Connect with us

Bota

Netanyahu bllokon planin e Trump/ Pa çarmatosjen e Hamasit, nuk ka forca në Gaza

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka mohuar raportimet se Izraeli ka miratuar vendosjen e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Rripin e Gazës, si pjesë e planit të pasluftës të presidentit amerikan Donald Trump.

“Në kundërshtim me raportet e medias, establishmenti politik nuk e ka miratuar hyrjen e forcës ndërkombëtare në Rripin e Gazës”, thuhet në deklaratën e zyrës së Netanyahut.
Izraeli ka përsëritur gjithashtu qëndrimin se rindërtimi i Gazës nuk mund të nisë përpara çarmatimit të plotë të Hamasit.

Debati u ndez pas publikimit të pamjeve në mediat izraelite, ku shfaqeshin oficerë të huaj ushtarakë duke vizituar zonën e Rafahut së bashku me pjesëtarë të ushtrisë izraelite. Disa media i interpretuan këto pamje si një dislokim të parë të forcave ndërkombëtare në Gaza.

Megjithatë, një zyrtar izraelit i tha “The Times of Israel” se bëhej fjalë për një vizitë paraprake nga oficerë të lartë ushtarakë të Burundit dhe Ugandës, në kuadër të diskutimeve për pjesëmarrjen e tyre të mundshme në forcën ndërkombëtare.

Sipas planit të mbështetur nga administrata Trump, ISF do të përbëhej nga rreth 200 ushtarë nga vende aleate dhe do të vendosej në Gaza pas tërheqjes së forcave izraelite. Misioni i saj do të përfshinte sigurinë e zonave të caktuara, mbështetjen e operacioneve humanitare dhe përgjegjësi të tjera të sigurisë.

Megjithatë, zbatimi i planit është penguar nga mosmarrëveshjet për çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen e trupave izraelite. Netanyahu këmbëngul se Izraeli nuk do të tërhiqet plotësisht nga Gaza përpara çarmatimit të organizatës.

Pavarësisht ngërçit, përgatitjet për krijimin e forcës ndërkombëtare vijojnë. Administrata Trump ka informuar gjithashtu Kongresin amerikan për një financim prej më shumë se 206 milionë dollarësh për ISF-në.

Advertisement