Connect with us

Bota

Netanyahu: Nuk largohemi nga Gaza pa çarmatosjen e Hamasit

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se vendi i tij nuk do të tërheqë trupat nga pozicionet aktuale në Rripin e Gazës derisa Hamasi të jetë çarmatosur plotësisht.

Deklarata e tij vjen pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi një marrëveshje që parashikon nisjen e çarmatimit të Hamasit, ndërprerjen e sulmeve izraelite dhe tërheqjen graduale të forcave izraelite nga rreth 60% e territorit të Gazës që aktualisht kontrollohet nga Izraeli.

Marrëveshja mbështetet mbi armëpushimin e arritur në tetor, i cili i dha fund operacioneve kryesore ushtarake dhe mundësoi lirimin e pengjeve të mbetura në Gaza, por zbatimi i saj ka ngecur në pika të tjera.

Netanyahu përsëriti se, sipas Izraelit, çarmatimi i Hamasit duhet të vijë përpara çdo tërheqjeje të forcave izraelite.

“Forcat izraelite do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur veten, territorin tonë dhe qytetarët tanë”, deklaroi ai në një video të publikuar në rrjetet sociale.

Kryeministri izraelit tha gjithashtu se qeveria e tij nuk e ka pranuar draftin e paraqitur nga administrata Trump.

“Administrata Trump na dërgoi një draft. Ne nuk ramë dakord. Nuk është drafti ynë. Ne dërguam komentet tona. Ky është qëndrimi ynë”, u shpreh Netanyahu.

Advertisement