Aktualitet
Nëna me zemër të thyer…/ Momentet prekëse në mungesë të Artan Lame
Nëse do të qe sot mes nesh, padyshim do të kishte tundur nga themelet gjithë atë sallë dhe, në çastin kur heshtja do të fillonte të rëndonte, do të kishte gjetur mënyrën për ta thyer me shpirtin e tij të pazakontë: “Çohuni, pse po qëndroni kështu?” Sepse edhe në momentet më të vështira, ai dinte të sillte lehtësim, të mos lejonte që dhimbja të bëhej e pashmangshme.
Por, sot ai nuk ishte aty. Ishte mungesa e tij që ndihej në çdo fjalë që u tha nga Lisia, Anila apo dhe miq të tij të ngushtë. Vepra dhe kujtimi që la pas vazhdojnë të frymojnë e shkëlqejnë më fort se çdo herë tjetër. Në përvjetorin e fjalës së tij të fundit me botën, familjarë, miq dhe të afërm u mblodhën për të kujtuar, publicistin, historianin, atdhetarin e madh e mbi të gjitha, njeriun e jashtëzakonshëm që dinte të lehtësonte edhe dhimbjen më të madhe.
Në rreshtin e parë qëndronte nëna e tij, Diana, zemra e së cilës prej një viti vijon të rëndohet nga mungesa e “dritës së syve”, birit të saj. Përveçse rrobave të zeza sterrë, “zinë” që i ka shpirti ja tregonin edhe sytë, ndërsa pranë saj qëndronte bashkëshortja e Artan Lames, Mirela, e cila nuk arriti të fshehë lotët gjatë gjithë ceremonisë. Edhe pse kanë kaluar 12 muaj nga ndarja e tij nga jeta, plagët mbeten ende të hapura për gruan që humbi jo vetëm bashkëshortin, por edhe shokun e jetës, njeriun me të cilin ndau vitet më të bukura dhe kujtimet më të çmuara.
Në krah të saj qëndronte vajza e tyre, Lisia, në fytyrën dhe forcën e së cilës shumë prej të pranishmëve shihnin pasqyrimin e Artanit, të njëjtin pasion, të njëjtën qetësi dhe të njëjtën energji që ai përcillte tek të gjithë ata që e njohën nga afër.
Ceremonia përkujtimore mblodhi dhjetëra miq, bashkëpunëtorë dhe figura të njohura të jetës publike shqiptare. Të pranishëm ishin ministra, politikanë, studiues, analistë dhe gazetarë, mes tyre Aleksandër Çipa, Afrim Krasniqi, Anila Basha, Mero Baze, Ylli Ndroqi, Beti Njuma, Pirro Vengu, Olta Xhaçka, Artan Gaçi, Blendi Gonxhja, Artan Shkreli, Namik Dokle, Mariglen Disha, Tomi Frashëri, Eduard Dervishaj dhe shumë të tjerë, të cilët ndanë kujtime dhe vlerësime për njeriun që për vite me radhë kontribuoi me pasion në jetën publike dhe kulturore të vendit.
Një vit më parë, zemra e Artan Lames pushoi së rrahuri larg Shqipërisë, në Gjermani, ku kishte udhëtuar për një ndërhyrje kirurgjikale. Por edhe pse më 23 maj mbushet plot një vit që Tani nuk është më, kujtimi dhe vepra e tij vijojnë të jetojnë tek familja, miqtë dhe të gjithë ata që e vlerësuan për mendimin kritik, kulturën dhe dashurinë për historinë e Shqipërisë.
I lindur në Tiranë në vitin 1967, Lame e lidhi jetën e tij me historinë, kujtesën dhe identitetin shqiptar. Ai ishte ndër të paktët intelektualë që ngriti vazhdimisht zërin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në një kohë kur zhvillimi i vrullshëm rrezikonte të fshinte gjurmët e së kaluarës.
Përmes rubrikave të njohura “Shqipni e harrume” dhe “Shqipni tavolinash”, si edhe përmes dhjetëra analizave e botimeve, Artan Lame solli një mënyrë ndryshe të të parit të Shqipërisë, me dashuri, realizëm dhe përgjegjësi qytetare.
Ai mbajti poste të ndryshme publike, nga Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe zëvendësministër, deri te drejtimi i ALUIZNI-t dhe më pas i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Artan Lame ishte nga ata njerëz që nuk kërkoi kurrë protagonizëm, por lejoi që puna dhe mendimi i tij të flisnin vetë. Me një stil të matur dhe gjithmonë njerëzor, ai arriti të fitojë respektin e publikut, miqve dhe kolegëve, duke mbetur një nga zërat më të sinqertë dhe më kritikë të shoqërisë shqiptare.