Kronike
Nga divorci te droga, dy pistat e hetimit për ekzekutimin e babë e bir në Dukagjin
Vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e atentatit të dyfishtë në Dukagjin, ku mbetën të vrarë Prelë Gjoni, 82 vjeç, dhe djali i tij, Lekë Gjoni, 57 vjeç, ndërsa bashkëfshatari i tyre, Lazër Bashi, mbeti i plagosur rëndë.
Sipas gazetarit Elton Qyno, grupi hetimor dhe policia kriminale e Shkodrës po përqendrohen në dy pista kryesore për zbardhjen e motivit të ngjarjes. Njëra lidhet me konfliktet familjare dhe veçanërisht me divorcin e 57-vjeçarit Lekë Gjoni nga ish-bashkëshortja e tij. Në kuadër të hetimeve, policia ka shoqëruar disa persona, mes tyre ish-kunetër dhe të afërm të ish-gruas.
Pista tjetër lidhet me aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të lëndëve narkotike në zonën e Dukagjinit, një fenomen që prej vitesh është evidentuar në këtë rajon dhe që është marrë në konsideratë nga hetuesit si një prej shkaqeve të mundshme të ngjarjes.
Ndërkohë, janë zbardhur edhe detaje të reja për mënyrën se si dyshohet se është organizuar atentati. Sipas burimeve nga grupi hetimor, babë e bir po udhëtonin me një automjet fuoristradë nga fshati Mgull në drejtim të Shkodrës, kur në një kthesë pranë fshatit Xhan, rreth dy kilometra larg lidhjes së Pultit me Shoshin, dy persona të armatosur kanë hapur zjarr.
Autorët dyshohet se kanë qëlluar me më shumë se 50 plumba nga dy armë automatike kallashnikov në drejtim të automjetit. Si pasojë e breshërisë, drejtuesi i mjetit, Lekë Gjoni, ka humbur kontrollin dhe automjeti ka dalë nga rruga.
Pas atentatit, autorët dyshohet se janë larguar me një fuoristradë. Automjeti i përdorur prej tyre është gjetur më pas i djegur disa kilometra larg vendit të ngjarjes, në një përpjekje të dyshuar për të zhdukur gjurmët.
Policia dhe grupi hetimor po vijojnë veprimet për identifikimin e autorëve, zbardhjen e motivit dhe dokumentimin e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje të rëndë.