Connect with us

Aktualitet

‘Nëna nuk donte të largohej, nxorëm fëmijët’/ Banori rrëfen tmerrin në Krujë

Një banor i Krujës ka rrëfyer situatën e krijuar gjatë zjarrit, kur flakët iu afruan banesave dhe përfshinë zonën përreth.

Sipas tij, familjarët dhe banorë të tjerë u përpoqën të kufizonin përhapjen e flakëve me autobotë uji, ndërsa në kushtet e përkeqësimit të situatës, disa familje nxorën fëmijët nga banesat.

“Ka qenë një tmerr i vërtetë. Për 5 minuta rrethoi të gjithë shtëpinë. Ne e kemi mbajtur situatën vetë në kontroll me dy autobotë uji. Zjarrfikësit kanë ardhur sa për të shuar vatrat e vogla”, tha banori.

Ai tregon se situata u përkeqësua më tej kur zjarri iu afrua banesave dhe një pjese të objekteve përreth. Sipas tij, banorët u përpoqën të largoheshin nga zona, ndërsa rruga u vështirësua nga lëvizja e mjeteve të emergjencës.

“Dolëm, nxorëm fëmijët. U mbush oborri me njerëz që e kemi mbajtur zjarrin. Iu afrua më pas shtëpisë, doli zjarri përpara. Morën magazinat e ujësjellësit. Ka qenë një kaos i paparë”, vijoi ai.

Banori tha gjithashtu se kishte shqetësim për përhapjen e flakëve drejt një fasonerie që ndodhej në zonë.

Sipas autoriteteve, zjarri në malin e Krujës është vënë nën kontroll, ndërsa vijon monitorimi i zonës për të parandaluar riaktivizimin e vatrave.

Advertisement