Connect with us

DOSSIER

Një histori nga Tirana e vitit 1983 dhe fundi i gegëve si zanat

Nga Altin Raxhimi

Në Shqipëri, viti 1983 ishte i qetë, pa ndonjë ngjarje të veçantë e me një verë të përgjumur. Por kur e mendon tani, mënyra se si rrodhën gjërat më vonë, sa shpejt e tërësisht u transformua një vend i tërë, u duk ndoshta një paradite qershori të atij viti, kur një njëzet-e-ca vjeçar hyri me shpejtësi me makinë në rrugën kryesore të lagjes sime, te rruga “Myslym Shyri”. Me rrotat që kuisnin, vetura bënte zigzage nga një qosh trotuari tek tjetri, derisa në fund dha frymë e u përplas në një pemë në fund të rrugës, ngjitur me kioskën ku Rriku shiste gazeta.

Por para se të përplasej, mu përballë kinemasë, Fiati polak i ra gegës sonë, akullorexhiut të lagjes, duke e marrë shtatë-tetë metra zvarrë para se ta linte përtokë. Karroca iu përmbys, termoset u bënë copë, akullorja u derdh në asfalt. Filluan të mblidheshin kureshtarët, pastaj erdhën sirenat: policia dhe ambulanca që e çoi atë mesoburrë në spital.

Ki parasysh Tiranën e para dyzet vjetëve – ato pak vetura në qarkullim ishin o të shtetit o të partisë, kështu që lajmi se një veturë e hallakatur e kishte fshirë gegën me gjithë lugë akulloreje mori dhenë.

Nuk e di nëse ai kujtim i largët do dilte në shesh sërish nëse para tre-katër vjetësh nuk do kishte dalë një fotografi e gegës në një nga ato forumet nostalgjike të Facebook-ut. Faqja në fjalë i kushtohet periudhës së vonë të komunizmit në Shqipëri dhe quhet “Na ishte dikur”.

Në atë fotografi, gega shihet teksa shtyn karrocën në sheshin “Skënderbej” dhe një vajzë që ecë drejt tij me akullore në dorë. Në sfond, pankarta gjigante me portretin e Enver Hoxhës rri varur në kolonat e Pallatit të Kulturës.

Gjysma e qindra e qindra komenteve nën atë postim shpërthenin me mllef ndaj diktatorit, gjysma tjetër ishin gjithë mall për akullorexhiun tonë. Si fotografi u shpërnda 200 e kusur herë. Edhe Enveri edhe gega ishin dy figura të përhershme të fëmijërisë sime, kështu që atë foto e shpërndava dhe unë.

“Të kujtohet si i ra makina gegës?” më shkroi një komshi kur pa atë fotografi. Nuk më kujtohej. As nuk e dija që kishte ndodhur. Por kur ma përmendi, fillova të rindërtoj atë fotografi dhe botën prej nga vinte. “Çfarë kishte ndodhur me gegën?” pyesja veten. Kush dhe çfarë ishte ai, në fakt? A kishte, a kishin të gjithë ata shitës akulloresh, emra?

Për tre a katër breza kalamajsh, ai ishte gega i gjatë, për ta dalluar nga Aliu, gega i shkurtër dhe i rrumbullakët me të cilin ndante territorin. Kishim disa të tillë në qytet dhe quheshin kështu se vinin nga veriu. Shqiptarët ashtu ndahen, toskë në jug e gegë në veri, por ne kalamajtë, prej Tirane e poshtë, kur thoshim gegë nuk e kishim fjalën për prejardhjen e tyre. Për ne, gegët ishin shitësit e akulloreve dhe të çikërrimave.

Po ashtu, shqipja që flisnin nuk ishte gegërishtja, me ato r-të e saj të buta dhe ato prapashtesa të ngrëna pjesoresh (nuk thoshte shkû, thoshte shkuar); ose të paktën, shumica nuk e fliste ashtu. Pjesoret e gegës ishin të plota dhe kur thërriste “A-ku-llo-REJ” me atë zë bariton, gjëmonte.

Shumica e gegëve nuk e kishte shqipen gjuhë amtare. Ishin goranë, një grup sllavësh myslimanë prej pllajash malore dhe luginash të humbura aty ku takohen Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut sot. Flasim për rreth 29 fshatra, me ca dhjetëra-mijë banorë në malësitë e Sharrit mes Kukësit, Prizrenit dhe Tetovës.

Gjuhën që flasin mes tyre e quajnë “nashinski”, që do të thotë “e jona” apo “gjuha jonë”. Ajo më shumë u afrohet dialekteve perëndimore të maqedonishtes, megjithëse ka karakteristika të vetat në gramatikë dhe është mbushur me leksik edhe nga serbishtja, shqipja dhe turqishtja e vjetër. Gjatë periudhës osmane, goranët ishin një komunitet pastoral, që i çonin bagëtitë për dimërim deri në fushat e Thesalisë. Por siç tregojnë, shtegtimi i kopeve u ndërpre për shkak të kusarisë, duke e detyruar një pjesë të braktisin bagëtitë dhe të kërkojnë punë nëpër qytete, ku shisnin bozë, qiqra apo hallva në pazar dhe ushtroheshin në mundje.

Për hallvën dhe mundjen

Por, arsyeja që i shpërndau nëpër hapësirën osmane për punë mund të ketë qenë thjesht mbipopullimi. “Ishte emigrim sezonal,” më tregon Thomas Schmidinger, një etnolog austriak. Burrat e kishin bërë zakon të niseshin për kurbet për Shën Mitër, në tetor, dhe të ktheheshin në fshat për Gjuren, ditën e Shën Gjergjit, nga fundi i pranverës. Vera ishte koha për të lëvruar tokën, për të mbjellë patate e thekër, për t’u marrë me bagëtinë, për martesa dhe syneti, që shoqëroheshin me gara mundjeje. Gjatë shtegtimeve, ata punonin si shitës ambulantë çikërrimash ushqimore në rrugë; shisnin qiqra të pjekura apo qebapë. Me kalimin e kohës, ajo për të cilën po njiheshin gjithnjë e më shumë ishin ëmbëlsirat: hallva, boza, salepi dhe akulloret.

Namin për ëmbëlsira mund të kenë filluar ta marrin që në Prizren, i cili ishte tregu kryesor i zonës, më thotë hulumtuesi i ushqimit, Jeton Jagxhiu. Bile deri në vitet ’50, në oborrin e një shtëpie gorane në qytet ndodhej një gropë ku ruhej bora gjatë verës — e domosdoshme në stinën e nxehtë për të bërë akullore dhe pije freskuese në mungesë të frigoriferit. Deri para pak kohësh qyteti kishte dhjetë e më shumë ëmbëltore goranësh.

Në një regjistrim të popullsisë në kohën e Luftës I Botërore del se 90% e burrave goranë ishin hallvaxhinj dhe pastiçerë gjithandej nëpër botë. Tri familje kishin ngritur tezga deri në Aleksandri të Egjiptit dhe po t’u besosh legjendave, goranët i gjeje deri në filifistun — edhe në Kinë i kishin parë. “Unë i quaj marinarët e atyre maleve,” më thotë Jagxhiu. “Udhëtonin larg dhe sillnin me vete historitë.”

Sipas Andrea Pieronit, një etnobotanisti italian që është marrë me ta, kurbeti i bënte dhe më të zgjuar. Marrim, për shembull, hallvën, atë brumë të sheqerosur mielli, susami apo fëstëkësh të skuqur në vaj. Tani hallva në Shqipëri është më shumë ëmbëlsirë xhenazesh, por dikur ka qenë shumë e zakonshme.

Recetë e thjeshtë për të marrë karbohidratet, yndyrat dhe proteinat që të duhen dhe ushqim që ruhet mirë. Mirëpo në të nxehtë, vaji mund të ndahet nga brumi dhe hallva thahet dhe bëhet tullë. Për ta mbajtur vajin brenda masës së miellit, në Lindjen e Mesme përdorin ekstraktin e një bime që turqisht e quajnë çöğen. Por goranët i gjetën një zëvendësues atyre bimëve të rralla me rrënjët e një barishteje të livadheve të tyre që e quanin çujen.

Nuk është çudi të kenë qenë goranët ata që gjetën mënyrën për të bërë bozë joalkoolike, gjë e vështirë kur fermenton drithin. Prej Gore thuhet se mund t’i ketë pasur rrënjët familja Vefa, e cila ka dyqanin më të njohur të bozës në Stamboll.

Nga nuk i gjeje në Ballkan, prej Bosnjës në Kostancë të Detit të Zi, prej Sofies e deri në Selanikun e vjetër. Në fakt, pastiçeria më e njohur për tullumba dhe kadaif sot në Selanik, “Hatzis”, i ka fillimet tek një shitës boze i zbritur aty në vitin 1908 nga Brodi, fshati i Gorës në Kosovë.

Në Beograd ka një dyqan që daton edhe më herët dhe që akoma mbahet nga pasardhësit e themeluesit të tij prej fshatit Zlli Potok. Edhe familja edhe dyqani i tyre mbajnë akoma emrin “Pelivan”, që do të thotë “mundës” në turqisht. Thuhet se themeluesi i ëmbëltores kishte fituar ca para në një kampionat mundjeje dhe ato pastaj i kishte përdorur për të hapur atë dyqan. Dhe aq i njohur u bë ai, saqë emri Pelivan u bë sinonim i fjalës ëmbëltore. Dhjetëra e dhjetëra ëmbëltore goranësh në ish-Jugosllavi kanë marrë atë emër. Prizreni ka pasur Pelivanin e vet. Po ashtu Mitrovica, Nishi apo Subotica. Shkupi ka pasur dy të tillë.

Ashtu siç kishin qytetet e ish-Jugosllavisë pelivanët, Shqipëria i kishte gegët. Disa prej tyre rendnin me tabaka me hallva dhe hasude në kokë gjatë Qafës së Pazarit në Gjirokastër. Të tjerë do të hapnin dyqane ëmbëlsirash në Tepelenë apo Durrës pasi e kishin provuar më parë në Janinë apo Shkodër. Të tjerë ende shkonin të shisnin hallva a qiqra jashtë fabrikave apo shkollave në Vlorë apo jashtë fushave të sportit në Tiranë. Kështu “Gega” u kthye në llagap popullor: Qemal Bala, një goran që kishte zbritur me makinën e vet të akulloreve në Delvinë në jug të Shqipërisë, thirrej nga të gjithë Qemal Gega.

Çifligjet e akulloreve

Kur Tirana u bë kryeqytet në fillim të shekullit XX dhe sidomos me rritjen e shpejtë që mori pas Luftës II Botërore, gegët filluan të vinin me shumicë. Pjesa më e madhe ishin nga dy fshatrat më të mëdha të Gorës nga ana e Shqipërisë, Borja dhe Shishtaveci.

Një a dy prej tyre kishin dyqane. Njëri syresh solli me vete vite të tëra përvojë pune nga Sarajeva; një tjetër një makinë të vjetër akulloreje: një enë ku përzihej qumështi për akullore brenda një ene më të madhe të mbushur me ujë të kripur për ta ftohur. Por pjesa më e madhe, në njërën nga dhomat e shtëpive, që kishin marrë me qira, fermentonin bozën e në tjetrën flinin. Të nesërmen dilnin në rrugë që me mëngjes për ta shitur.

Të pamartuarit, verës ktheheshin në Gorë për të gjetur nuse apo për të marrë rrënjë çujeni për hallvë. Por me kalimin e kohës, sidomos pas viteve ’60, do ktheheshin gjithmonë e më rrallë në fshat. Për Gjuren tani bënin piknikë në kodrat përreth Tiranës.

Një mbasdite në javë, mblidheshin në shtëpitë e njëri-tjetrit, më shumë tek Sabir Sula, i pari goran që hapi dyqan në Tiranë. Shtëpia e tij kishte më shumë oborr që t’i mbante të gjithë – fëmijët loznin, Sabirica, e shoqja dhe gratë e tjera gatuanin, burrat shtroheshin me muhabet, këngë dhe raki.

Kur u shtetëzuan edhe punishtet e vogla nga fundi i të ‘60-ave – duke i dhënë dërmën me një goditje gjithë kulturës së pazareve dhe kafeneve – zanatçinjtë u futën në punë në ndërmarrje shtetërore. Hallvaxhinjtë dhe bozaxhinjtë përfunduan në zinxhirin shtetëror të prodhimit dhe shpërndarjes së ëmbëlsirave.

Disa prej tyre ishin nga të parët që filluan punë në Punishten e Pastave (në Shqipëri “pastat” janë ëmbëlsirat e vogla). Kishte familje, si Fetishajt e Shishtavecit, që kishin nga një anëtar në të gjithë hallkat e prodhimit të ëmbëlsirave. Një vëlla bënte ëmbëlsira dhe torta, tjetri punonte tek punishtja e akulloreve, ku akullorja bëhej në fuçi gjigante dhe akulli fillimisht sillej nga kamionët me blloqe të mëdha. Të tjerë, punonin në pastiçeritë e lagjeve.

Atyre që mbetën u dhanë karroca me biçikletë për të shitur ëmbëlsira dhe akullore rrugëve.

Këta ishin gegët e fëmijërisë sime. Me përparëse dhe kapuçë si infermierë spitali. Shisnin lloj-lloj karamelesh dhe ëmbëlsirash: gjela apo mollë sheqeri; kokoshka të lara me sheqer të karamelizuar, që dikur i quanin “lule Stambolli”; marmelatë mes dy gurabijesh të ngjyera në çokollatë me emrin “Kokë harapi”, apo thjesht ingranazhet, gurabije rrethore me dhëmbëza. Dimrit, kaushët i mbushnin me mafishe, me kajmaklije. Por vinte i ngrohti dhe gegët nisnin t’u jepnin karrocave nëpër lagje duke bërtitur “A-ku-llo-REJ!”

E kishin ndarë qytetin çifligje-çifligje. Nurçja, ai që kishte sjellë makinën e hallvës nga Rumania dhe vitet e punës nga Sarajeva, tani shiste akullore në lindje të Tiranës. Sadja ishte më në qendër. Vajdja kishte zonën nga stacioni i trenit dhe bëhej me nerva kur i thoshin “Cuca” (hundëderr). Në verilindje ishte Aliu rrumbullak, një shqiptar që ishte arratisur nga Maqedonia në të ’60-at. Tani, me emrin “gegë” ndonjëherë thirreshin edhe Reshat rromi dhe Lluka greku, të cilët territoret i kishin në zonat e fabrikave në skajet në lindje dhe perëndim.

Në pjesën e qytetit nga brenda në perëndim, në kufi me Aliun, territori i përkiste Ziqos. Përditë në verë, ai mbushte termoset tek magazina në qendër, pastaj kalonte bulevardin e bërë gjatë fashizmit nëpër blloqet e pallateve të viteve ’60. Kapërcente “Lanën” tek ai hangar llamarine, që ishte sallë ekspozitash me emrin “Shqipëria Sot”.

Pastaj, avash-avash, futej me karrocë tek “Myslym Shyri”, një kilometër rrugë me pemë, trotuare dhe pallate. Ajo rrugë lidh qendrën me Unazën nga perëndimi, ndan blloqet drejtkëndëshe të banesave nga jugu prej rrugicave me shtëpi të vjetra në veri.

I dinim me emra kush shiste apo punonte aty, edhe pse dyqanet nuk i kishin të vetat, por të shtetit. Rradha tek Xhemilja e bulmetit kishte avulluar me kohë kur hynte Ziqoja në rrugë. Tim Pallaveshi i fruta-perimeve. Lil “topalli” i ushqimores, që e rrasën brenda me grupin e kontrabandës së vajit – e vidhnin vajin nga kombinati dhe e shisnin në të zezën në dyqan. Kalamajtë që silleshin para këpucarit, Murat çamit; mbi dyqanin e Muratit, gratë e punishtes së qilimave.

Ishte Shati, berberi dhe Sati i kinemasë, që ndonjëherë na linte t’i hidhnim një sy filmit nga dhoma e projektimit. Tek dera e daljes së kinemasë kishim gërryer vrima që të shihnim filmin pa u lodhur që të futeshim brenda, por ato vrima nuk hynin në punë gjatë gjyqeve publike, sepse kishte policë. Kjo ishte lagjja.

Ziqoja e llogariste që në 10 e gjysmë të ishte tek shkolla tetë-vjeçare për pushimin e madh, që pastaj të arrinte pushimin e orës 11.00 tek reparti i rrobave të gatshme, ku i punonte e bija. Pastaj, e bënte xhiron nga e para.

Zeqir Kamberi e kishte emrin e plotë. Baba i pesë fëmijëve me shtëpi një-katëshe qerpiçi në lindje të Tiranës. Ziqoja është gega që mbajmë mend unë dhe të tjerët, që fëmijërinë e patëm në atë lagje ato vite; është personi fotografia e të cilit qarkulloi në Facebook në 2019-ën.

Jeta e një gege

Gjatë verës, gegës do i dilte përpara Nasrudini, që vinte me gomar në lagje për të shitur dru zjarri. Dhe Nasrudini do i blinte dy kaushë me akullore, njërin për vete dhe tjetrin për gomarin. Arben Cullhaj, që është rritur në lagje, tregon se kalamajtë e pyesnin: “Po pse, i jepet akullore gomarit, o Nastradin?” Dhe Nasrudini u përgjigjej: “Ka vapë edhe gomari.”

A-ku-llo-REJ!

Kalamajtë dilnin me vrap prej shtëpive, zbrisnin shkallëve dhe mblidheshin rreth karrocës. “Durim” thoshte gega. “Ka për të gjithë.” Kalamajtë përpiqeshin të kacavirreshin në karrocë për të parë brenda termosit, por nuk ai nuk i linte. Kështu shkonte bllok mbas blloku.

Kamberët kishin ardhur në Tiranë viteve ’50, babai, një vëlla më i madh dhe Ziqoja vetë. Një a dy breza më herët, familja shiste ëmbëlsira rrugëve në Rumani. Siç e mbajnë mend, gjatë Luftës së Parë Botërore, gjyshi i Ziqos me vëllezër përfunduan të internuar në Sevastopol të Krimesë, ku nxirrnin ndonjë pare si hamej. Pastaj paguan për një vend në një anije për Stamboll dhe mbetën në Turqi deri sa filloi Lufta e Dytë, kur u kthyen në fshat, në Borje.

Në fillim Ziqoja nuk punoi me të atin kur erdhën në Tiranë. Bëri ushtrinë në Përmet – dhe nga atje kishte marrë shqipen në fillim – dhe pastaj gjente punë në ndërtim. Por kur u martua me një grua nga fshati, u fut në biznesin e familjes. Viteve gjashtëdhjetë, në dyqanin e tyre, mes një kasapi dhe një berberi, Kamberët bënin hallva dhe akullore. Gratë rrinin përgjithësisht në shtëpi, dhe si shumë gra gorane që jetonin me familjet në kurbet, nuk e mësuan mirë gjuhën e vendit, megjithëse fëmijët flisnin kryesisht shqip.

Kur ua mori shteti dyqanin në 1967-ën, bashkë me të vëllain u bënë gegë akulloresh në shtet.

Nuk ishte punë e keqe të shisje akullore gjatë komunizmit, sepse përveç rrogës, merrje para shtesë për numrin e kaushëve me akullore të shitura. Me pak hile, arrije të bëje dy a trefish rrogën. E mbushje kaushin me më pak akullore nga ç’duhej, si rezultat shisje më shumë kaushë dhe në fund të muajit, merrje më shumë para nga inxhinieri apo polici.

Etleva Qinamit i kujtohet si mësonte hile dhe fjalë nga gega. As dhjetë vjeç nuk ishte, atëhere nga fundi i viteve ’70 dhe dëgjoi “A-ku-llo-REJ” të gegës dhe zbriti me vrap poshtë, kur pa që kishte vetëm katër lekë, jo pesë lekët që duheshin për një akullore. “Më ra një lek në rrugë,” i thotë. “A ma jep një akullore për katër lekë?”

“Eh, ç’të di tajarja ty!” iu përgjigj gega, dhe ja dha akulloren. Kur shkoi në shtëpi, Qinami pyeti të atin. “O ba, çfarë është tajarja?”

Ditën e mbyllte mbasdite. Nganjëherë, akulloren e mbetur e çonte në pastiçeri ku riciklohej, ose ua jepte kalamajve të atyre që njihte.

Humbja e një tradite

Kur i ra “Fiati” polak në qershor të vitit 1983, Ziqoja kishte qenë duke i dhënë akullore një fëmije me të atin. Nga spitali, ambulanca e solli po atë darkë në shtëpi. Ishte mbështjellë me fashë i tëri. Ishte i topitur, e ju desh kohë t’i tregonte njerëzve të vet çfarë kishte ndodhur tamam, siç e kujton e bija, Fatbardha.

Por kishte pasur fat, plagët i kishte vetëm gërvishtje. Morëm vesh më vonë që ai djali që i ra e kishte marrë Fiatin tek një ministri në qendër mbasi kishte shitur mend në lokal se ishte i zoti ta hapte atë veturë me çelës biçiklete. Siç doli, o ai, o e motra e tij, kishin qenë në shkollë me një nga vajzat e Ziqos. Një ditë vajti ta takonte — kishte qenë i pirë, i kishte thënë, dhe i kishte kërkuar falje. Gega e fali në fakt, edhe në gjyq, sepse në fund të fundit ja kishte hedhur mirë. Sa hyri gushti, ashtu me fasho siç ishte, u kthye me karrocë akulloresh rrugëve.

Prej atyre dy protagonistëve të asaj fotografie Facebooku, diabeti ia mori jetën Hoxhës në 1985-ën dhe gega doli në pension tre vjet më pas, kur bëri 60 vjeç. Dhe disa vjet më vonë, në 1990-ën, brezi që e hodhi përtokë me makinë të vjedhur arriti të rrëzojë të gjithë sistemin dhe o u vu në punë të ndërtonte një vend tjetër, o iku fare. As fëmijëve të akullorexhinjve nuk u interesonte më zanati i vjetër.

Edhe për ata që bënë përpjekje për ta mbajtur si traditë, kishin ndërruar brezat. Fetishajt, për shembull, familja që bënte akulloret dhe tortat e Tiranës, kur u liberalizua ekonomia në vitet ’90, nisën të shisnin ëmbëlsira me tezga rrugëve. Por kur Ajet Fetishaj pa të birin pas tezge me bluzë ngjitur mbas trupi dhe syze dielli, psherëtiu. “Nuk shiten kështu ëmbëlsirat, o jo!”

Djali i madh i Ziqos, Gëzimi, që punonte mekanik, iku shpejt për Greqi. Familja nuk e ndoqi, por kur Ziqoja i kërkoi një makinë moderne akulloreje që të bënte aq sa të shiste në lagje, ia çoi. “Më sill atë dhe çfarëdo lloj arome që të gjesh,” e pati porositur Ziqoja.

Për nja gjashtë-shtatë vjet, shiti akulloren që bënte me karrocë tek shkolla afër shtëpisë, por nga viti 2000, kur po e linin fuqitë, e la si punë përfundimisht.

Djali që vajti në Greqi kthehet rrallë në Tiranë. Djali i vogël, që njihej në zonë si Çimi i 97-ës pasi pati bërë emër në atë vit, u largua edhe ai nga Shqipëria. Ziqoja ndërroi jetë në 2007-ën, pesë vjet para se djali i vogël të humbte dhe ai jetën në një aksident të çuditshëm në veri të Italisë.

Kurbeti që kthehet në emigrim

Këto vitet e fundit, një minibus “Mercedes” me regjistrim britanik lidh Mançesterin dhe qytetet rrugës – Londrën apo Uluiçin (Woolwich) – me Shishtavecin në Gorë. Sjell mallra nga perëndimi në fshat dhe çon mall nga fshati në Angli. Qëllon të sjell rrota kaçkavalli dhe pastërma shtëpie që prindërit ua çojnë fëmijëve, që jetojnë në Londër. Qëllon që të sjell rrota kaçkavalli dhe pastërma nga Londra për prindërit në Shishtavec sepse nuk kanë para t’i blejnë.

Kur e kam bërë për herë të parë rrugën e Gorës para njëzet e kusur vjetësh, në krahinë kishin mbetur vetëm pleqtë. Por tani të ardhurat nga emigracioni kanë rregulluar një pjesë të mirë të shtëpive dhe çdo verë, të rinjtë kthehen me para dhe energji. Shumë prej tyre përdorin linjat e lira për të ardhur, dhe sjellin bagazhin me mikrobus nga Anglia. Ka që rrinë me javë, për të bërë dasmat dhe synetet, madje ka edhe nga ata që vijnë që kur hyn i ngrohti për Shën Gjergj.

Shumica e goranëve tani emigrojnë në perëndim. Gjatë stinës së kthimit në shtëpi, vetura me targa italiane mbushin rrugicat e Restelicës, fshatit më të madh në Gorë. Banorët e atij fshati patën emigruar në Monteroni d’Alba, një qytezë afër Sienës, që prej viteve ‘80. Një fshat tjetër, Krusheva, ka krijuar komunitet në Muluzë të Francës. Shumë vite mbasi u hap Shqipëria, borjanët i kanë hedhur sytë drejt Gjermanisë.

Jo më për të shitur hallva apo qiqra.

“Si zanat nuk të lë pa ngrënë, por nuk të bën të pasur,” më thotë Musa Kingji nga Shishtaveci, i cili merret me historinë e zonës.

Si zanat, gega mori me vete formën dhe të çarat e shekullit XX. Kur u shpërbënë perandoritë dhe u vunë kufij, u kufizuan lëvizjet dhe tregjet. Erdhi komunizmi dhe fshiu krejt iniciativën private. Dhe kur edhe pastaj komunizmi e mori atë rrugë, kurbeti u transformua në emigracion në perëndim: me punë në ndërtim, larje makinash, pastrim shtëpish dhe shërbime, shitje satelitësh apo tregëti të vogla e të mëdha, të ligjshme e të paligjshme. Zanate që paguajnë më shumë se hallva.

Në fakt, ka ende ëmbëltore goranësh në ish-Jugosllavi apo Turqi, por edhe atje po rrallohen. Vetëm tri pastiçeri gorane ka tani Prizreni dhe pelivanë nuk ka më.

Verën që shkoi isha tek shtëpia ku kishte jetuar Gega—aty ku dikur kishte qenë kufiri i Tiranës nga juglindja—tani ishte zhytur mes pallatesh të reja. Dera e drurit, e dalë boje, hapej në një oborr të ngushtë përgjatë të cilit kishte dy dhoma. Tek e para, një kolltuk ishte hedhur mbi një grumbull tullash në dysheme. Tek tjetra, pak mobilje. Në një aneks në fund të oborrit, të mbuluar me perde garze, bënin akulloren viteve ’90. Një kaposh kërcente dhe klloçiste. “Na mban me muhabet,” më thotë Fatbardha, vajza e vogël e Ziqos, që tani është 58 vjeç.

Seli Fetishaj, djali i Ajetit të tortave dhe nipi i Ramadanit të akulloreve, tani merret me furnizimin e magazinave me ilaçe për një kompani në Tiranë. Bashkë me të vëllanë, në 2007-ën, patën shembur shtëpinë e vjetër dhe ndërtuan një tre-katëshe në vend të saj. Dhoma në qoshe, ku i ati dikur bënte ëmbëlsirat, u zhduk. Me atë vajtën edhe kusitë dhe veglat.

“Vitet e fundit, babi ulej në oborr me mëngjes. I fiksonte sytë aty ku kishte qenë dhoma ku bënte ëmbëlsirat, sikur priste të dilte prapë. Nuk i besohej se nuk ishte më aty. Rrinte ashtu, si i paralizuar, me orë të tëra.”

Para ca vitesh në plazh në Durrës një burrë në moshë, i gjatë dhe ezmer, po u shiste lule Stambolli – të kujtohen? Janë ato topat e kokoshkave të karamelizuara – turistëve në breg. U tha çmimin, 10,000 lekë të vjetra, domethënë 1,000 të reja apo aty afër 10 eurove.

Marifeti klasik në Shqipëri. Edhe se ka kaluar mbi gjysmë shekulli kur shteti e rivlerësoi lekun, prapë kur thonë 10,000 lekë, kanë parasysh një mijë. Turistët nuk e dinin këtë dhe nuk dinin as sa lekë ishte një euro. Për 10 euro mall, dhanë 100.

Aty kishte qëlluar një mësues dhe shkrimtar nga Borja me emrin Nevruz Mehmeti.

“Ovja im go šibna dosta!” i klithi vetes. “O, sa keq ia futi!”

Shitësi i luleve të Stambollit ngriti kokën.

I thotë Nevruzit: “Od kede si dečko?” Nga je, djalosh?

“Od Borje!”

“Nemoj! A me, poznavaš mene?” Jo ore! E mua, më njeh?

U morën vesh që shtëpitë në fshat i kishin ngjitur.

“A tebe ka te vikaje?” Po ty, si të quajnë? e pyeti Nevruzi.

“Jashar! Živim vo Tirana i cev život so ovja som se zimaf. Svi me poznavaje!” i përgjigjet. Jetoj në Tiranë dhe këtë punë kam bërë gjithë jetën. Të gjithë më njohin.

Filluan t’u afroheshin disa turistë. Shitësi i piprave u frikësua, mendoi se do të ishin ata të mëparshmit që po vinin t’i kërkonin lekët mbrapsht, kujton Nevruzi.

“Zemige ovja lopke i jadige,” i thotë. Merri këto topsheqeret dhe t’i hani. “Ja go izvadi račun za deneska. Selam svim vo Borje od Jashara!” Për sot më ka dalë hesapi. Të fala të gjithëve në Borje nga Jashari.

Ashtu iku.

E kishte emrin Jashar Berisha. Dikur, viteve ’70-’80, kishte punuar në një pastiçeri lagjeje në Kombinat në Tiranë, duke shitur ndonjë pipër mënjanë. E mbanin mend si të dhënë mbas grave dhe si qefli të fotografisë. Vdiq parvjet. Sipas llogarisë që bëj, duhet të ketë qenë i fundmi i gegëve. Por ka kaluar shumë kohë që kur ky emër nuk do të thotë më gjë, si zanat nuk vlen më as pesë lekë.

DOSSIER

Rrëfëmi i ish-kreut të shërbimit sekret: Kur Papandreu filloi përgatitjet për heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë

Me ngjarjet e Kosovës qarqet ekstremiste filluan të gjallërrojnë në Greqi”. Kështu shprehet studiuesi dhe eksperti i Çështjeve të Sigurisë Kombëtare, Irakli Koçollari, I cili vjen në një rrëfim të jashtëzakonshëm në “Mes dy botëve” përballë kavaletit të Helidon Halitit në RTSH. Si një ish diplomat, Koçollari, kujton vitet ’80 ku në Greqi ngritën kokë qarqet nacionaliste, ndërsa flet dfhe për Ligjin e Luftës mes dy vendeve tona. “Me ngjarjet e Kosovës qarqet ekstremiste filluan të gjallërrojnë në Greqi. Tamam në atë kohë shfaqet një libër në gjuhën greke, “Dy popuj jemi miq” (Libri i Enver Hoxhës), i cili ishte një mesazh për të thënë që ne jemi miq. Ai rendit atje disa fakte historike. Mendoni që ishte në të njëjtët kohë që ishin konfliktet dhe ishim tensionuar ekstremisht më ish-Jugosllavinë. Duhet ditur që Jugosllavia ishte fuqia e pestë ushtarake në Europë. Raportet me Greqinë duheshin të ishin raporte të mira dhe të sinqerta. Aq më tepër duke marrë në konsideratë kontributet e shqiptarëve në historinë e popullit grek, veçanërisht në pavarësinë e saj janë unike. Dhe këto shërbyen si fakt. Ata mbanin Ligjin e Gjendjes së Luftës dhe ti je midis dy luftërave, por asnjë vend ,qoftë dhe fuqia më e madhe në botë nuk e ka përballuar dot luftën në dy fronte. Në këtë kohë filluan përgatitjet nga qeveria “Papandreu” për heqjen e Ligjit të Luftës”, shprehet Koccollari.

Ai nënvizon se kjo nismë e Papandreut acaroi edhe më tej qarqet ekstremiste greke, ndërsa tregon dhe ngjarjet e atyre viteve gjer në djegien e automjeteve te ambasadës sonë atje. “Në atë kohë ka pasur një fushatë ekstreme antishqiptare, i ka të pakontrolluara ato qarqe. Shumë nga këto qarqe, vërtet mund të dalin nga rrjeshti, por në një shtet serioz veçanërisht për çështje që cenojnë sigurinë e saj dhe raportet e sja ndëkrombëtare, nuk duhet t’i lejojë kurrsesi. Iniciativa dhe mendësia për një miqësi mes dy popujve i takon Papandreut. Në atë kohë u bënë dhe akte të shëmtuara. Bënë demostrime para ambasadës, zjarr makinave, për të mos thënë hedhje në erë të makinave tona që publiku nuk i di. Kanë djegur komplet makinën”, thotë Koccollari.

Studiuesi Koçollari shprehet se trodjet e shqiptarëve nuk kanë qenë treva ekspansioni, por ristriksioni.
“Brumi i mentalitetit të një populli është ai që është ngjizur ndër shekuj. Nuk e bëjnë 20 apo 30 vite. Në tërë historinë para shpalljes së shtetit shqiptar, por dhe përpara asaj dhe më pas asaj, çuditërisht po ta shikojmë, ne nuk kemi asnjë autor, asnjë studiues, asnjë politikan shqiptar me pikëpamje dhe mendësi ekspansioni kundër fqinjëve. Nuk ka. Të tjerët kanë platforma. Serbët në veri dhe grekët në jug kanë njerëz të ngritur që i konsiderojnë si balllarët e vendeve të tyre që kanë bërë platoforma për shkombëtarizimin dhe ekspansion kundër popujve fqinjë si Shqipëria.
Nëse do të përmend këtu serbët kanë deri në nobelistë që thonë: “Të theren shqiptarët”, “Të vriten shqiptarët”. Më gjej një shqiptar të thjeshtë që thotë “Të shfarosen serbët”?!.Nuk kemi një platformë os etë punuar qoftë dhe nga një individ me urrejtje nacionale apo me pretendime territoriale ndaj të tjerëve.
Gjithmonë kru diskutojmë për këtë temën më vjen në mendje një frazë e Çabej kur flet për shtrirjen territorial historike të popullit tonë dhe gjendjen faktike të trojeve shqiptare dhe të shtrirjes së popullsisë shqiptare sot. Thotë: “Trojet e shqiptarëve nuk kanë qenë treva ekspansioni, por ristriksioni”. Gjithmonë të mbledhura dhe kemi arritur këtu ku jemi. Unë s’dua të bëj tani nacionalistin, por të vërtetat historike janë të vërteta historike”, shprehet ai.

Continue Reading

DOSSIER

Arkitekti i njohur: Muzeun e Krujës nuk e projektoi vajza e Enver Hoxhës, por unë

Nga Ani Jaupaj

Pasi e kishin shtyrë për vite të tëra realizimin e këtij muzeu, Enver Hoxha vendosi më në fund që ta ndërtonte pikërisht atëherë, kur e bija të diplomohej në Arkitekturë. Kjo do të ishte mbrojtja e saj e diplomës, sado që nota ishte e padiskutuar. Arkitekti Robert Kote dhe gurgdhendësi Kurt Murati, na tregojnë sot të vërtetën.  Siç e gjithë Kruja pohon; muzeun e këtij qyteti e ka realizuar zbatuesi i projektit, Robert Kote dhe jo projektuesja Pranvera Hoxha. Inxhinieri e arkitekti Robert Kote, punën që bëri në muzeun e Krujës do ta bënte patjetër, për sa kohë ishte me urdhër nga lart. Vetëm se urdhri i kishte ardhur shumë vite përpara realizimit. Askush nuk po e kuptonte se çfarë ndodhte, pse po vonohej puna, pse po lihej pezull…! Papritmas, një ditë e thërrasin sërish, tashmë për ta përfunduar…!

Profesor Roberti, si është historia e Muzeut të Krujës?

Historia e muzeut ka nisur shumë vite përpara se të punohej vërtet me të. Në vitin 1967, Enver Hoxha bëri një vizitë në Krujë, gjatë së cilës vizitoi edhe muzeun e vjetër. Pas kësaj bëri një letër, në të cilën e kritikonte, duke thënë se nuk i kishte pëlqyer ky muze. Në këto kushte, sinjali ishte i hapur që; “merrni masa të bëni një tjetër”.

Kjo ka qenë koha kur unë, bashkë me një mikun tim që jetonte në Krujë, nisëm të bënim projektet e hamendësimet e para. Si mund të ishte, ku mund të ndërtohej?! Letra thoshte vetëm që s’i pëlqente, por nuk jepte indikacione të tjera. Si përfundim, asgjë nuk u bë. Kaluan disa vite. Unë isha pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë, kur më thërrasin sërish. Në një takim me ministrin Thoma Deliana dhe Aleks Budën, vendosim të shkojmë në Krujë, për të parë terrenin.

Jo. Shkuam të tre bashkë me Foto Çamin, që ishte sekretari i parë i Komitetit Partisë së rrethit të Krujës dhe asnjëri nuk merrte përsipër të thoshte një mendim, donin ta anashkalonin, sepse u druheshin fjalëve të Enverit. Kështu u larguan nga vendi të gjithë me radhë dhe nuk u mor asnjë vendim. U kthyem sërish në Tiranë, pa bërë asgjë. Ngeli sërish varur kjo çështje për disa vite, deri sa një ditë na vjen papritmas lajmi, se do të ndërtohej muzeu.

Nga Enver Hoxha, projekti i atij muzeu, unë e kam thënë gjithnjë që ka lindur në shtëpinë e tij. Sidoqoftë, neve na erdhi kaq papritur të gjithëve, por kuptohet askush nuk guxonte të fliste.

Çfarë kishte ndodhur papritmas?

Pranvera, e bija, studionte për Arkitekturë dhe kishte ardhur koha të mbronte diplomën. E bëri me këtë projekt.

Jo, të gjithë fëmijët e udhëheqësve, kanë qenë studentët e mi, e bija e Hysni Kapos e, me radhë, por Vera jo. Më duket kam qenë në Kinë, në vitin kur i takonte t’i jepja lëndën.

Kurt Murati, një nga punëtorët e muzeut, na ka thënë se megjithëse në letër ishte emri i Pranverës, nuk ngelën shumë gjëra nga plani. Pra, u tjetërsua. Thotë se në fakt, e keni bërë ju…?

Në Krujë kështu thonë të gjithë. Në fakt, zyrtarisht unë isha zbatuesi i projektit, pavarësisht se projekti ishte fare diletant, për ta lënë ashtu. Kur ma dhanë, unë ia thashë këtë gjë Xhemal Dymyles, ish-sekretar i parë i Komitetit të Partisë në Krujë. Përgjigjja e tij ishte; shih e bëj vetë, rregulloji gjërat.

Ju çfarë bëtë? E tjetërsuat?

Bëra shumë ndryshime. E para sepse zbatimi i projektit, do bërë në përputhje me terrenin, me gjetjet arkeologjike. Gjatë punimeve, mund të dalin shumë gjëra të paparashikuara, që të bëjnë të ndryshosh planet. Por, përveç tyre, bëra ndërhyrje të tjera.

Si reagoi Pranvera ndaj kësaj, puna e saj s’po bëhej ashtu siç e kishte dhënë…

Ndryshimet po bëheshin për mirë, kështu që s’kishte pse të reagonte.

Po mund të ketë ardhur rreth 5 herë, në ato 4 vite e dy muaj që u ndërtua muzeu, jo më tepër. Një herë ishte për një intervistë që ka dhënë në muze, për Alfons Gurashin. Unë nuk e kam parë kurrë atë intervistë, ama e di që është bërë. S’di pse nuk e kanë shfaqur kurrë. Nejse…!

Në fillim, kur sapo nisi puna, Pranvera ishte më duket në Francë dhe nuk erdhi, pastaj kur u kthye erdhi e pa. Ndërkaq, unë kisha bërë 2 metra mur, të cilin e prishën, sepse nuk u pëlqente. Kaq. Por në mënyrë të vazhdueshme ata i ndiqnin punimet përmes filmimeve dhe fotografive që u shkonin përherë. Ishte një person i ngarkuar enkas me këtë punë, të fotografonte e filmonte.

A patët ndonjë “konflikt” gjatë kësaj periudhe? Jo se ju mund që t’i kthenit fjalë, por pakënaqësitë duken…?!

Jo, nuk pati pakënaqësi, për fat përfundoi me sukses, përveçse u vonua ca në kohë.

A nuk ishte kjo pakënaqësi për ta?

Edhe mund të ishte, por nuk kishte alternativa të tjera. Për kohën raportohej vazhdimisht. Merrej me këtë punë Ramiz Alia, i cili kur më pyeti një herë, i thashë të vërtetën, se nuk mund ta përfundonim, siç ishte parashikuar. Pas kësaj, ai na mblodhi bashkë me Pranverën dhe ministrat. “Pse jepni informacion të gabuar? – tha”. Ndërkaq, i kishte shkuar Enverit një letër nga banorë të Fierit, për një sallë teatri, që ishte shumë e vogël. U tërhoqi vërejtje për këto dy gjëra, muzeun dhe sallën.

Përfundoi një vit e pak më vonë, sepse edhe po të arrihej si ndërtim, nuk do mund të arredohej. Dhe në fakt, edhe ashtu siç u arredua, ishin sajesa, sepse ai quhet vërtet “Muzeu i Skënderbeut”, por prej tij e kohës së tij, aty nuk ka asgjë. Sidoqoftë, pas mbledhjes u dhanë disa fonde shtesë, në mënyrë që të realizohej.

Çfarë reagimesh kishte, pasi e përfunduat punën?

Reagimet ishin të mira, muzeu u pëlqye, megjithatë qëndrimet e tyre ndaj meje, nuk di pse, qenë gjithnjë jo të mira. Mua më kishin qarkulluar në Krujë, përpara kohës së muzeut dhe, në përfundim të tij, Pranvera më kishte premtuar, se do të më transferonte në Tiranë.

Ishte premtim që ajo e bëri publikisht në sy të të gjithëve, por nuk e mbajti. Edhe Ramiz Alia, sado që i thashë disa herë, nuk e bëri. Nuk e kam kuptuar këtë reagim, megjithatë, ndaj ne “punëtorëve” që realizuam muzeun, ngeli gjithnjë një qëndrim jo fort miqësor, meqenëse ishim të gjithë si me biografi jo të mirë. Prandaj edhe vendosën të mos na përfshijnë as në fotografinë përfundimtare, që u bë pas inaugurimit. Morën pjesë në të vetëm artistët, ne jo.

Erdhi Enver Hoxha në inaugurimin e veprës së vajzës së tij?

Mbaj mend se Sulo Gradeci, erdhi me një makinë të vogël në ngjyrë portokalli, me të cilën tentoi të hynte në Kalanë e Krujës. Por Enver Hoxha nuk erdhi. Të gjithë u çuditëm përse Enver Hoxha, nuk kishte ardhur për në inaugurimin zyrtar!

Si është e mundur, u kujdes kaq gjatë për ta realizuar?

Jo vetëm u kujdes, por faktikisht, ajo quhet vepër e Enver Hoxhës. Ne pritëm deri më datë 1 nëntor të vitit 1982, që të vinte Enver Hoxha, shikonim të gjithë se kur do të vijë, por asgjë. Nga Byroja Politike, erdhën të gjithë, që nga Nexhmie Hoxha, Ramiz Alia, etj., por ai nuk erdhi. Kjo ngelet një enigmë, që nuk ka marrë ende një përgjigje konkrete.

Ai ndoshta mund të ketë qenë i sëmurë. Më vonë u hapën dhe fjalë që donin ta vrisnin me atentat, pasi e kishin parashikuar se do të vinte atje. Por këto ngelen vetëm fjalë. Kujtoj se në atë kohë u arrestuan disa njerëz me origjinë kosovare, në Laç dhe në Fushë-Krujë, por a kishin lidhje me të, apo jo, kjo nuk dihet!

Gur-gdhendësi Kurt Murati: “Projekti i Pranverës, i ngjante një bunkeri”

Kanë kaluar aq shumë vite, saqë Kurt Murati nga ndërtimi i Kalasë së Krujës, kujton vetëm “ngjarjet kryesore”. Ai vetë ka qenë gurgdhendës për tre vite. Do ta çonte punën deri në fund, po ta lejonin. Si çdo ndërmarrje, rrugë a shtëpi, edhe aty ishin të dërguarit e posaçëm, për të marrë e çuar zëra.

Jo se dëgjohej ndonjë gjë, kush të pipëtinte, po ngjarjet mund të krijoheshin edhe vetë. Ndër gurgdhendësit, Kurti ishte më i vjetri, përvoja e të cilit njihej jo vetëm në veprat e qytetit ku banonte. Për këtë, përveçse të skaliste gurin, shkëmbente shpesh mendime me zbatuesit e projektit. Zbatuesi nga ana e tij, marrëdhëniet i kishte me realizuesin.

Zyrtarisht, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” mban firmën e arkitektes Pranvera Hoxha dhe të Pirro Vasos. Emri i këtij të fundit, nuk kishte pse të lakohej kaq shumë. Fundja, asokohe, të gjithë përmendnin vetëm Pranverën. Në fund të viteve ’70-të, e bija e Enver Hoxhës, po i dhuronte vendit një vepër të madhe. Por cila është e vërteta e këtij muzeu? Me aq sa kujton, Kurt Murati, ai që e ka bërë me dorën e tij muzeun, na tregon…:

Kush e ka bërë projektin e Muzeut të Skënderbeut nw Krujë?

Përveç rëndësisë që ka ai muze, si ndër pak më të rëndësishmit në Shqipëri, në kohën që nisi ndërtimi, u bë dyfish i rëndësishëm për shkak të emrit të arkitektes, asaj që bëri planin e parë të Muzeut, Pranvera Hoxha.

Pse planin e parë, pati të dytë?

Në letra jo, d.m.th., zyrtarisht jo, që të dihej nga të tjerët.

Çfarë duhet të dinin të tjerët?

Që pavarësisht të gjithave, vlerave të arkitektes e të tjera, atë muze e ka bërë zbatuesi i planit. Arkitekti Robert Kote, që si edhe unë ishim me “njollë” në biografi, thuajse e ka ribërë projektin e parë. Natyrisht këto gjëra nuk thuheshin lart e poshtë, askush nuk merrte vesh se ç’bëhej, por ata që kishin parë planin e parë të punës, e kishin shumë të thjeshtë më pas të bënin ndryshimin.

Ishte një projekt i ngjashëm me bunkerin, por asgjë nuk u bë nga ajo, u tjetërsua e mori pamjen që mund të shihni sot. Memorie.al

Continue Reading

DOSSIER

Gazeta amerikane: 1 milion e 250 mijë banorë, sundohen nga 48 mijë komunistë të cilët, i betohen për besnikëri diktatorit bukurosh dhe mizor Enver Hoxha…

“Ashtu si ferri i Dantes, komunizmi ka nivele të ndryshme të tmerrit dhe mizerjes. Javën e kaluar, një ministër kabineti i qeverisë thellësisht staliniste shqiptare, gjeneral-major Panajot Plaku, u arratis nga atdheu i tij, duke rendur në mes të natës nëpër shtigjet që pat mësuar së pari si partizan në Luftën e Dytë Botërore, për të kaluar në Jugosllavi. Plaku është komunisti i rangut më të rëndësishëm mes 5-6 mijë shqiptarëve, që i janë larguar errësirës së atdheut të tyre, që nga koha e luftës…”! Kjo hyrje është pjesë e një shkrimi jo të gjatë të edicionit të datës 3 qershor 1957, të revistës amerikane ‘Time Magazine’.

Arratisja e madhe kishte ndodhur në mesnatën e 15-16 majit 1957, pra rreth dy javë më parë; lajmi ishte shokues dhe efekti zgjati disa vjet, sepse megjithëse brenda një vendi të izoluar ilaçi gjendet shumë shpejt, duke e etiketuar ushtarakun e njohur si; “tradhtar, armik, agjent”, etj., etj., buja do të vazhdonte jashtë Shqipërisë, në Lindje dhe në Perëndim.

Aq sa çështja Panajot Plaku do të kthehej edhe në objekt bisede mes Enver Hoxhës e Mehmet Shehut. nga njëra anë, dhe Nikita Sergejeviç Hrushovit. nga ana tjetër. “Pse nuk e rishikoni qëndrimin tuaj ndaj Panajot Plakut, dhe ai të kthehet në atdhe”? sugjeroi lideri sovjetik, gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1959. Përgjigja nuk linte vend për ekuivoke: “Panajotin nuk kemi ndër mend ta falim. Bile po të na e sillni në Shqipëri, do ta varim në mes të Tiranës”!

Në bazë të studimit të disa dokumenteve interesante të historianit Albert Kotini, ne jemi përpjekur në këtë shkrim të rindërtojmë historinë tashmë prej kohësh të harruar të Panajot Plakut. Arratisja e ministrit shqiptar, nuk ishte e rastësishme. Nuk ishte as makinacion agjenturash, nga ato që diktatura komuniste nuk e kishte të vështirë t’i artikulonte: “Dali Ndreu e Liri Gega u kapën pa mundur të arratiseshin, ndërsa Panajot Plaku, ia doli me ndihmën e Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut”, siç do të thuhej shumë vite më pas.

Historia duket të jetë mjaft më e thjeshtë se kaq, atij po i rrezikohej jeta personalisht, pasi pothuajse të gjithë njerëzit e spikatur të familjes dhe farefisit, po ia eliminonin një nga një. Dhe në vendin që sipas Time-s; “një milion e 250 mijë banorë, sundohen nga 48 mijë komunistë të cilët, i betohen për besnikëri diktatorit bukurosh dhe mizor Enver Hoxha”, këto fenomene nuk ishin të pazakonta. Megjithatë, e pazakontë dhe e rëndë akoma dhe për një diktaturë, ishte sjellja e regjimit ndaj Panajot Plakut dhe familjes së tij.

Në kartelën e tij personale me numër 21, jepen këto të dhëna: “Është arratisur në Jugosllavi më 15 maj 1957. Ka lindur në Hoçisht të Korçës, më 17 mars 1919. Flet dhe shkruan gjuhët rusisht, italisht dhe më pak anglisht e frëngjisht. Josif Plaku, është arrestuar, si babai i Panajotit, në vitin 1940 nga regjimi në fuqi. Ka dy vëllezër dhe dy motra, të quajtur Kalo, Koço, Theodora e Meri Plaku. Ka patur si pronë 18 ha. tokë, 2 shtëpi, 7 lopë dhe tre kuaj, të cilat ia dorëzoi të gjithë Reformës Agrare, me përjashtim të një dynymi.

Ka mbaruar shkollën fillore 1926-1931, në Hoçisht, shkollën e mesme Teknike, shkollën Unike 1934-1936, në Korçë dhe atë ‘Normale’, 1936-1941 në Elbasan. Anëtar i Partisë Komuniste që nga 21 korriku 1942, me numër tesere 012334, lëshuar nga Komiteti i Partisë së Tiranës. I pa përjashtuar nga partia. Është arrestuar më 12 prill 1942 nga fashistët italianë, për pjesëmarrje në demonstratë dhe është mbajtur në burg 3 muaj. Pas lufte, ka qenë me delegacione në Itali dhe në Bashkimin Sovjetik. Të gjithë pjesëtarët e familjes dhe gruaja, Vjollca, kanë qenë pjesëmarrës të Luftës Antifashiste. Në 28 nëntor 1944 gradohet nën/kolonel”.

Në karakteristikën e punës, firmosur nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, renditen të gjitha të dhënat e tjera, që nga gradimi i parë pas lufte, si kolonel, më 1 korrik 1951, detyrat në luftë si partizan i thjeshtë në çetën e Devollit, deri në zv/komisar i Brigadës së Parë. Nuk harrohet të përmendet fakti që Panajoti, kishte një xhaxha në Amerikë, Vangjelin, një intelektual me dy doktoratura. Kthehet pas studimeve 1948-‘50 në Akademinë Ushtarake sovjetike “Voroshillov”, si komandant divizioni.

Ajo çka binte në sy tek Panajot Plaku, përveç talentit dhe inteligjencës që shquante tek gjithë fisi e tij, ishte shpirti i lirë, thënia e mendimit troç edhe kur binte ndesh me eprorët, çka në zhargonin zyrtar, do të përkthehej: “Nuk është i disiplinuar në shkallën që duhet të jetë një komandant divizioni, dhe me shumë zor i zbaton urdhrat, e çmon shumë veten. Do kontroll të fortë dhe seriozitet nga lart”.

Dhe ai që nuk kishte bërë asnjë autokritikë deri në vitin 1950, detyrohet ta bëjë këtë pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, “para shokëve gjeneralë; Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Bedri Spahiu dhe Teodor Heba”. Por çfarë ndodhi në jetën e Panajot Plakut, derisa ai vendosi “të tradhtojë”?

Vëllai i Panajotit, Jorgo Plaku, ishte shpallur dëshmor, pasi u vra më 7 janar 1944, sipas deklaratave zyrtare, “në përpjekje me armiqtë”, por në fakt u qëllua nga pas, ndërsa ishte duke ecur në kolonë me shokët pranë Voskopojës, dhe kur “armiq” nuk kishte asgjëkund. Megjithëse dëshmitarët kishin heshtur që prej asaj kohe, familjarët patën gjithmonë dyshime. Radha do t’i vinte më pas vëllait tjetër të Panajotit, Kalo Plaku, dy vjet më i ri.
Komisar batalioni në kohën e luftës, Kalo emërohet në vitin 1945 në Berat, si oficer i Ministrisë së Brendshme.

Duke parë torturat dhe bastisjet që u bëheshin familjeve të tëra nga regjimi i sapo-instaluar, ai neveritet dhe kërkon të lirohet nga uniforma. Kalon në bujqësi dhe në vitin 1952 emërohet drejtor i fermës së Sukthit. Menjëherë pas tij, emërohen në poste drejtuese të fermës edhe dy ish punonjës të Sigurimit, të cilët do t’i viheshin pas për katër vjet me radhë.

Në 12 qershor 1956, Kalo Plaku niset herët në mëngjes për punë, sepse fillonte fushata e korrjeve. Në mbrëmje, shoferi i tij i ri (i ardhur një vit më parë, dhe më pas me karrierë shoferistike në Komitetin Qendror të PPSh-së dhe nëpër ambasada), e lajmëron se makina ishte prishur. Kalo fle ku e zë nata dhe të nesërmen në mëngjes, pi një gotë dhallë që do të ishte e fundit. Nxjerr shkumë nga goja dhe vdes në moshën 35 vjeçare, “sepse iu zmadhua zemra”!

Sapo trupi i të vëllait mbërrin në shtëpi, Panajoti i nxjerr të gjithë përjashta, merr kufomën dhe e çon në Tiranë, për autopsi. I kërkon Llambi Ziçishtit, ministrit të Shëndetësisë, t’i bënte autopsinë, dhe përgjigja ishte; “Zmadhimi i zemrës shkaktoi vdekjen”. Por në autopsi, mori pjesë edhe një mjeke sovjetike. Konstatimi i saj? Ndryshonte rendi i lidhjes shkak-pasojë: “Ishte vdekja ajo që solli zmadhimin e zemrës”. Panajoti kërkoi përgjigje të tjera nga Hungaria, por ato nuk erdhën kurrë.

Në shtëpinë e ministrit pa portofol, vijnë për ngushëllim gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me Enverin në krye. Kur Panajoti ia përsërit udhëheqësit konkluzionin e mjekes sovjetike, duke i kërkuar në sy një analizë tjetër për të vëllanë, ky nxihet dhe hesht. Aq më tepër që pak kohë më parë, (siç ka deklaruar pas viteve ‘90-të, ish titullari i lartë i viteve të para pas çlirimit, Nexhmi Ballka), kishte patur një debat me Panajotin, pasi ky i fundit nuk ishte aspak dakord, që Rita Marko të hynte në Byronë Politike.

Panajot Plaku po vërente se po ia vrisnin, degradonin apo përjashtonin nga partia, për një arsye apo një tjetër, gjithë familjarët dhe fisin që kishte nxjerrë vetëm partizanë dhe më vonë plot 28 komunistë idealistë dhe individë të talentuar. Në të njëjtën kohë, atë e kishin promovuar në ministër, çka mendja e tij e stërvitur, e përktheu menjëherë si rrahje e shpatullave, para prerjes së kokës. Ndaj konkludoi se kishte ardhur radha e tij. Vendosi të arratisej. Urdhëron shoferin të bëjë gati makinën, se do të shkojnë në Pogradec, për punë. Në Qafë Thanë, zbret pak për “t’u çmpirë”, merr një monopat dhe nuk kthehet më.

“Ika nga Shqipëria se Enver Hoxha më helmoi vëllanë”. Lajmi i dhënë nga agjencia jugosllave e lajmeve TANJUG, mori dhenë. Pas tronditjes fillestare, Tirana merr menjëherë kundërmasat dhe në shtypin zyrtar, botohet një artikull ku nëna e “tradhtarit”, Kostandina Plaku, mallkon qumështin që i ka dhënë të birit. Por ç’kishte ndodhur në të vërtetë?

Sipas rrëfimeve në vitet e para ‘90-të të Pandora Plakut, gruas së Kalos së helmuar, vëllai i vogël i Panajotit dhe gjeologu i talentuar Koço Plaku, mori një ftesë të çuditshme: “Frrok Pjetër Gega, i sapozgjedhur në Komitetin Qëndror të PPSH-së dhe komshiu përballë shtëpisë sonë, kishte thirrur Koçon në shtëpinë e tij dhe pas 3-4 orë bisedimesh midis tyre, Koço vjen me tekstin e artikullit në dorë.

I bërë meit në fytyrë, me zë të dredhur, ia jep të ëmës letrën në dorë dhe i thotë: “Firmose, po na deshe edhe neve të tjerëve”. Kuptohet që tekstin Frrokut, ia kishin dhënë gati, sepse niveli i tij prej punëtori, nuk e bënte dot edhe pse më vonë u bë Zv/ministri i Punëve të Brendshme. Kostandina Plaku firmosi tekstin e gatshëm, ku mallkonte të birin; “Harram qumështin e nënës”.

Dhe ‘mjeshtëria’ e Sigurimit, nuk kishte fund. Për të neutralizuar çdo deklaratë të Panajotit të arratisur, Pandora vijon të figurojë komuniste, për të ruajtur versionin zyrtar, se i shoqi “vdiq në krye të detyrës”. Fëmijëve të Kalos, u jepet shkolla e lartë, paçka se natën.

Panajot Plaku ndihet gjysmë i burgosur në Jugosllavi. Ai flet kundër regjimit, në të cilin më parë ishte hierark i lartë, në intervista të ndryshme, ndërkohë që i dërgoi Hrushovit një letër të gjatë, ku rendit të gjitha stalinizmat e liderit shqiptar, Enver Hoxha. Kërkon të shkojë në Bashkimin Sovjetik, por Tito nuk e lë të ikë. Gjatë kësaj kohe, nuk kishte rast më të mirë për Tiranën zyrtare, për ta përfshirë Panajot Plakun, në grupin agjenturor dhe regjim-përmbysës të radhës, e në këtë mënyrë ta pajisnin edhe atë me një dosje, për t’u pasur zili: Ishte “zbuluar” banda e Teme Sejkos, me kompani!

Gazeta “Bashkimi”, e numrave të majit 1961, është e mbushur me deklaratat në gjyq të “komplotistëve”, që kishin synuar përmbysjen e diktaturës me ndihmën e të gjithëve: Rusë, grekë, jugosllavë, amerikanë e anglezë. Kolektivat punonjës dërgojnë letra falënderimi për Partinë, që zbuloi këtë grup të rrezikshëm: nga Uzina “Enver”, nga kooperativa “Stalin” e Krutjes, nga ajo “Mao Ce Dun” e Divjakës, e deri nga kooperativa e Konispolit, për të dhënë përshtypjen se; çamët e dënojnë tradhtinë e Teme Sejkos dhe se ai meriton plumbin ballit.

Po Panajot Plaku? Ai kishte qenë ndër organizatorët kryesorë të kryengritjes, për të cilën paskëshin financuar mbi 20 organizata ndërkombëtare spiunazhi, dhe nëse në përfundim të farsës gjyqësore, Aranit Çela kërkoi dënim me vdekje për Teme Sejkon, Tahir Demin, Avdul Resulin, Hajri Manen, etj. Panajot Plaku, me këto akuza që u dhanë në pretencën e prokurorit, do të mund “të varej prej gjuhe”. Sigurisht, asnjë krim, asnjë spiunazh nuk u faktua, përveç deklaratave të dëshmitarëve të rremë dhe rrëfimeve të nxjerra prej të pandehurve të shqepur në dru.

Në korrik 1966, Panajot Plaku vdes papritur në Beograd, në moshën 47 vjeçare, nga zemra. Sërish “zemra”, në fisin Plaku. Shumë interesante kjo copëz e artikullit të “Zërit të Popullit”, të datës 19 korrik 1966: “Do të vijë me siguri dita, kur edhe gjithë armiqtë e popullit shqiptar, që janë grumbulluar në Jugosllavi, të japin llogari për veprën e tyre tradhtare. Fati i tyre, nuk do të jetë më i mirë nga ai i tradhtarit Panajot Plaku, i cili vdiq (ose u vra nga padronët e tij, si limon i shtrydhur), si spiun, si provokator…”!

Pse do ta vrisnin jugosllavët Plakun, tashmë profesor në universitetin e Beogradit?! Cilin profesionist në “zmadhimet e zemrës”, ngarkoi me këtë detyrë Sigurimi Shqiptar?! Kjo ndoshta pak rëndësi ka sot. Ajo që vlen më tepër, është të theksojmë se çuditërisht, pas kaq dekadash, mbi këto “grupime armiqësore” dhe “tradhtar”, si Panajot Plaku, ende rëndon damka e vjetër për të cilën shumë pak përpjekje janë bërë për ta hequr. Të gjithë shokët e shkollës dhe të luftës të Panajot Plakut, si; Rrahman Parllaku, Skënder Malindi, Myfit Guxholli, pas viteve ‘90-të, kanë folur me respekt për kapacitetin e tij, si më i shkolluari, më cilësori, kurajozi dhe njeri me karakter…!

Sa për sagën e familjes Plaku, e ëma e Panajot Plakut, Kostandina, për fatin e saj, vdiq në vitin 1970, duke mos mbetur gjallë për të parë fundin e “të fundmëve të familjes Plaku”. Dhe ishte radha e shkencëtarit të gjeologjisë, kryeinxhinierit Koço Plaku, i cili kishte mbetur gjallë deri atëherë, vetëm për hir të gjenisë së tij profesionale. E radhisin në “grupin e sabotatorëve të naftës”; kishin filluar spastrimet e 1974-ës.

Ndër krimet e tij më të rënda, seria e plotë e veprave të Dostojevskit, çka mjaftonte për ta pushkatuar. Lipe Nashi, që i shpëtoi pushkatimit, ka treguar më pas se; “Në gjyq, vetëm Koço Plaku, nuk ka treguar falje, ndërsa ne të tjerët po”. Koço e kish të qartë: “Enver Hoxha më ka vrarë vëllezërit. Nuk do të kërkoj falje dhe këtë e di ai, siç di që do të më vrasë edhe mua”.

Hyn edhe një herë në lojë makiavelizmi i Sigurimit të Shtetit me tredhjen shpirtërore të njerëzve: Koço ka shkuar me të shumtët, por vëllai i gruas së tij, mbetet anëtar partie. Nga ana tjetër, i biri i të helmuarit Kalo Plaku, Jorgo, sapo mori diplomën e inxhinierit, caktohet të punojë në veprën gjigante të Fierzës, ku shkëlqen.

Në 9 dhjetor 1980, familja e tij njoftohet për rrëzimin e një mikrobusi në lumin Drin, ku gjeti vdekjen dhe inxhinieri Jorgo Plaku, me diagnozën zyrtare; “Asfiksi nga mbytja”. Familjarët kërkuan hapjen e arkivolit ato dhjetë minuta që i lanë ta qanin viktimën në shtëpi. Dhe panë se pjesa e pasme e kokës së viktimës, ishte e çarë. Me goditje./ Memorie.al

Shkruar nga Alqi Koçiku

 

Continue Reading

DOSSIER

Zbardhen dokumentet e deklasifikuara të CIA-s të vitit 1951: Roli i Mehmet shehut në vdekjen e ministrit të Transporteve

CIA ka zbardhur detajet e kongresit të Sigurimit të Shtetit të mbajtur më 1952. Përmes një artikulli të deklasifikuar, tregohen fjalimet e Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. Një pikë e rëndësishme në diskutime ka qenë dhe për moralin e pjesëtarëve të Sigurimit të Shtetit. Nga ana tjetër, aty deklarohet se gjatë kohës që diskutohej për Sigurimin, Mehmet Shehu, u njoftua për vdekjen e ministrit Niazi Islami.

E përditshmja greke “Messager d’Athenes”

Refugjatët shqiptarë përshkruajnë gjendjen e vështirë

Sipas refugjatëve të ardhur kohët e fundit në Greqi, 90 për qind e popullsisë është fuqimisht anti-komuniste dhe urrejtja për regjimin shtohet dita-ditës. Por gjithsesi mundësitë për veprim klandestin, janë shumë të kufizuara. Qeveria komuniste e mban popullatën nën kontroll, me masa mizore shtypëse, por gjithsesi janë dalluar akte rezistence. Në muajin shkurt, tetë antikomunistë të veshur me uniforma policia, hynë në fshatin e Hoçisht pranë Korçës dhe vranë komunistin Festim Kajo.

Ndërsa në Zemblak, persona të paidentifikuar i vunë zjarrin hambarëve dhe kasolleve të veglave të kooperativës vendore. 22 persona u arrestuan më 19 mars 1951, dy prej të cilëve u dënuan me varje dhe dy me burgim të përjetshëm. Prokurori “gjyqit” ishte Loni Dimoshi. Abdul Kalaja, një nga të dënuarit me varje, pranoi se sabotazh ishte kryer me urdhër të grupeve të rezistencës së armatosur të zonës, me të cilët ai kishte qenë në kontakt në Zemblak, Eçmenik dhe Cangonj. Tre oficerë dhe 12 ushtarë të njësisë së Pogradecit u arratisën kohët e fundit drejt Jugosllavisë.

Në fund të janarit 1951, ka pasur një demonstratë para një furre buke në Korçë, ku një civil u rrah për vdekje nga policia, prandaj më vonë njerëzit e quanin vendin; “Furra e vdekjes”. Në fillim të marsit 1951 në Tiranë, grupe anti-komuniste raportohet të kenë sulmuar ambasadën sovjetike me armë automatike dhe me një bombë. Aty u plagosën disa zyrtarë të lartë sovjetikë dhe një zyrtar shqiptar. Thuhet se mes personave të akuzuar për incidentin, ishte ministri Tuk Jakova, gjenerali Beqir Balluku, Myslim Peza, dhe Timo Dimoshi, anëtar i Komiteti të Partisë së Korçës.

Autoritetet komuniste kanë shtuar arrestimet ndaj grupeve të ashtu-quajtura anti-komuniste. Refugjatët që vijnë në Greqi, flasin për kampe përqendrimi dhe pune të detyruar në Tepelenë, në Fermën e Kamzës (e quajtur “Ylli i Kuq”) si dhe në Valias pranë Tiranës. Qeveria shqiptare po kryen një fushatë të gjerë propaganda, për të bindur popullatën se nga çasti në çast, Greqia do të sulmojë Shqipërinë, por këto lajme tashmë priten me indiferencë nga populli.

Fshatarët detyrohen t’i bashkohen kooperativave prej frikës së punës së detyruar. Banka e Shqipërisë, thotë se ofron hua për fshatarët, deri në 10.000 lekë, por asnjë prej tyre nuk interesohet, pasi vetëm një dëm kushton 12.000 lekë. Popullata rurale merr shumë më pak ushqim, se ajo e qytetit. Familjet fshatare marrin çdo muaj një sasi vajguri, por produkte si vaji, orizi, sapuni, etj., nuk jepen për fshataret. Fshatarët duhet të dorëzojnë te shteti 44 kg, grurë për hektarë, 49 kg, misër dhe 35 kg. panxharë dhe përveç kësaj, ata duhet të paguajnë taksa sipas masës së tokës që përdorin.

Rroga e punëtorëve është nga 80 deri në 150 lekë në ditë, ndërsa punonjësit e minierave, marrin 250 lekë në ditë. Çmimet e mallrave janë shumë të shtrenjta; 1 kg. misër kushton 80-100 lekë, kurse një kg. grurë, 120-140 lekë. Një kostum pambuku kushton rreth 10.000 lekë, kurse një palë këpucë, kushtojnë 1500-2000 lekë. Shumica e popullsisë beson se lufta është e paevitueshme dhe do të mirëprisnin një konflikt, për të hequr qafe regjimin komunist.

Kongresi i oficerëve të Sigurimit

Më 25 shkurt 1950, deri më 1 mars, u zhvillua një takim i oficerëve të Sigurimit, në Tiranë, në një ndërtesë rreth 200 metra larg ish-Pallatit të Mbretit Zog. Takimi ishte i pari që prej ekzekutimit të ish-ministrit të Brendshëm, Koçi Xoxe dhe ardhjes në post të Mehmet Shehut. I pari që mori fjalën ishte Mihallaq Zilishti, zëvendësministri i Brendshëm, i cili sapo ishte kthyer nga një turne inspektimi në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Ai numëroi përparimet dhe pengesat e disa organeve dhe shpjegoi se përse mendonte se nuk po funksiononin.

Më 26 shkurt, ministri i Brendshëm Mehmet Shehu, foli gjatë mbi temat e mëposhtme:

Pas Mehmet Shehut, fjalën e mori Kadri Hazbiu, i cili parashtroi funksionet e seksioneve të ndryshme të organizatës, duke bërë krahasimet e rezultateve. Më 27 shkurt 1950, gjatë kohës që Mehmet Shehu ishte në takim, erdhi një oficer dhe i dha një shënim. Pas leximit të shënimit, Shehu u ngrit dhe u kthye vetëm pas një ore. Kur u kthye Shehu, deklaroi se Niazi Islami, ministri i Transporteve, kishte kryer vetëvrasje. Islami u varros më vonë nga familja e tij, pa nderime shtetërore.

Më 1 mars 1950, një grup prej 400 oficerësh (250 agjentë të Sigurimit, dhe rreth 150 krerë të policisë) shkuan në Shkollën e Policisë për të dëgjuar fjalimin mbyllës të Kongresit të Sigurimit, nga udhëheqësi Enver Hoxha. Hoxha ngriti lart punën e Sigurimit dhe i tërhoqi vërejtjen oficerëve që nuk kishin kuptuar frymën e regjimit. Ai ngriti lart gjithashtu Stalinin “e madh” dhe premtoi një të ardhme të shkëlqyer, për Shqipërinë.

Botuar nga “Shqipëria e Lirë”, Romë

Rezistenca masive mes zyrtarëve komunistë

Prej disa kohësh puna e zyrtarëve të vegjël të administratës komuniste, nuk i ka kënaqur rrethet e larta të partisë. Shefat e mëdhenj janë të shqetësuar, se po bie dita ditës numri i zyrtarëve që pranojnë të spiunojnë për anëtarët e partisë. Kjo mund të vijë si rezultat i humbjes së besimit në stabilitetin e regjimit aktual, dhe rrjedhimisht i tremben komprometimin në sytë e popullit, ose të një qeverie pasardhëse. Ata kërkojnë që gabimet e të shkuarës, të harrohen. Organizatat e partisë, veçanërisht në qendra larg Tiranës, nuk kanë kryer detyrat e tyre; ata nuk janë paraqitur rregullisht në takime, dhe kur paraqiten, nuk diskutojnë hapur për problemet.

Zyrtarët e organizatave vendore nuk përdorin kritikën dhe vetë-kritikën, pasi as nuk duan që të vihen në lojë nga shokët e tyre dhe as nuk duan të prishen me ta. Por vetëm i tremben vetëm atyre që japin urdhrat nga Tirana, sipas direktivave të shefave sovjetikë. Instruktorët e partisë, nuk kanë mbajtur lart standardet profesionale, apo ato marksiste-leniniste, dhe drejtuesit e partisë ankohen për mungesë raportimesh të aktiviteteve të komunistëve dhe jo-komunistëve. Shumica e zyrtarëve, nuk dëshirojnë të marrin përgjegjësitë e punës së tyre dhe tregohen tepër tolerantë, me anëtarët e tjerë të partisë. Hierarkia e partisë i akuzon instruktorët për sentimentalizëm dhe mungese të frymës revolucionare, në marrëdhëniet e tyre me vartësit dhe superiorët.

Shumica e zyrtarëve që kanë qenë aktivë në Luftën Nacional-Çlirimtare ishin të rinj dhe pa eksperiencë, ndërsa tani ata po joshen vetëm nga premtimi i karrierës. Këto sjellje që mund të përkufizohen si sabotazh, vijnë gjithashtu nga frika e komprometimit në sytë e masave, dhe i kanë bërë ata eksponentë të rezistencës pasive. Këto faktorë së bashku me përçmimin që populli ka për zyrtarët e partisë, kanë ndihmuar në krijimin e një marrëveshjeje të heshtur bashkëjetese, mes njerëzve dhe zyrtarëve të ulët të organizatave komuniste, në shumë fshatra e lokalitete, kryesisht malore. Qeveria komuniste vazhdon të trumbetojë arritjet e mëdha për mirëqenien e popullit, veçanërisht të punëtorëve.

Ata pretendojnë se kushtet e krijuara nga diktatura e proletariatit, janë më të përshtatshmet për zhvillimin komunist. Javën e kaluar në një fjalim për partinë, Mehmet Shehu theksoi; “rolin udhëheqës të klasës punëtore”, por e vërteta është se kushtet e mjerueshme të punëtorëve, janë akuza më e rëndë e mashtrimit dhe paturpësisë për Partinë Komuniste. Mjafton të vizitosh shtëpitë e punëtorëve të Fabrikës së Orizit në Vlorë, ku dhjetë punëtorë jetojnë në një dhomë, në një shtëpi pranë fabrikës. Aty mungojnë dhe kushtet më minimale, ndërsa gjendja sanitare është e mjerueshme. Në darkë, dhomat ndriçohen me fenerë, ndërsa dhoma e ngrënies, nuk ka dritare.

Çdo mbrëmja pas punës, punëtorët duhet të të presin 45 minuta për të marrë racionin e ushqimit, dhe më pas të kthehen në dhomën e ngrënies, ku shpeshherë derën e gjejnë mbyllur. Deri tani burokracia shtetërore, veçanërisht grup i agjitacion-propagandës, ka bërë çdo lloj premtimi për të qetësuar njerëzit, duke u thënë se kjo fazë do të marrë fund së shpejti dhe se ata duhet të kenë durim, pasi me sakrificat e tyre, po ndërtohet socializmi. Por punëtorët janë të lodhur nga premtimet e kota dhe e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me protesta, që nuk do të guxonin t’i bënin më parë. Ata që nuk i pranojnë urdhrat për sakrifica, nuk e kuptojnë se përse udhëheqësit e lartë jetojnë në luks në kurriz të punëtorëve.

Burimi: Vneshniaia TorgovliaK. ViriasovV. Martinov

Në janar 1952, populli shqiptar shënoi gjashtë vjetorin e shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë me përmirësime të mëdha politike dhe të forcës së punës. Vitet pas shpalljes së Republikës, ishin një përpjekje e suksesshme e popullit shqiptar, për të forcuar sistemin demokratik dhe për ndërtimin e bazave të socializmit. Republika Popullore e Shqipërisë, me mbështetjen e fuqishme të Kampit Demokratik dhe socializmit të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik, është duke ndjekur me sukses rrugën e ndërtimit të shtetit demokratik të popullit dhe zhvillimit të pavarur të ekonomisë e kulturës. Faktori më i rëndësishëm i përmirësimit të ekonomisë, është zbatimi i planit 2-vjeçar ekonomik 1949-1950.

Me gjithë shkatërrimin e madh të shkaktuar nga lufta, volumi i prodhimit pas planit 2-vjeçar, e kaloi konsiderueshëm prodhimin e para-luftës. Në vitin 1950, prodhimi u rrit me më shumë se 3.7 herë, në industrinë minerare dhe më shumë se tre here, në fabrika. Prodhimi në çerekun e tretë të vitit 1951, u realizua me 105 për qind. Volumi i punës u rrit me 47 për qind, në krahasim me çerekun e tretë, të vitit 1950. Në vitin 1951, ndërmarrjet e rëndësishme për ekonominë kombëtare, si ato të pambukut, Hidrocentrali “Lenin”, Fabrika e Sheqerit me kapacitet 10.000 ton në vit, Kombinati Tekstileve, u vunë në funksion. Fabrika e Sheqerit dhe industria tekstile, plotësuan nevojat e të gjithë vendit me sheqer dhe veshje. Pajisjet për ndërmarrjet u furnizuan nga Bashkimi Sovjetik, i cili ndihmoi Shqipërinë edhe për vënien e tyre në funksion. Republika e re ka bërë progres dhe në bujqësi.

Tokat e kultivuara në vitin 1950, kaluan nivelet e para Luftës dhe sipërfaqja e mbjellë me prodhim industrial, kaloi nivelet e para Luftës, me 11 herë. Prodhimi i grurit kaloi nivelin e paraluftës me 40 për qind dhe gjithashtu u rritën prodhimi i panxhar sheqerit dhe pambukut. Shumë vëmendje i është kushtuar rritjes së gjedhëve. Si rezultat i plotësimit të planit dy-vjeçar, numri i kokëve të gjedhëve e kaloi atë të paraluftës. Qeveria po e ndihmon bujqësinë në shumë drejtime, duke i dhënë farat më të mira të grurit, të pemëve frutore dhe një masë të konsiderueshme fertilizuesish. Më shumë se 672 milionë lekë, u shpenzuan për ujitjen dhe tharjen e tokave, ndërsa rreth 157 milionë lekë, u janë dhënë fermave fshatare, deri në fund të vitit 1950. Ato morën gjithashtu kredi për mbjelljet e pranverës, në vitin 1952.

Një faktor i rëndësishëm i zhvillimit të bujqësisë, është zhvillimi i mekanizmit të punës dhe krijimit të Stacioneve të Makinerive dhe Traktorëve. Numri i traktorëve në vitin 1951, e kaloi me 3.6 herë atë të vitit 1947. Më shumë se 3000 plugje, 900 kultivues, 300 prerësa dhe shumë mjete të tjera, u dërguan në rajonet e rritjes së të mbjellave, duke rritur prodhimin në mënyrë të konsiderueshme. Shqipëria ka pasur gjithashtu sukses në forcimin e sistemit të saj financiar, teksa për vitin 1951, buxheti shtetëror ka sjellë të ardhura prej 9.500.000.000 lekë.

Burimi kryesor i buxhetit, është sektori socialist i ekonomisë. Shpenzimet për ekonominë kombëtare, arritën në 3.607.000.000 lekë, në krahasim me 2.252.000.000 lekë, në vitin 1950. Lidhjet e ngushta ekonomike me Bashkimin Sovjetik dhe demokracitë e tjera të popullit, kanë qenë deçizive për zhvillimin e suksesshëm të Shqipërisë. Sipas një marrëveshjeje të shkurtit të vitit 1951 me Bashkimin Sovjetik, për pajisje industriale, Shqipëria ka forcuar përgatitjen teknike dhe ka rritur kreditimin. Shqipëria gjithashtu ka rritur tregtinë me Poloninë dhe Çekosllovakinë, ashtu si dhe me Gjermaninë Lindore dhe vendet e tjera të Demokracive Popullore, si Bullgaria, Hungaria e Rumania.

Kushtet ekonomike, standardi i jetesës

Burimi: “Flamuri i Lirisë”

Ligji numër 226, i vendos punëtorët në shtatë kategori pagesash, duke nisur nga 202, deri në 800 lekë në ditë. Punonjësit e zyrave, marrin 2.400, deri në 7.000 lekë në muaj, në varësi të vendndodhjes dhe ndërmarrjes. Një punëtor i martuar, merr 3.500 lekë në muaj dhe duhet të paguajë taksat, kontributet shoqërore, anëtarësinë në klubet e sportit, racionet e ushqimit, rinovimet e zyrave, telegrame të herëpashershme për Stalinin, telegrame proteste kundër provokimeve kufitare, abonimin e gazetave dhe ndihma për Korenë. Racionet mujore dhe shpenzimet për mallrat e nevojshme. janë si më poshtë: 2 kg. bukë në ditë, 300 lekë, 1.35 kg. sheqer, 75 lekë, 1 kg. vaj, 65 lekë, 2 kg. fasule në muaj, (vetëm për 3 muajt e parë të vitit), 140 lekë, dru, 550 lekë për metër/kub, qeraja 100 lekë, dritat 100 lekë.

Nëse punëtori pinte një paketë cigare në ditë do të shpenzonte dhe 500 lekë të tjera në muaj, dhe këto linin shumë pak për të blerë mish, i cili kushton 130 lekë/kg., perimet me rreth 40 lekë/kg., veshje apo sende të tjera. Nëse punëtori mbetet pa punë, ai merr 25 për qind të rrogës nga mbështetja sociale. nëse nuk është anëtar i Sindikatës dhe 60 për qind, nëse është anëtar. Ai është i detyruar të marrë pjesë në punë vullnetare pa pagesë, përveç punës së rregullt. Fshatarët janë të detyruar të dorëzojnë në shtet një pjesë të madhe të prodhimit, edhe nëse nuk mund ta përballojnë. Kështu një familje detyrohet të hajë vetëm lakra, gjatë tre muajve të fundit të një viti, me prodhim të dobët. Deri në fund të vitit 1951, një fermer mund të braktiste tokën e tij, nëse nuk përmbushte këto detyrime dhe të shkonte të punonte në minierë, për të fituar 400 gramë bukë në ditë, kështu mund t’i shpëtonte burgut.

Ndërsa tani ai është i detyruar të punojë tokën e tij, para se të lejohet ta braktisë. Pas dorëzimit të prodhimit te shteti, fermeri merr shumat e mëposhtme, për çdo kilogram prodhim: grurë 2.5 lekë, drithëra të tjera, 2 lekë, misër 2.5 lekë, lesh 33 lekë, për çdo vezë, ai merr 1 lek, pambuk 18 lekë, duhan 23 lekë, luledielli 27 lekë. Shpërblimi mund të merret dhe në formë patkonjsh, gozhdë, djep fëmijësh apo, sende të tjera artizanale. Për të marrë produkte industrial, si këpucë apo veshje fshatari, duhet të sillte përveç kuotave të tij edhe; djathë, ullinj, gjalpë apo portokalle. Zakonisht fermerët i presin pemët e bajameve, për të evituar pagesën prej 3000 lekë për pemë. Kushtet e fermave dhe kooperativave, po bëhen gjithnjë e më keq. Ka uri të madhe, pasi çdo person merr vetëm 8 kg misër në muaj dhe nganjëherë edhe kaq mungon. Mishi, shpërndahet vetëm gjatë ditëve të festave.

Shpërndarjet, kushtet e minierave

Hamit Koçi, një ish banor i Okshtun në Peshkopi, tashmë refugjat në Jugosllavi, raportoi mbi kushtet ekonomike të Shqipërisë se shteti e blen mishin nga fshatari, për 9 lekë për kg. Gruri blihet për 2.5 lekë dhe shitet për 150 lekë. Leshi blihet për 30 lekë dhe shitet për rreth 500 lekë. Meqenëse fshatarët janë të detyruar të dorëzojnë te shteti prodhimet e tyre të caktuara dhe meqenëse në shumë raste ata nuk i kanë, ata detyrohen t’i blejnë ato në dyqane, për të plotësuar detyrimet e tyre. Isuf Koçi, vëlla i Hamitit, i cili gjithashtu është arratisur në Jugosllavi, e ka përshkruar si më poshtë kryerjen e punës vullnetare në minierën e Bulqizës: Një ditë kreu i komunës së Okshtun i Vogël, lexoi listën e emrave të sjellë nga Sigurimi i Shtetit. Lista kishte emrat e të gjithë atyre që “kishin kërkuar” të punonin vullnetarisht në minierën e Bulqizës, për plotësimin e planit të prodhimit. Në të ishte emri i Isuf Koçit, i cili atë ditë kishte punuar në fushë dhe thirrja e emrit i erdhi si një surprizë.

Por ai u detyrua të linte fermën dhe të vazhdonte me të tjerët për në minierë. Fillimisht atyre u thanë se do të punonin për një muaj, por siç ndodhi më vonë, ata mbetën aty për një kohë të gjatë. Isuf Koçi, e përshkruante jetën në minierë si të papërballueshme. Ai tha se ushqimi ishte shumë i keq dhe e për mëngjes nuk u jepnin asgjë. Në drekë merrnin gjellë patatesh dhe fasulesh, ndërsa për darkë, u jepnin dy vezë të ziera që shpeshherë kishin zogj. Kishte gjithashtu shumë vullnetarë, që për arsye se konsideroheshin më të pasur, detyroheshin të merrnin ushqimin e tyre me vete. Për punën ata paguheshin 70 lekë në ditë, me të cilat duhet të paguanin më pas “ushqimin dhe fjetjen”.

Në fund të muajit ata nuk kishin asgjë të mbetur. Isuf Koçi vazhdon më tej: “U njoftua se puna ishte 8 orë në ditë, por kjo ishte vetëm në letër, pasi në realitet ata punonin 16 orë ose më shumë: 2 orë shtesë për Komandantin, (Enverin) 2 orë për Stalinin, për realizimin e planit e, kështu me radhë. Nëse dikush largohej nga minierat, dënimi ishte i rëndë. Ai mund të dënohej me 6, deri në 8 muaj punë në minierë, pa pagesë ose, me gjysmë pagese. Gjyqe të tilla kryheshin me ceremoni të madhe për të dhënë shembullin dhe për të ngulitur frikën te punëtorët dhe fshatarët”. Memorie.al

 

Continue Reading

DOSSIER

Mbledhja sekrete e Byrosë në ’84-ën për sëmundjen e “Komandantit”: Nexhmija më tha se shoku Enver, nuk e lëvizte dot as këmbën, as dorën, por…

Ramiz Alia: Gjendjen shëndetësore të shokut Enver, tani për tani e dimë vetëm ne, asnjë njeri tjetër, prandaj askush nuk duhet të marrë vesh!

Nga Dashnor Kaloçi

Plot 39 vjet më parë, në mesnatën e 11 prillit të vitit 1985, pas dy ditësh në koma, pushoi zëmra e udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, diktatorit Enver Hoxha, njeriut që e kishte qeverisur me dorë të hekurt vendin e tij, që nga nëntori i vitit 1944, kur ai erdhi në pushtet menjëherë pas largimit të forcave gjermane, gjë e cila shënoi edhe mbarimin e Luftës.  Vdekja e tij erdhi edhe si pasojë e një sëmundje (diabeti), që atij i ishte shfaqur që në vitet e para të pasluftës, e cila u bë shkak edhe për një infarkt akut, që ai pësoi në vitin 1973, duke i shpëtuar paq vdekjes, por që në fillimet e viteve ’80-të, iu acarua së tepërmi, duke i dhënë edhe mjaft komplikacione, kjo solli dhe vdekjen e tij në mesnatën e 11 prillit 1985.

Por keqësimi i shëndetit të Enver Hoxhës, filloi që nga ditët e para të shkurtit të vitit 1984, gjë e cila shkaktoi një alarm të vërtetë tek “shokët e udhëheqjes”, duke bërë që Ramiz Alia, njeriun të cilin Enveri, pas eliminimit të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, në dhjetorit të vitit 1981, e kishte “pagëzuar dhe promovuar si pasardhësin e tij, të mblidhte disa herë në takime pune anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, për t’i informuar ata për situatën e rëndë shëndetësore, që po kalonte “Komandanti”, apo dhe komunikuar herë pas here, mbi sëmundjen e tij dhe “masat që po merrte Partia”, për ta kaluar atë situatë tejet të vështirë.

Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga disa dokumente me siglën “Tepër sekret e një rëndësie të veçantë”, të nxjerra nga Arkivi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, (Fondi 14, Ap. O.U)

Gjëja e parë që bie në sy nga këto dokumente me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike, të mbajtur në datën 17 shkurt 1984, është fakti se Ramiz Alia, tashmë kishte marrë në dorë “frenat” e shtetit shqiptar dhe në një farë mënyre ai ishte tashmë edhe “de facto” kreu i Partisë së Punës së Shqipërisë, duke vendosur vetë për gjithçka. Dhe tjetra që vihet re në këto dokumente, është preokupimi mjaft i madh i Ramiz Alisë dhe gjithë “shokëve të udhëheqjes”, për ta mbajtur sa më të fshehtë sëmundjen e Enverit dhe gjendjen shëndetësore të tij.

Pasi ka bërë një rezyme të gjendjes shëndetësore të Enver Hoxhës dhe ekipin e mjekëve shqiptarë që ishin angazhuar në atë drejtim, Ramiz Alia, ka diskutuar me “shokët e Byrosë”, edhe për mundësinë e sjelljes nga jashtë shtetit të disa mjekëve specialistë, kryesisht nga Franca, por nuk është pranuar nga vetë Enveri, dhe as nga Ramizi me Nexhmijen, pasi i druheshin lajmeve të shtypit botëror, sepse një gazetë greke, kishte shkruar se Enver Hoxha kishte vdekur.

Nisur nga këto, në ato mbledhje, Ramiz Alia i ka porositur “shokët e Byrosë”, që të kenë kujdes në ruajtjen e sekretit “për shëndetin e shokut Enver”, madje të mos bisedojnë as me familjarët e tyre dhe në shtëpi e në publik, të rrinë të qeshur, që populli të mos kuptojë gjë.

Por për më shumë, na njohin dokumentet i më poshtëm me proces-verbalet e mbledhjeve të Byrosë Politike të datës 17 shkurt dhe 11 nëntor të vitit 1984, të cilat po e publikojmë.

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE, 17 SHKURT 1984, MBI SËMUNDJEN E ENVERIT

“Tepër sekret, i rëndësisë së veçantë”

Proces-verbal i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i datës 17 shkurt 1984.

Kjo mbledhje u thirr sot rreth orës 13 e 30 nga shoku Ramiz Alia, me anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike që ndodhen në Tiranë, për t’i vënë në dijeni mbi një fenomen shqetësues shëndetësor, që i ndodhi dje shokut Enver rreth orës 17 pasdite.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ju thirra një çikë, shokë, për t’ju informuar mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver. Gjendjen e përgjithshme të shëndetit të tij, ju e dini, por dje rreth orës 17-17 e 30 ai pati një fenomen të papëlqyeshëm, një iskemi të lehtë në formë spazme, e cila i shkaktoi njëfarë vështirësie në dorën e krahun e djathtë dhe në këmbën e majtë. U thirrën menjëherë mjekët, me të cilët u takova edhe vetë. Në përgjithësi, pas ndërhyrjes së tyre, gjendja u stabilizua dhe u përmirësua disi që mbrëmë.

Unë shkova edhe tani për ta parë, pas mbledhjes së Sekretariatit që bëmë sot. Sa hyra brenda, shoku Enver më pa dhe më pyeti nëse e bëmë mbledhjen. Pa hyrë në detaje, iu përgjigja që e bëmë dhe shkoi shumë mirë. Kaq i thashë dhe i bëra të fala nga të gjithë ju, nuk u zgjata më tepër. Ashtu siç paraqitet sot, gjendja e shokut Enver është disi e mirë, një përmirësim pas ja deri këtu, se këto lloj fenomenesh, siç janë spazmat apo iskemitë, ndodh që të përsëriten. Prandaj tani të tëra përpjekjet, si të thuash për këtë po bëhen për të dominuar situatën, të shmangen përsëritjet.

RAMIZ ALIA: Ajli Alushani së bashku me mjekët po vëzhgojnë nga afër situatën. Për këtë qëllim u krijua menjëherë një grup mjekësh specialistë të fushave të ndryshme me të tëra mjetet e duhura në dispozicion, në krye të të cilëve është vetë ministri i Shëndetësisë, Ajli Alushani. Ky shkoi që në fillim në vend dhe vazhdon të qëndrojë atje tok me gjithë mjekët e tjerë, që po i bëjnë shokut Enver, të gjitha shërbimet e nevojshme.

Gjendja shëndetësore e shokut Enver, siç shihet ka tendencë dhe po ecën drejt përmirësimit. Tani e tërë lufta, të gjitha përpjekjet e terapitë po bëhen së pari, që të dominohet situata, siç thashë të mos ketë përsëritje të këtyre fenomeneve shqetësuese. Synimi i dytë është, që mundësisht të shmangen konsekuencat që mund të shkaktojë sëmundja në zemër e, të mos i rëndohet zemra. Probleme në zemër, shoku Enver nuk ka.

Përpara disa vjetësh, siç e dimë, ka pasur ndonjë episod të vogël dhe ai ka qenë ankuar, po në përgjithësi edhe zemra e tij tani është në gjendje të mirë. Sidoqoftë, rreziku shqetësues se vetë dobësimi i organizmit mund të shkaktojë konsekuenca në këtë organ. Me pak fjalë, kjo është gjendja shëndetësore e shokut Enver, që nga dje pasdite që iu shfaqën fenomenet shqetësuese.

Më tepër nuk di gjë t’ju them. Ne do ta ndjekim gjendjen e tij dhe me përpjekjet që po bëhen, do të shikojmë çfarë ka konkretisht, mbasi çfarë është ky fenomen me saktësi, akoma nuk del qartë nëse jemi përpara iskemie, një spazme të thjesht apo ka diçka tjetër.

Pikërisht këtë janë duke e shikuar mjekët. Ata po kujdesen dhe do t’ia bëjnë të gjitha shërbimet si duhet. Përpara një gjendjeje të tillë, të them të drejtën e gjykova të domosdoshme t’ju njoftoja ju shokë se nuk mund ta mbaja dot vetëm përsipër këtë shqetësim të madh.

Dëshiroj gjithashtu t’ju theksoj se këtë ngjarje tani për tani e dimë vetëm ne që jemi këtu, asnjë njeri tjetër, prandaj askush nuk duhet të marrë vesh mbi këtë çështje. Me njëri-tjetrin ne edhe mund të bisedojmë, çështja është të mos na bëhet zakon dhe të bëjmë biseda ku të mundim, sidomos në vende ku mund të jenë edhe të tjerë veç nesh.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Po ja për shembull, kur të marrim njërit-tjetrin në telefon, nuk ka pse të pyesim si jeni, të mos bëjmë hiç fare të tilla pyetje. Kur të takohemi dhe të jemi vetëm, është tjetër çështje.

SHOKU HEKURAN ISAI: Kryesorja është tani ndalimi i procesit të sëmundjes.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kjo ka rëndësi. Ja, tani që isha atje dhe u takova me shokun Enver, si e pashë gjendjen e tij që është më e mirë, u ula pak në kolltukun e tij, megjithëse nuk qëndrova gjatë, e informova pak për mbledhjen.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Raste me fenomene të tilla nuk ka pak edhe në vendin tonë, po kur kapen në kohë dhe kurohen, nuk lënë asnjë shenjë.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Bile nuk lënë shenja as në moshat e mëdha.

SHOKU HEKURAN ISAI: Ka raste që disa njerëzve u bie edhe dy-tri herë me radhë dhe e kapërcejnë krizën.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Ja, kam vëllanë tim që i kanë rënë dhe megjithëse është 58 vjeç, është normalizuar. Kalojnë të tilla fenomene, po të trajtohen me kujdes.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Kam besimin e plotë që kjo gjendje Enverit do t’i kalojë.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Kalojnë, kalojnë. Edhe shokut Enver me siguri do t’i kalojë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Siç thashë shokë, ne do t’i qëndrojmë mbi kokë. Ekipi i mjekëve që është atje, do t’ia bëjë të gjitha shërbimet. Unë ju njoftova vetëm sa për ta ditur këtë gjendje. Nga mjekët tanë më të mirë, vetëm Petrit Gaçe nuk është tani për tani, se ndodhet jashtë shtetit, por edhe ky sonte ose nesër do të kthehet, megjithëse në gjendjen e tanishme nuk ka ndonjë punë për të.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Sidoqoftë, ai duhet të kthehet shpejt dhe të jetë këtu, se është specialisti më i mirë që kemi për këto lloj sëmundjesh.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pra, deri tani kështu është gjendja. Po të ketë ndonjë gjë tjetër, do t’ju mbaj në korrent kur duhet dhe aq sa duhet. Me këtë rast mendoj se nuk ka nevojë të marrim ndonjë vendim. Grupi i mjekëve është krijuar nga specialistët tanë më të mirë. Dje thirrëm edhe Bajram Prezën, specialist neurolog, që edhe ky të diskutojë bashkë me të tjerët, mbi këtë çështje.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ne mund të sjellim menjëherë nga jashtë çdo lloj preparati të nevojshëm që mund t’u duhet mjekëve.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po të ketë nevoja, jo vetëm preparatin, por çdo gjë tjetër të domosdoshme që mund të nevojitet e sjellim nga jashtë për këtë rast.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Mund të lindë nevoja edhe për ndonjë specialist.

SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe këtë çështje do ta shikojmë, por natyrisht një gjë e tillë ka edhe anën tjetër që duhet parë.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Kjo është ana tjetër e medaljes. Duhet vigjilencë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ju të jeni të bindur shokë, se ne do të marrim të gjitha masat çfarë duhet e si duhet, por theksoj edhe një herë, ta mbajmë parasysh se problemi është shumë serioz, se pa qenë gjë, kanë dalë llafe, jo më ta marrin vesh njerëzit tanë, ç’ka ngjarë.

Pse e them këtë? Sepse dalin llafe. E ç’tju them unë? Ja ta filloj nga vetja. Mbase shokët që ishin me mua në mbledhjen e Komitetit Qendror, sot nuk e vunë re se nuk po e mbaja dot veten. Si pa dashur atje flisja me një ton pak të irrituar dhe nuk isha në humor. Nuk i shpreha me tonin e zakonshëm. Mirëpo ai tjetri, të psikologjis.

SHOKU SIMON STEFANI: Ashtu është shoku Ramiz, prandaj duhet të përpiqemi të kemi kujdes edhe humorin në këtë rast, të mos e ndryshojmë nga i zakonshmi.

SHOKU SIMON STEFANI: Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në qëndrimet tona.

SHOKU SIMON STEFANI: Se na e njohin natyrën njerëzit tanë.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Të gjithë ne që ishim në mbledhjen e Komitetit Qendror, u munduam të mos e japim veten.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ja mbrëmë, kur u ktheva në shtëpi duke më parë pa humor, vajza më pyeti “Ç’ka babi”? Kisha një punë me shokun Enver – iu përgjigja unë – dhe kështu e mbylla këtë muhabet. Të shikojnë njerëzit, kur nuk je në humorin e zakonshëm.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Ata të pyetën se, nuk të panë në humorin e zakonshëm.

SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj ta kemi parasysh edhe këtë anë, se problemi është tepër serioz dhe po të hapen fjalë, mund t’i shkaktohen telashe Partisë. Fjalë janë hapur edhe herë të tjera, po për t’ua mbyllur gojën njerëzve, u thoshin shokut Enver të dilte në ndonjë mbledhje publike, që ta merrte televizori, kështu njerëzit qetësoheshin.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Na ka dalë disa herë përpara kjo çështje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Këto kisha për t’ju thënë shokë, ç’tju them tjetër?!

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Dëshira jonë e madhe është që shoku Enver, ta kalojë sa më shpejt këtë gjendje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Nexhmija më tregoi se Enveri nuk lëvizte dot as krahun dhe as këmbën.

SHOKU RAMIZ ALIA: Do ta kalojë, unë kam bindjen se do ta kalojë. Ja po ju tregoj se në krahasim me dje pasdite, gjendja e tij sot ka shumë ndryshime për mirë. E dyta, nga ç’më thanë mjekët në fillim të them të drejtën, kisha krijuar një vizion tjetër, pak si pesimist, se gjendja e shokut Enver mu duk më e rëndë. Edhe Nexhmija, sa më mori dje në telefon që të shkoja shpejt dhe ika menjëherë atje, megjithëse shokun Enver nuk e pashë, se nuk hyra në dhomë.

Në atë kohë, ajo më tregoi se ai nuk lëvizte dot as dorën, as krahun, dhe as këmbën e djathtë. Mirëpo pas dy orësh gjendja filloi të ndryshonte pozitivisht. Kurse sot kur e pashë vetë me sy, nuk mu duk shqetësuese gjendja, përkundrazi mu duk e mirë. Kuptohet vetvetiu që edhe shoku Enver pacient është, këto lloj sëmundjesh kështu janë, po fakt është që sot sa më pa, më pyeti për mbledhjen dhe siç ju thashë, i tregova.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Rëndësi ka çështja që ka filluar kthesa për mbarë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu është, kthesa ka filluar nga e mira.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Mjekët e dominuan menjëherë situatën dhe kjo ka shumë rëndësi.

SHOKU RAMIZ ALIA: E dominuan se edhe masat u morën shpejt.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Shpejtësia në këto raste ka rëndësi të madhe në marrjen e masave.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Tani duhen porositur mjekët që po punojnë atje për këto që thamë, se ata e të tjerë hyjnë e dalin atje dhe hapet fjala.

SHOKU RAMIZ ALIA: Për të tërë kemi marrë masa ne atje, edhe për mjekët, edhe për personelin e shërbimit. Sidoqoftë, duhet të kemi shumë kujdes në këtë çështje. Mirë shokë, me kaq mbaruam.

Tiranë, më 18.2.1984.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING