Shkrime
NGA FATOS NANO DHE ILIR META, TE ERJON BRAÇE/ 25 VJET ME PAS, NJE TJETER KRISJE NE PS
Nga Vitjon Nina
Ka pasur një kohë kur Partia Socialiste nuk i fshihte betejat e saj brenda mureve të partisë. Në dhjetor të vitit 2001, mbledhja e famshme e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PS-së u kthye në një arenë të hapur përplasjesh mes Fatos Nanos, Ilir Metës dhe figurave të tjera të rëndësishme të së majtës.
Debatet zgjatën tri ditë dhe u shoqëruan me akuza, kundërakuza e dorëheqje ministrash. Bashkim Fino ishte një prej figurave që u përplas publikisht me Nanon, ndërsa kriza Nano-Meta e kishte ndarë në dy kampe drejtimin e partisë.
Ishte një PS që debatonte ashpër, ndonjëherë në mënyrë kaotike dhe deri në prag të çarjes, por që e kishte ende të gjallë mekanizmin e konfliktit të brendshëm politik. Në atë kohë, mosmarrëveshjet nuk mbetën thjesht në nivelin e pakënaqësive individuale. Ato prodhuan një krizë të mirëfilltë të pushtetit, sollën dorëheqjen e Ilir Metës nga posti i kryeministrit në janar 2002 dhe, pas një periudhe të gjatë përplasjesh, çuan në ndarjen përfundimtare të Metës nga PS-ja dhe krijimin e një force të re politike.
Më shumë se dy dekada më pas, Partia Socialiste duket shumë ndryshe. Konfliktet e mëdha publike janë më të rralla, kundërshtimet e forta brenda strukturave janë më pak të dukshme dhe vendimmarrja politike është përqendruar dukshëm në nivelet e larta të drejtimit.
Dhe në këtë vazhdë përgjumjeje të majtë, një shpërthim i fundit publik i Erion Braçes për Reformën Territoriale merr një rëndësi që shkon përtej vetë projektligjit.
Deputeti socialist nuk u mjaftua me rezervat për përmbajtjen e reformës, pas publikimit të lajmit se ai dhe deputeti tjetër socialist, Vullnet Sinaj, kishin shprehur zërin e tyre kundër saj.
Ai vuri në pikëpyetje mënyrën se si vetë Partia Socialiste po e diskuton dhe po e çon drejt votimit një prej reformave më të rëndësishme që prek drejtpërdrejt pushtetin vendor.
Braçe tha se mbledhja e Grupit Parlamentar ishte diskutimi i parë për reformën që prej nisjes së procesit dhe se një debat i tillë duhej të ishte zhvilluar shumë më herët. Përgjegjësinë për këtë ai ia atribuoi drejtpërdrejt kryetarit të Grupit Parlamentar, Taulant Balla.
Por kritika më domethënëse e Braçes ishte ajo për Komisionin e Ekonomisë. Sipas tij, projektligji ka qenë dy herë në kalendarin e komisionit dhe dy herë është hequr, ndërsa vetë çështja është pranuar si problem edhe në mbledhjen e grupit.
Në këtë pikë, qartazi debati nuk është më vetëm për Reformën Territoriale. Është mbi të gjitha për mënyrën se si merret një vendim politik brenda mazhorancës dhe se si në strukturat më të larta, një lloj arrogance e vazhdueshme artikulohet publikisht.
“Thelbi nuk është harta”
Braçe e zhvendosi më tej diskutimin duke argumentuar se reforma nuk mund të reduktohet në një ndryshim të hartës administrative.
Sipas tij, çështja thelbësore është mënyra se si funksionon pushteti vendor, çfarë kompetencash i transferohen bashkive dhe njësive vendore dhe sa autonomi reale u jepet atyre për të ushtruar këto kompetenca.
“Thelbi i gjithë kësaj gjëje nuk është harta, por mirëqeverisja e institucioneve”, deklaroi ai.
Kjo është pjesa më politike e kritikës së Braçes. Sepse nëse reforma territoriale diskutohet vetëm si çështje ndarjeje administrative, atëherë debati reduktohet në kufijtë e njësive vendore. Nëse ajo shihet si reformë e pushtetit vendor, atëherë në tavolinë hyjnë kompetencat, financat, shërbimet dhe raporti mes qeverisë qendrore dhe pushtetit lokal.
Braçe përmendi pikërisht këtë problem kur foli për shërbimet veterinare, legalizimet dhe menaxhimin e territorit.
Çfarë fshihet pas shpërthimit?
Braçe nuk është një deputet i sapoardhur që po zbulon për herë të parë funksionimin e mazhorancës. Është një figurë e vjetër e PS-së, me një profil të konsoliduar dhe me një mënyrë komunikimi që shpesh e vendos në distancë nga gjuha më e kontrolluar e strukturave drejtuese.
Prandaj kritika e tij mund të lexohet në dy nivele.
Në nivelin e parë, është një kundërshtim konkret ndaj mënyrës së trajtimit të Reformës Territoriale.
Në nivelin e dytë, është një sinjal për një problem më të gjerë: sa hapësirë ka sot për debat real brenda Partisë Socialiste?
Dhe me gjasë, më e besueshmja dhe shqetësuesja si për Braçen, si për interesin e qytetarëve, është kjo e dyta.
Në një parti që ka qëndruar për një periudhë të gjatë në pushtet, rreziku nuk është vetëm konflikti. Mund të jetë edhe e kundërta: mungesa e konfliktit.
Një strukturë politike ku vendimet merren në nivele të ngushta dhe më pas komunikohen te deputetët e anëtarësia si fakt i kryer mund të duket më e disiplinuar, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërish se është më e shëndetshme politikisht. Debati i brendshëm është një mekanizëm korrigjues. Ai mund të vonojë një vendim, por mund edhe të zbulojë problemet përpara se ato të kthehen në kriza.
Kjo duket se është ajo që Braçe po kërkon të vendosë në qendër: jo vetëm çfarë vendos PS-ja, por si e merr PS-ja vendimin.
Nga debati i hapur te vendimmarrja e centralizuar
Krahasimi me fillimin e viteve 2000 duhet bërë me kujdes. PS-ja e asaj kohe ishte në një tjetër fazë historike dhe konfliktet Nano-Meta kishin në themel edhe një përplasje të drejtpërdrejtë për kontrollin e partisë dhe të qeverisë. Kriza ishte aq e thellë sa solli destabilizim të qeverisë dhe përfundimisht ndarjen politike të dy kampeve.
Sot situata është tjetër.
Por pikërisht ky ndryshim e bën më domethënës shpërthimin e Braçes. Atëherë problemi ishte se PS-ja kishte shumë zëra që përplaseshin. Sot pyetja është nëse ka mjaftueshëm zëra që lejohen të përplasen.
Ky është një dallim jo pak i rëndësishëm.
Një parti mund të jetë e bashkuar sepse ka gjetur një konsensus të gjerë. Por mund të jetë e heshtur edhe sepse vendimmarrja është përqendruar aq shumë lart, sa debatet reale nuk zhvillohen më në forumet e saj.
Braçe po flet pikërisht për këtë të dytën kur kërkon që deputetët të informohen, të diskutojnë, të kenë materialet dhe të përfshihen përpara se të votojnë.
Por Braçe ka edhe një betejë personale…
Përtej gjithçkaje, çdo analizë e shpërthimit të Braçes do të ishte e paplotë nëse do të anashkalonte dimensionin e tij politik personal.
Deputeti i regjur socialist ka një interes të qartë në mënyrën se si funksionon PS-ja në Tiranë. Ai ka deklaruar publikisht ambicien për të garuar për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe ka kërkuar që kandidati socialist të dalë nga një proces real gare, e jo nga një vendim i marrë paraprakisht. Në gusht, ai deklaroi se do t’i shkonte deri në fund garës për Tiranën.
Kjo e bën të pamundur që kritikat e tij të lexohen vetëm si një betejë parimore.
Braçe po kritikon mënyrën e vendimmarrjes së partisë në një moment kur vetë ai kërkon një vendimmarrje tjetër për një çështje shumë konkrete: kandidaturën për kryeqytetin.
Pra, ka edhe një dimension të qartë të inter
interesit politik personal.
Por kjo nuk e zhvlerëson automatikisht kritikën e tij. Përkundrazi, këtu qëndron dilema: një politikan mund të ketë një ambicie personale dhe, në të njëjtën kohë, të ngrejë një problem real për mënyrën se si funksionon një parti.
Një problem më i madh se Braçe
Rëndësia e kësaj përplasjeje nuk qëndron te pyetja nëse Erion Braçe ka të drejtë për çdo detaj të Reformës Territoriale.
Pyetja më e madhe është nëse Partia Socialiste ka ende mekanizma efektivë për të prodhuar debat të brendshëm përpara vendimeve të rëndësishme.
PS-ja e fillimit të viteve 2000 ishte e rrezikshme për veten nga teprica e konfliktit. PS-ja e sotme mund të përballet me një problem tjetër, që lidhet me tepricën e centralizimit dhe mungesën e debatit të dukshëm.
Për këtë arsye, fjalët e Braçes duhen parë më shumë si simptomë, se sa si incident.
Ai po thotë se deputetët nuk duhet të jenë thjesht votues të një vendimi të marrë diku tjetër. Po kërkon debat, informacion dhe hapësirë për korrigjim. Ndërsa ambicia e tij për Tiranën e vendos këtë kërkesë në një kontekst të qartë politik dhe personal.
Nëse kritika e tij do të mbetet një shpërthim individual apo do të shndërrohet në një debat më të gjerë brenda PS-së, kjo është një çështje tjetër, edhe pse në pamje të dukshme, dalja jashtë skene ndër vite e disa prej figurave me hije të rëndë brenda të majtëve dhe ardhja e individëve pa ndonjë shtyllë kurrizore politike të evidentueshme, e bën më të mundshëm faktin se shpërthimi i Braçes, mund të mbetet thjesht shpërthimi i tij.
Kjo, edhe në kushtet kur elementë të tjerë kanë nisur lëvizjet e tyre brenda strukturave.
Por një gjë është e sigurt…Në një parti që për vite me radhë është identifikuar me disiplinën e lartë të vendimmarrjes, edhe një zë i vetëm që kërkon publikisht debat është politikisht më domethënës se sa duket në pamje të parë.