Connect with us

Politike

Nga Kongresi drejt Shtëpise së Bardhë, Wendt vetëm një firmë larg Tiranës

Eric P. Wendt ka kaluar pengesën kryesore drejt marrjes së detyrës si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, pas konfirmimit të kandidaturës së tij nga Senati amerikan.

Tashmë procedura është zhvendosur nga Kongresi drejt Shtëpisë së Bardhë.

Albanian Post ka mësuar se në këtë fazë përgatitet dokumenti i komisionit presidencial (commission document), i cili firmoset nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara përpara betimit dhe marrjes së detyrës nga ambasadori.

Nuk ka një afat të përcaktuar publikisht për përfundimin e këtij hapi dhe, deri tani, nuk është bërë e ditur një datë për mbërritjen e Wendt në Tiranë.

Wendt mes 74 emërimeve të Trump

Konfirmimi i Wendt erdhi në kuadër të një pakete të gjerë nominimesh të Presidentit Donald Trump.

Sipas Reuters, Senati miratoi 74 kandidatura me 51 vota pro dhe 47 kundër, duke plotësuar një pjesë të vendeve vakante në trupën diplomatike amerikane.

Paketa përfshinte 11 ambasadorë në vende të huaja dhe pesë kandidatë të tjerë për poste me rang ambasadori. Mes të konfirmuarve ishin edhe ish-kongresmeni republikan David Brat si ambasador në Australi dhe ish-zyrtari i CIA-s Michael Kavoukjian si ambasador në Norvegji.

Gjithashtu u konfirmuan gjashtë kandidatë për poste të Assistant Secretary of State, përfshirë zyrtarët kryesorë që do të mbulojnë Evropën, Lindjen e Mesme dhe Hemisferën Perëndimore.
Nga gjeneral në diplomat

Për Wendt, firma presidenciale do të hapë fazën përfundimtare të një procesi që nisi me nominimin e tij nga Trump dhe vijoi me dëgjesën dhe miratimin në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit.

Më 4 qershor, Komiteti miratoi kandidaturën e tij me 19 vota pro dhe tre kundër.

Kalimi në diplomaci vjen pas një karriere të gjatë ushtarake të Wendt, ndërsa gjatë dëgjesës në Senat ai dha sinjale edhe mbi drejtimet që pritet të ndjekë në Shqipëri.

Mes tyre ishte reforma në drejtësi. Wendt e cilësoi SPAK-un si institucion “apolitik” dhe “të pavarur”, duke sinjalizuar vazhdimësinë e mbështetjes amerikane për institucionet e drejtësisë.

Profili i tij ushtarak dhe eksperienca në bashkëpunimin ndërkombëtar e vendosin gjithashtu sigurinë dhe marrëdhëniet në kuadër të NATO-s mes elementeve me peshë të mandatit të ardhshëm.

Tashmë, megjithatë, çështja nuk është më në duart e Senatit. Pas nominimit nga Presidenti dhe konfirmimit nga ligjvënësit, mbetet përfundimi i procedurës presidenciale të emërimit, përpara betimit dhe nisjes së Wendt drejt Tiranës.

Advertisement