Connect with us

Politike

Nga pagat te ndihma ekonomike, vendimet që presin firmën e kryebashkiakut

Urdhri i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për shfuqizimin e kompetencave të deleguara më herët te nënkryetarja Anuela Ristani është publikuar edhe në tabelat e njoftimeve publike të Bashkisë së Tiranës.

Sipas informacionit të publikuar, pas shfuqizimit të kompetencave të deleguara, Ristani vijon të jetë nënkryetare e bashkisë, por nuk ushtron më kompetencat që i ishin deleguar nga kryetari.

Vendimi ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si do të vijojë funksionimi administrativ i bashkisë, pasi një sërë vendimesh kërkojnë firmën e kryetarit.

Ndër çështjet që mund të preken janë vendimet që lidhen me ndihmën ekonomike, përgatitjet për vitin e ri shkollor, financimin e projekteve, pagesat ndaj kompanive të kontraktuara dhe detyrime të tjera administrative e financiare të institucionit.

Në këtë situatë, vëmendja është përqendruar te mënyra se si do të procedohet me dokumentet që kërkojnë firmën e Erion Veliajt, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Durrës.

Pikërisht për këtë arsye, avokati i Veliajt, Ndre Ndreca, është paraqitur paraditen e kësaj të hëne në ambientet e Bashkisë së Tiranës, ku është takuar edhe me Anuela Ristanin.

Sipas deklarimit të avokatit,  po shqyrtohet mënyra se si mund të firmosen dokumentet dhe vendimet që kërkojnë firmën e kryetarit të bashkisë.

Ndërkohë, situata pritet të sjellë diskutime të mëtejshme mbi zinxhirin institucional të vendimmarrjes dhe mënyrën se si do të garantohet funksionimi normal i Bashkisë së Tiranës pas ndryshimit të kompetencave të deleguara./tch

 

Advertisement