Shkrime
Nikollë Lesi: Rama 3 hapa para Berishës, e ofertoi, e mikloi dhe më pas e sakatoi politikisht
Ne nje editorial ne gazetën e tij “Koha Jone”, editori i kesaj gazete Nikolle Lesi komenton arritjen e marreveshjes mes Rithemelimit dhe PS-se, per dy komisione hetimore dhe reformat ne Kuvend.
Ai shkruan se Rama eshte tre hapa para Berishes ne levizjet e tij, por per te jo 3 por 30 hapa shume para, pasi me nje marreveshje qe nuk jep asgje, nderkohe qe ka te sigurte mandatyin e katert.
“Zhurmë e madhe në media dhe në publik për tërheqjen e PD së Berishës nga qëndrimi antiRama në parlament. Nga vendosmeria e tij se do ta rrëzojë Edi Ramën u kalua në marrëveshje apo siç dëshiron Gazment Bardhi ta quajë, në dialog!
Ndërkohë Edi Rama nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimet e tij, përkundrazi duket më i vendosur në rrugën e tij. Bile vetë kryeministri Rama ka postuar qëndrimin e tij në lidhje me këtë gjoja marreveshje, ku PD-në e Berishës e ofertoi, e mikloi dhe më pas e sakatoi politikisht.
Pas deklaratave të Gazment Bardhit se po bisedojmë me PS për zbatimin e Kushtetutës nga ana e mazhorancës, pakkush e hëngri togfjalëshin “për Kushtetutën”, por në opozitë filluan sherret edhe mes deputetëve të grupit Basha-Berisha, sepse një pjesë mbeten për të vazhduar me protesta në sallën e parlamentit dhe në Bulevard kundër kryeministrit, ndërsa një pjesë të lodhur nga kjo betejë pa bereqet në parlament duan që të arrihet në një marrëveshje me Partinë Socialiste që të dalin nga ngërçi parlamentar, sepse nuk po prodhojnë politikë, por vetëm sherrnajë.
Edi Rama, mjeshtërisht i mikloi në kërkesat e tyre grupimin Bardhi-Berisha, duke iu lenë të hapur se ndryshoni ju si grupim që ne t’ju japim dritë në fund të tunelit ku keni hyrë.
Nga ana tjetër ndërseu grupimin e vogël me vulë në xhep të Lulzim Bashës që ti nxirrte në opionin demokrat se Berisha po bën pazar me Edi Ramën, gjë që krijoi pakënaqësi në radhët demokrate, të cilët nuk besojnë më se cfarë luhet në prapaskenë.
Atë mobilizim të pranueshëm dhe paksa euroforik kur Gazment Bardhi e Agron Gjekmarkaj shkuan te ish-kryeministri Berisha, ua shkërmoqi Edi Rama me një lëvizje dinake brilante, duke i ofertuar. Natyrisht jo vetë direkt, por lëshoi grepin në liqenin me pak ujë të opozitës së Berishës dhe kapi krapin të cilin e rrotullon në ajër në grepin e tij, duke e lenë edhe pa atë ujin që ka mbetur në liqenin politik të PD.
Kur vetë Edi Rama thotë se jam tre hapa para Berishës dhe PD, në të vertetë ai është 30 hapa përpara, sepse ndryshe nuk ka sesi shpjegohet që akoma është në pushtet si kryeministër prej 11 vitesh e që duket se edhe zgjedhjet e vitit 2025 nuk ka asnjë shans ti fitojë opozita.
Edi Rama duhet rrëzuar, por kush ta rrëzojë?! Ata që kanë shkatërruar Partinë Demokratike në katërqind copa dhe tani po mbledhin kockat e shpërndara të PD-së nëpër Shqipëri?
Kush ta rrëzoji, Sali Berisha që ka afro 400 mijë vota, ndërkohë që Edi Rama mbi 800 mijë vota?
Kush ta rrëzojë; Gazment Bardhi që synon një PD moderne por nuk e besojnë në PD se mos ka hyrë si “Kali i Trojës” për t’i marrë Partinë, Berishës?
Kush ta rrëzojë Edi Ramën nga opozita, Agron Gjekmarkaj, që mbetet intelektual dhe properëndimor, me ide futuriste për një PD larg non gratave dhe për një kandidat për kryeministër jo nga ata që kanë që kanë vite në PD e që janë bërë baltë para shqiptarëve?!
Kush ta rrëzojë Edi Ramën nga pushteti, Lulzim Basha që ka mbetur me një çetë me pesë vetë?!
Me thoni ju pra se si mund të fitojë opozita?
E fundit, kjo opozitë edhe sikur të hapet sic ka nevojë shoqeria, i duhet se paku tre vite që të bind e mobilizojë qytetarët, edhe ata që nuk janë as me Ramën, por as me Berishën.
Ndaj, për dreq, Edi Rama është tre hapa para opozitës.
Dhe imagjino hapin e madh të kryeministrit, që i bie sa 10 hapa të PD së sotme, të përcarë dhe pa energji”, shkruan Lesi.