Connect with us

Politike

Nis “ora e pranisë besnike” në terren, Rama urdhëron ministrat për takime me qytetarët

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të mërkurë një mbledhje me ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në Vilën e Kuqe në Sauk, ku në fokus ka qenë organizimi i punës dhe rikthimi i strukturave në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Sipas burimeve të Euronews Albania, gjatë takimit secili drejtues politik ka prezantuar një kalendar për të ashtuquajturën “Ora e Pranisë Besnike”, ku parashikohen takime në terren me qytetarët në zonat që mbulojnë.

Një pjesë e këtyre takimeve pritet të nisë që këtë fundjavë. Në terren do të angazhohen deputetë dhe zëvendësministra, të cilët do të zhvillojnë takime me qytetarët dhe do të marrin në shqyrtim shqetësimet dhe problematikat e ngritura prej tyre.

Mbledhja e zhvilluar sot në Sauk pritet t’i paraprijë një tjetër takimi ditën e enjte, këtë herë me grupin parlamentar socialist dhe kabinetin qeveritar në Pallatin e Brigadave.

Takimet në terren vijnë në kuadër të një angazhimi më të drejtpërdrejtë të strukturave të mazhorancës me qytetarët, ndërsa në fokus do të jenë problematikat lokale dhe çështjet që kërkojnë ndërhyrje nga institucionet.

Advertisement