Kosova
Ndryshimin e Ligjit për Specialen, qeveria e Kosovës: Nuk ka pengesa ligjore!
Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se nuk ka pengesa ligjore për nismën e Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Vendimi u miratua më 2 tetor, në një mbledhje elektronike të Qeverisë, në përgjigje të kërkesës së Kuvendit të 23 shtatorit. Qeveria e ka përcjellë vendimin dhe opinionin përkatës në Kuvend, ku përfshihen vlerësimi i përputhshmërisë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndikimi buxhetor dhe opinioni ligjor për përmbajtjen e projektligjit.
Nisma e PDK-së parashikon një sërë ndryshimesh, mes tyre kufizimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara, mundësinë e bartjes së çështjeve të caktuara te institucionet e drejtësisë në Kosovë, të drejtën e ankimit në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet, vuajtjen e dënimeve në Kosovë dhe mundësinë e faljes presidenciale.
Nisma u paraqit pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, të cilët u dënuan për krime lufte me 25, 25, 18 dhe 13 vjet burgim. Aktgjykimi mund të apelohet.
Megjithatë, qëndrimi i Qeverisë nuk do të thotë se ndryshimet janë miratuar. Projektligji tash është në duart e Kuvendit dhe duhet të ndjekë procedurat parlamentare. Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, koha deri më 6 tetor e bën të vështirë përmbylljen e procedurës në këtë afat, edhe pse ekzistojnë mekanizma për përshpejtimin e shqyrtimit.
Çështja është lidhur edhe me zhvillimet për zgjedhjen e presidentit. PDK-ja ka deklaruar se miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Specialen është një kusht i rëndësishëm për vazhdimin e diskutimeve për presidentin. Kryetari i saj, Bedri Hamza, ka thënë se nëse projektligji miratohet, partia është e hapur për diskutime të mëtejshme për kreun e shtetit.
Ndërkohë, diskutimi për ndryshimet ligjore ka edhe dimension ndërkombëtar. Ekspertë juridikë kanë ngritur pikëpyetje për kufizimet që mund të burojnë nga Kushtetuta dhe zotimet ndërkombëtare të Kosovës. Dhomat e Specializuara kanë deklaruar se nuk komentojnë nismat politike dhe se janë të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar se i takon Kosovës të vendosë, ndërsa ka nënvizuar rëndësinë e garantimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe respektimit të plotë të mandatit të institucioneve të pavarura gjyqësore.
Në këtë fazë, zhvillimi i mëtejshëm i nismës varet nga procedurat dhe votimi në Kuvend, ndërsa afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit është 6 tetori.