Connect with us

Politike

Nëse Albini s’paska lidhje me këtë çorbë qensh, pse nuk distancohet nga turpi me gjoja ‘diasporë’

Një debat i hapur publik, i nisur nga kryeministri Edi Rama për pjesëmarrjen e protestuesve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat kundër qeverisë në Tiranë, ka marrë një zhvillim të ri brenda vetë kampit socialist.
Këtë herë ka qenë deputeti socialist, Ulsi Manja, i cili ka zgjedhur të ndërhyjë në diskutim, ndonëse emri i tij nuk ishte pjesë e debatit fillestar.
Përmes një statusi në Facebook, Manja iu referua drejtpërdrejt sqarimit të Ramës se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk duhet përfshirë në polemikën e krijuar pas protestës.
“Dakord Kryeministër, dakord, me ty jam, po në qoftë se Albin Kurti nuk paska lidhje me këtë çorbë qensh dhe ishalla s’ka, pse nuk distancohet Qeveria e tij nga ky turp me gjoja ‘diasporë’?”, shkroi Manja.
Ministri shkon më tej, duke e konsideruar të papranueshme përfshirjen e qytetarëve nga Kosova në përpjekje politike kundër Qeverisë shqiptare.
“Unë mendoj se nuk ka hajvanllëk më të madh se sa të vish nga Kosova për të rrëzuar qeverinë në Tiranë. Jo vetëm se nuk e rrëzon dot, por i jep një dorë të madhe armiqve të Kosovës”, vijon ai.
Reagimi i Manjës vjen vetëm pak orë pasi Rama publikoi një mesazh të gjatë, ku sulmoi organizatorët dhe pjesëmarrësit e protestës, duke kundërshtuar përdorimin e termit “diasporë” për shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.
Në shënimin e tij, kryeministri argumentoi se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë popull shtetformues në vendin e tyre, ndërsa shqiptarët e Kosovës kanë shtetin e tyre të pavarur dhe nuk mund të konsiderohen diasporë e Shqipërisë.
Rama e cilësoi protestën si një veprim që dëmton imazhin e shqiptarëve dhe të Kosovës, duke folur për “ushtarë të verbër të karvaneve politike” që shkojnë në Tiranë për të rrëzuar qeverinë shqiptare.
Megjithatë, në fund të reagimit të tij, Rama bëri një ndarje të qartë mes protestuesve dhe kryeministrit të Kosovës.
“Lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, shkroi ai, duke theksuar se nuk e konsideron Kurtin përgjegjës për veprimet e militantëve të Vetëvendosjes që mund të kenë marrë pjesë në protestë.
Pikërisht ky përjashtim duket se ka nxitur reagimin e Manjës.
Ndryshe nga Rama, i cili kërkoi të mos përfshinte Kurtin në polemikë, ish-ministri i Drejtësisë ngriti publikisht çështjen e mungesës së një qëndrimi nga ana e qeverisë së Kosovës, duke sugjeruar se distancimi institucional do të ishte i nevojshëm nëse Prishtina nuk ka pasur asnjë rol në organizimin apo mbështetjen e protestës.
Kështu, debati që nisi si një përplasje mes Qeverisë shqiptare dhe protestuesve është shndërruar tashmë në një diskutim më të gjerë politik, ku brenda vetë shumicës socialiste po shfaqen nuanca të ndryshme mbi mënyrën se si duhet trajtuar raporti me Kosovën dhe me aktorët politikë që veprojnë përtej kufirit.

Advertisement