Kronike
Në kërkim nga Spanja për trafik droge, arrestohet 60-vjeçari
Një 60-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle është arrestuar në Fier, në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurmimi”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier e kanë lokalizuar dhe kapur shtetasin me inicialet M. T. në fshatin Bishan.
Ndaj tij, Gjykata e Madridit në Spanjë kishte lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar, pasi dyshohet se është pjesë e një organizate kriminale të specializuar në trafikimin e lëndëve narkotike.
60-vjeçari akuzohet gjithashtu nga drejtësia spanjolle për veprën penale të vjedhjes së energjisë elektrike.
Pas arrestimit, autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Spanjës. Ndërkohë, Interpol Tirana është në bashkëpunim me Interpol Madridin për finalizimin e procedurave të dorëzimit të të arrestuarit.