Connect with us

Kosova

Ndjesë, ja që e bëra/ Veteranët e UÇK nuk e pranojnë kërkimfaljen e Dimal Bashës

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) nuk e ka pranuar kërkimfaljen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, për “punimin shkencor” të vitit 2012, në të cilin, në cilësinë e bashkautorit, akuzonte pjesëtarët e UÇK-së për lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, duke ndjekur të njëjtën narrativë që përdoret nga Serbia për të delegjitimuar rolin historik të UÇK-së.

Në reagimin e kategorive të dala nga lufta është thënë se qëndrimet e Bashës, të cilat janë shprehur në punimin e tij para një dekade, cenojnë luftën çlirimtare dhe UÇK-në, dhe bien ndesh me betimin kushtetues që ai ka dhënë si deputet dhe kryekuvendar.

“Për këtë arsye, qëndrimi ynë mbetet i qartë: Basha duhet të shkarkohet menjëherë nga posti i Kryetarit të Kuvendit. Jemi në pritje të iniciativës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilëve tashmë u kemi drejtuar një kërkesë zyrtare për këtë çështje”.

UÇK-ja, pavarërisht asaj çfarë thuhet në punimin e Bashës, ka qenë një forcë çlirimtare e ngritur për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga represioni dhe brutaliteti i Serbisë. Megjithatë, pas luftës, disa kundërshtarë të Kosovës kanë bërë përpjekje që ta paraqesin UÇK-në si një organizatë kriminale, duke e mohuar rolin e saj historik.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka kërkuar falje për, siç është shprehur ai, “pakujdesinë” e tij, duke shtuar se ka kërkuar që kapitulli i punuar prej tij të hiqet nga punimi, si dhe të largohet edhe emri i tij.

Advertisement