Connect with us

Aktualitet

Nesër dhe të dielën maratona e Tiranës, ndalohet parkimi

Nesër kryeqyteti do të mikpresë garën e vrapimit “Fun Run Tirana” me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme , ndërsa të dielën do të zhvillohet aktiviteti më i madh ndërkombëtar sportiv dhe promovues i vitit, që është “Maratona e Tiranës”.

Me qëllim mbarëvajtjen e këtyre dy aktiviteteve, “Fun Run” dhe “Maratona e Tiranës 2022”, Policia Bashkiake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka hartuar dhe planin e masave për menaxhimin e trafikut në gjithë qytetin e Tiranës.

Policia Bashkiake bën me dije se në të gjithë perimetrin e garës, në funksion të sigurisë, ka vendosur sinjalistikë të përkohshme rrugore, ndalim qëndrimi dhe pushimi për mjetet.

Me qëllim sigurinë e garuesve dhe mbarëvajtjen e Maratonës si dhe lehtësimin e trafikut, Policia Bashkiake apelon qytetarëve që të përdorin sa më pak të jetë e mundur automjetet privatenë datën 22-23 Tetor për të shmangur trafikun në qytet.

Gjithashtu, qytetarëve u kërkohet që të mos tentojnë të hyjnë me automjet brenda perimetrit të garës, gjatë zhvillimit te garës, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar, si dhe do të duhet t’u binden menjëherë shërbimeve policore në devijimet eventuale të trafikut.

Gjatë këtyre dy ditëve, Policia Bashkiake u bën thirrje qytetarëve që të mos parkojnë mjetet e tyre private brenda perimetrit të garës, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore të vendosur. Ato mjete që do të gjenden të parkuara në rrugët ku do të zhvillohet gara, do të spostohen me mjet ngritës nga shërbimet policore.

Për të lehtësuar mbarëvajtjen e këtyre dy eventeve të rëndësishme sportive, Policia Bashkiake u kërkon qytetarëve që do të duan të lëvizin me automjetet e tyre, që ndodhen të parkuara në brendësi të lagjeve dhe brenda perimetrit të garës, që t’i nxjerrin ato jashtë perimetrit, përpara orës 08:00 të datës 23 Tetor, pasi rrugët do të bllokohen deri në orën 16:00 dhe nuk do të kenë mundësi të hyjnë-dalin, nga zona e perimetrit te garës me automjet.

Një apel i Policisë Bashkiake shkon dhe për përdoruesit e biçikletave, monopatinave, apo motorëve elektrikë, të cilëve u kërkohet që të mos lëvizin në rrugët ku do te jenë vrapuesit gjatë zhvillimit të garës.

Për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, vullnetarët e Bashkisë së Tiranës dhe shërbimet policore do të ndihmojnë të gjithë ata që kanë nevojë për të kaluar rrugën, në vendet e përcaktuara, pa u bërë pengesë për vrapuesit.

Më datë 22 Tetor, nga ora 09:00-11:00, në blv. Dëshmorët e Kombit do të zhvillohet gara e vrapimit “Fun Run Tirana”, me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme , si dhe më datë 23 Tetor nga ora 08:00-16:00, do të zhvillohet aktiviteti më i madh ndërkombëtar sportiv dhe promovues i vitit, që është “Maratona e Tiranës”.

Advertisement