashtëzakonshëm edhe ky për interpretimin e karaktereve dhe figurave artistike, Mimika iu përkushtua me dashuri artit dramatik dhe ku pati sukses në interpretimet e saj.

Lamtumirë nënë Mimika Luca, shprehje e përkorë e një shpirti të dritur në mirësi
Ajo, Mimika Luca, nuk është më mes nesh!
Ajo nuk do të vijë më, si herë të tjera të festojë ditëlindjet apo kremtet e zëshme të një zemre nëne, në Fish City. Nuk do të zbresë shkallët e të falmeshëndetet me miqtë, kolegët dhe adhuruesit e shumtë, të cilët u bën pjesë e jetës së saj, nuk do të mund të marrë më lule as përqafime nga Rozafa që fati i çoi portej Atlantikut, as nga Gjergji që ishte zë e zemër në çdoditshmërinë e saj prej nëne.
Zemra e nënë Mimikës nuk do të trokasë më në kraharorin e dashurisë dhe mallit. Ajo i dorëzohet vdekjes ashtu e paqtë dhe e përkorë, si çdo nënë e shenjtëruar në aktin e madh të misonares.
Lëshohet ajo në këtë prehje të prehrit të përjetësisë, jo duke u dorëzuar, por duke lejuar që ikjet të na dhembin, zemrat të na gjëmojnë dhe jeta të vazhdojë.
Iku nënë Mimika, bashkë me nënat e tjera, ata të artit skenik e të sfidave të jetës!
Iku sepse nuk mund të qëndronte më, jo sepse nuk e deshëm, por sepse ajo na deshi më shumë se sa ne të mund ta ndalonim rrugëtimin e saj për në jetë e pasosur.
Asnjëherë nuk është e kohëshme ikja e nënave, por kur ata vendosin të ikin, diçka nga brenda nesh vendos të largohet së bashku me ta.
Ata zgjedhin të ikin duke lënë dhimbje dhe trishtim.
Ikin me sytë e mbushur me qiell.
Ikin me zemrën ku harlisen lule të bardha e kundërmojnë aroma.
Ikin për të mos u kthyer më!
Ikin për të na treguar se sa e dhimbshme është ndarja me nënat.
Ikin për të na lënë në shpirt një breng e në zemër një trokitje, si çdo ikje nëne.
Kështu iku edhe nëna Mimika!
Ajo nënë me zemër të bardhë, vendosi t’i dorëzohet vdekjes pa marrë lejë, pa pyetur për zemrat që çahen, e shpirtrat që drithërojnë në vuajtje e mundim.
Bashkë me ikjen e nënë Mimikës është këputur sot edhe një yll prej qiellit të kinemasë shqiptare. Ka ndaluar udhën e kësojetshme për të marrë atë të amshimit, Mimika Luca, ajo nëna e roleve të mëdha, ajo zemra e drithërimave të emocioneve skenike, ajo që duke ikur, nuk do të mund t’i marrë çfarë la në artin e madh të skenës dhe në zemrat tona.
Portreti i saj i përkorë prej shenjtoreje ka reshtur së shndrituri në suazën e jetshme të çdoditshmërisë, për tu ngjitur në vezullimin e përjetësisë, për të hypur në ikonë, për të zënë vend në panteon, atje ku prehen jetët që dritën me diellin e shpirtit.
I lehtë të qoftë hapi në rrugëtimin tënd drejt amshimit, nënë Mimika!
U shpërblefsh me dritën e Parajsës, nëna ze zemrës së bardhe e syve të përvuajtur!
Lamtumirë Mimika Luca!
Përulësisht, Albert Vataj
May be an image of one or more people and text
Advertisement