Aktualitet
Ndërtuan 3 vila pa leje në Sauk, në pranga 5 inspektorë të IMT, drejtuesja teknike dhe inxhinieri! 6 në kërkim, mes tyre administratorët
Ndërtimi pa leje i tre vilave luksoze në një zonë rezidenciale në Sauk ka çuar 7 persona në pranga, 1 në hetim dhe 6 të tjerë janë shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për 3 vila, 2-3 katëshe të cilat u bllokuan 2 ditë më parë pasi kishin tejkaluar totalisht lejen zhvillimore.
Në pranga kanë rënë 5 inspektorë të IMT-së të cilët akuzohen për shpërdorim detyre, pasi kanë lejuar ndërtimin e vilave pa leje. Në pranga kanë rënë, Gjergji Male, 38 vjeç, Krenar Rexhepi, 48 vjeç, Aldo Dubi, 35 vjeç, Odise Cenaj, 41 vjeç dhe Endri Dervishi, 32 vjeç. Inspektorja Bianka Xhumari, 32 vjeçe, është vënë në hetim në gjendje të lirë. Ndërkohë, 3 inspektorë të tjerë janë shpallur në kërkim.
Ky ndërtim pa leje, kësaj radhe nuk ka ‘djegur’ vetëm inspektorët e IMT-së, por me përgjegjësinë penale do të përballen edhe inxhinierët dhe arkitektët për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm. Kështu, në pranga ka rënë drejtuesja teknike, si edhe inxhinieri i subjektit Ritvan Gjikolaj, ndërsa në kërkim janë shpallur dy bashkëadministratoret dhe arkitektja e projektit.
“Duke shpërdoruar detyrën, lejuan ndërtimin pa leje të tri objekteve në një zonë rezidenciale në Sauk, vihen në pranga 5 inspektorë të IMT Tiranë dhe në hetim 1 tjetër. Shpallen në kërkim 3 shtetas me të njëjtën detyrë. Më tej, vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë (administratorë të subjektit ndërtues dhe zbatues të projektit për ndërtimin e tri objekteve)”, informoi policia.
Aksioni për bllokimin e këtyre tre vilave u ndoq dy ditë më parë nga afër nga Ministrja e Brendshme, Albania Koçiu, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Blendi Sula, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe Drejtoresha e IMT-së, Dallëndyshe Bici, të cilët theksuan se askush nuk është mbi ligjin.