Connect with us

Kronike

NGA FUSHA E BLERTË NË PRANGA/ ARRESTOHET NË FRANCË ISH-FUTBOLLISTI I KOMBËTARES SHQIPTARE

Një lajm i bujshëm ka tronditur opinionin sportiv shqiptar. Ish-futbollisti i njohur i Superiores dhe i Kombëtares shqiptare, Olgerd Muka, raportohet se është arrestuar nga policia franceze në qytetin e Dizhonit, nën akuzën e përfshirjes në shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Sipas raportimeve të publikuara në media, 46-vjeçari ishte mbajtur nën vëzhgim nga autoritetet franceze për më shumë se dhjetë ditë. Ai dyshohet se është ndaluar së bashku me një tjetër shtetas shqiptar, teksa shpërndanin doza kokaine në një park të qytetit.

Gjatë paraqitjes para drejtësisë, Muka mësohet se ka pranuar rrethanat e ngjarjes, duke deklaruar se vështirësitë e rënda financiare, papunësia dhe situata familjare e kishin shtyrë drejt këtij aktiviteti të paligjshëm.

Olgerd Muka ka qenë një emër i njohur i futbollit shqiptar. Gjatë karrierës së tij ka veshur fanellat e Partizanit, Teutës, Dinamos, Besës, Flamurtarit, Bylisit dhe Lushnjës, ndërsa ka regjistruar edhe paraqitje me Kombëtaren shqiptare.

Pas largimit nga futbolli i luajtur, ai provoi edhe rrugën e trajningut. Megjithatë, sipas raportimeve, jeta e tij mori një kthesë dramatike që tashmë e ka vendosur përballë drejtësisë franceze.

Çështja mbetet në hetim dhe përgjegjësia penale përcaktohet vetëm me vendim përfundimtar të gjykatës.

 

Advertisement