Connect with us

Aktualitet

Një vajzë e pamëshirshme për babain e saj

Nga Mero Baze

Zakonisht pas moshës gjashtëdhjetëvjeçare, fëmijët adaptojnë një kujdes të posaçëm për prindërit. Kujdesen për qetësinë e tyre, për shëndetin, për emrin e mirë që duhet të lënë në shoqëri, për shuarjen e problemeve që mund të kenë krijuar gjatë jetës dhe çdo gjë që ka lidhje me trashëgiminë e tyre.

Vajzat shqiptare madje, pak më shumë se djemtë.

Ky rasti i Argitës dhe Shkëlzenit është paksa i veçantë jo vetëm në Shqipëri, por ndoshta dhe në botë. Ky është i vetmi rast kur babi i tyre tetëdhjetëvjeçar, nxitet prej tyre të dalë rrugëve të mbrojë ata, të kujdeset për të shpëtuar çfarë ata kanë bërë gabim në jetë, të mbyllë historitë e korrupsionit të tyre, të mbyllë armiqësitë që lidhen me vrasjet e prodhuara për të vjedhur, si në Gërdec, apo dhe më keq, të paguajë qoftë dhe me jetë për ta.

Në fakt çdo prind e ka ndjenjën për të sakrifikuar deri në vdekje për fëmijët, por janë fëmijët ata që bëjnë diferencën dhe pas një moshe të caktuar sakrifikojnë për prindërit.

Argita dhe Shkëlzeni, dy fëmijët e Sali Berishës, hyjnë tek ajo kategori, që me sa duket nuk kanë mëshirë për babain e tyre. Janë gati ta shikojnë të përbuzur, të tallur, të fyer, të poshtëruar dhe mbi të gjitha, të dënuar për shkak të tyre, mjafton që ata të gëzojnë ato që kanë vjedhur.

Intervista e Argita Berishës tek Grida Dume, rrezatonte këtë mungesë mëshirë të vajzës për babain plak dhe burrin e saj në burg, të cilët në fakt të dy po paguajnë etjen e saj për pasuri dhe paaftësinë e saj edhe si juriste, për të fshehur gjurmët e krimeve të saj në pushtet.

Grida Dume ishte munduar të bënte gjithçka për ta portretizuar siç nuk është, dhe për këtë meriton të paguhet më shumë se Genc Gjokutaj si avokat, por nga ana tjetër, pavarësisht dëshirës së saj për të shërbyer si grimiere e Argitës, i ka bërë një shërbim të madh publikut, pasi ajo Argita që foli në studio me atë Argitën që vizatoi Grida, ishin dy njerëz që nuk kishin asnjë lidhje.

Shfaqja e saj publike ishte një ngjarje e rëndësishme, pasi ka thyer disa mite të përhapura nga vet familja Berisha, në përpjekje për të lënë një trashëgimi politike tek vajza e tyre, meqë me nuset nuk u ka ecur.

Miti i parë është “miti i profesionistes”.

Unë kam qenë ndoshta i pari që e kam njehur si juristen më të paaftë që kam takuar në këtë vend, madje dhe nga ata të plepave, por kjo ka qenë e vështirë t’i bindje njerëzit kur ajo ishte në pushtet dhe u merrte një taksë mujroe bizneseve të mëdha për “këshilla”, që ata të kalonin pengesat, duke thënë kemi avokate Argitën.

Shumë prej tyre pak nga pak e pranonin në kofidencë që thjesht e paguajnë dhe nuk punojnë me të. Dje kur ajo kishte hallin më të madh të jetës së saj, nuk dinte të sillej dot së paku si juriste, por imitonte gjuhën vulgare të babait të saj, fjalorin e kufizuar që komplekset e saj të brendshme, qoftë dhe për të buzëqeshur, e rrudhin edhe më dhe e bëjnë gjuhë të shpifur. Nga goja e një gruaja të pjekur dëgjoje fjali vulgare, nga ato që Sali Berisha i thotë për militantët e Bathores në fund të mitingut kur nuk ka çfarë thotë.

Shterpësia e saj profesionale si juriste nuk vjen vetëm nga fakti se nuk ka çfarë thotë për dosjen e saj korruptive, por mbi të gjitha se ajo nuk ka menduar si juriste kur ka vjedhur, dhe nuk ka si mendon tani pasi është kapur. Ajo ka menduar gjithnjë si vajzë e babait dhe tani po përpiqet të mbrohet si vajzë e babait.

Dhe në këtë pikë, Grida meriton një lavdërim që ua bëri këtë nder atyre që kishin iluzion e se njerëzit që nuk flasin janë të mençur.

Jo!

Në shumicën e rasteve ata nuk dinë të flasin dhe Argita është një ilustrim perfekt i injorantes dhe femrës vulgare në fjalor. Është një Sali mashkull, me ndryshimin se Saliu është aktor dhe e di për kë flet. Ajo ka keqkuptimin se Saliu mendon ato që thotë dhe ndryshe nga Saliu, ajo i beson ato broçkulla.

Dhe këtu shkojmë tek miti i dytë i familjes Berisha, si familje harmonike.

Në fakt ajo është familja më hipokrite në trojet shqiptare. Në një familje ku babi ul çdo mbrëmje në tryezë djalin, vajzën, nipat e mbesat, gruan dhe kunetërit e baxhanakët, dhe flet si në fjalim fushate, u imponon hipokrizinë dhe demagogjinë si mjet komunikimi dhe kërkon që dhe para tyre të sillet si i pari i vendit, është një familje hipokrite, ku nuk pritet që fëmijët të kenë mëshirë për babain si prind, por vetëm ta shikojnë atë si të parin e vendit, që mund t’i shpëtojë ata derisa të vdesë.

Argita është pjesë e Berishës, mendja dhe gjuha e saj komandohen nga truri i Berishës. Kushdo që ka pritur një të “vërtetë” tjetër prej saj, nuk mund të jetë veç naiv i pandreqshëm. Kushdo që ka pritur të dallonte brerje ndërgjegje, reflektim, pendese, ka harxhuar kohën kot. Kushdo që ka shpresuar të shihte atë filizin e politikës berishjane, ka dalë i humbur pa shpëtim.

Argita, si përfituese e korrupsionit të Berishës, nuk ndahet dot nga afera, por dalja e saj publike jo nga pozicioni i gruas, i familjarit të prekur, por nga pozicioni i akuzatorit të drejtësisë së re, dalja për t’i bërë në darkë SPAK-ut të njëjtin gjyq që Berisha ia bën çdo ditë në drekë, ishte zhgënjyese për gjithë dashamirësit. Argita doli në media si pjesë e trupit të Berishës, jo si vetvetja

Në atë familje njeriu më normal është Sali Berisha, pasi vetëm ai e di që shtiret me të tjerët.

Të tjerët e dinë se ai e ka detyrë t’i bëjë të pasur, të pushtetshëm dhe të paprekshëm, sa të jetë gjallë. Madje dhe pas. Dhe kjo rrezatohej qartë tek gjithë argumentet politike që Argita kishte, në vend të argumenteve juridike për një nga historitë më spektakalore të kapjes së shtetit në Shqipëri, që është rasti i grabitjes së pronave të Klubit “Partizani”.

Të tjerët në atë familje janë ose hajdutë, ose hipokritë, ose injorantë dhe njerëz me komplekse inferioriteti. Perveç Arminës.

Miti i tretë që theu Argita Berisha me shfaqjen e saj publike, është raporti me të vërtetën. Më e pështira ishte kur foli për Lulzim Bashën dhe faktin që ajo nuk ja ofroi atë Sali Berishës, por thjeshtë më 2005, ai vet kishte kërkuar ta prezantonte me Berishën.

E vërteta është se Lulzim Basha e njeh Sali Berishën siç e kanë pohuar të dy, qysh nga viti 1991.

Në vitin 1993, Sali Berisha është një nga dy rekomanduesit për bursën e Lulzim Bashës në Holandë dhe në formularin e Lulzim Bashës në Utreht, emri i Sali Beishës si president i Republikës është depozituar si garantues i integritetit tij si student dhe i kishte lejuar Universitetit të Utrehtit ta pyesnin për të. Pra Luzlim Basha ishte një njeri që Berisha po e ndiqte dhe në rrugën e tij për t’u arsimuar.

Lulzim Basha dhe Sali Berisha kanë mbajtur kontakte në vitin 1997 e më pas dhe në vitin 2004, kur u hodh ideja e KOP, ai ishte në krye të listës nga Sali Berisha.

Ishte e vërtetë që ai punonte në atë kohë me Argitën në Kosovë, madje dhe burrin e saj, por edhe kjo ishte fryt i lidhjes së mëparshme që kanë pasur, lidhje që Berisha përpiqej ta mbante fshehur nga ne të tjerët, por ja ndaj Argitës.

Ai u ftua nga Berisha për të qenë në krye të KOP jo si një rekomandim i rastit, por si fryt i një lidhje të gjatë konsoliduar mes tij, Berishës dhe vajzës së Berishës.

Nuk ishte rekomandim, ishte më shumë se aq. Ishte një ide e pjekur prej kohësh. Argita Berisha nuk ka pse të gënjejë në mënyrë të shëmtuar nga komplekset që ka nga thashethemet që dëgjon për veten rreth këtij raporti.

Lulzim Bashën e kam pritur në Tiranë më 2004 me rokomandim të Berishës për t’u njohur me të si njeriun që drejtonte KOP. Jo më 2005, por më 2004.

Më 2005 ai ishte de fakto njeriu i dytë në PD, në hije, aq sa desh çmendi gjithë PD-në e vjetër.

Gënjeshtra pa stil e Argitës për Lulzim Bashën dhe gjithë qeverinë e vitit 2005- 2013, që në fakt u mbush me shokë e shoqe të Argitës e Shkëlzenit, tregon se ajo është një mashtruese ordinere pa fantazi, që nuk di të pranojë asnjë të vërtetë në jetë, nëse ato nuk i shërbejnë për momentin.

Dhe kur në një dalje publike ku njerëzit kërkojnë të vërtetën, të gënjesh për çdo gjë, madje dhe për kohën kur ke njohur Lulzim Bashën, natyrisht që nuk mund të bindësh askënd se po thua të vërteten për grabitjen e Klubit “Partizani”.

Dhe në fund, ajo donte të krijonte mitin e të vetëndjerit si pasardhëse e babait në PD, por që nuk do t’i bëjë hije babait sa të jetë gjallë.

Në fakt PD nuk vuan nga fakti që ka kryetar Sali Berishën si politikan, por vuan dhe është copëtuar nga fakti që Sali Berisha, Argita dhe Shkëlzeni, janë të damkosur si “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe, dhe kurrë nuk mund të drejtojnë më një alternativë politike në Shqipëri.

Ata janë një alternativë dhe lëndë e parë vetëm për drejtësinë shqiptare dhe ndoshta dhe për hakmarrjen e ndokujt që shikon se drejtësia s’po bën punën e saj.

Argita Berisha dhe vëllai i saj, ashtu siç nuk mund të gëzojnë pasuritë e vjedhura të shqiptarëve, nuk mund të gëzojnë as PD, që Berisha po përpiqet t’ua vjedhë demokratëve dhe t’ua japë fëmijëve për t’i mbrojtur nga drejtësia.

Fati i saj i keq është që ka vjedhur si juriste pa qenë juriste, ka bërë politikë pa qenë politikane, dhe në fund, e mësuar të jetë vajza e presidentit dhe kryeministrit, ka harruar të jetë vajza e Sali Berishës dhe po e telendis atë në pleqëri rrugëve për hallet e saj dhe vëllait të saj.

Është i vetmi moment që ndjej keqardhje për Sali Berishën. Mos të rënçin në pjesë fëmijë të tillë.

Aktualitet

Projektligji i ri për rivlerësimin e pronave, a do të bien çmimet e apartamenteve në Tiranë?

Një rivlerësim tjetër i pronave, por me një normë tatimi 5-fish më të vogël ka ngritur aludimet e një lëvizje të mundshme të çmimeve për tregun e pasurive të paluajtshme. Ekspertët e tregut imobiliarë tregojnë se ky proces mund të prekë vetëm një kategori apartamentesh.

“Ne mendojmë që me këtë amnisti çmimet e apartamenteve me hipotekë po pësojnë rënie, sepse ai tatim që do paguanin në periudhën e mëparshme dhe ia faturonin blerësit dhe mendojmë se me këtë rivlerësim çmimi do bjerë”, tha për A2, Erjon Alimema, ekspert i pasurive të paluajtshme.

 “Kjo rënie nga 3% e rivlerësimit mund të  prekin vetëm një kategori. 2000, 2010, 2015 kanë mundësinë e rivlerësimit të pronës që e kanë blerë vite më para. Kurse sa i përket pronave të reja duke qenë se këtë vit janë rritur çmimet e referencës nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh”, u shpreh Fjordi Subashi, ekspert imobiliar.

Lefter Sila ekspert i këtij tregu i cili ka qenë pjesë e 4 periudha të mëparshme të rivlerësimit në vend, tregon se kur, sipas tij, do të ndodh rënia e ndjeshme e çmimeve që të gjithë presin.

“Rënia e çmimeve është sipas parimit të ekonomisë së tregut nëse oferta më e madhe se kërkesa dhe e dyta nëse do ketë raste krizash qoftë të brendshme dhe të jashtme. Nuk do të ketë rënie apo ngritje çmimesh. Ajo që mund të themi është se përfituesit janë vetëm pronarët”, shtoi Sila.

Për disa prej ekspertëve rënia pritet e lehtë deri në përafrimin e vlerës së tregut, pasi një pjesë edhe janë mbivlerësuar sipas tyre.

“Nëse flasim për një amnisti me 12% ulje nuk pretendojmë që çmimet do bien kaq. Gjithmonë arsye për të rritur çmimin ka disa për ta ulur shumë vështirë. Një çmim 5-7% që kanë pronat me certifikatë pronësie do të reduktohen”, deklaroi Erjon Alimema.

Mesatarisht një rënie deri në 7%  për një apartament 100 mijë euro do të përkthehej në 7 mijë euro më pak për ata qytetarë që do të blejnë një pronë në vijim. Aktualisht ndalur sipas zonave në Tiranë çmimet e referencës së apartamenteve variojnë duke nisur nga 2200 euro në zonën e ish-Bllokut, Librit Universitar, vijon me  rreth 1100 euro në zonën e Fabrikës së Miellit dhe 900 euro pranë zonës së Porcelanit.

Continue Reading

Aktualitet

Vetëvrasja e nënës me tre fëmijët në lumë/ Karamuço hedh dyshime të forta: Bashkëshorti…

Profesori i kriminalistikës, Ervin Karmauço, ngre një pikëpyetje për ngjarjen e rëndë në Shkodër, ku nëna me tre fëmijët e saj u mbytën në lumin Buna, pranë Drragjatit

Në një intervistë Karamuço , u shpreh se është e paqartë si Alma Arrazi është hedhur nga ura bashkë me fëmijët.

“Është një pikëpyetje shumë e madhe në hyrje te urës deri te vendi që fëmija edhe nëna janë hedhur, ka një pikëpyetje shumë të madhe se çfarë ka ndodhur. Dyshimi më i madh i policisë është që nëna ka hedhur fëmijët, pastaj veten, dy fëmijët edhe pastaj është hedhur së bashkë me djalin”

Sipas tij, deri tani nuk asnjë indicie që të çojënë një pistë të dytë, “që mund t’i ketë shtyrë njeri tjetër ose të ketë ndodhur diçka nën efektet e qetësuesve”.

Continue Reading

Aktualitet

Gjendja e medias në përkeqësim të vazhdueshëm në Shqipëri, por autoritetet premtojnë përmirësim të sigurisë

Në Tiranë, veprimtarë dhe organizata që mbrojnë lirinë e shtypit pohuan sot se gjendja e medias shqiptare po përkeqësohet në vazhdimësi, ndërsa siguria e gazetarëve po cënohet shpesh nga kërcënime dhe presione për shkak të punës.

Rrjeti për Gazetarë të Sigurtë në Ballkanin Perëndimor ka raportuar 10 raste ku është cënuar siguria e gazetarëve, punonjësve të medias dhe mediave në 4 muajt e parë të këtij viti, dhe 24 raste gjatë vitit të kaluar, ndërsa paditë gjyqësore ndaj gazetarëve në vitin 2023 u dyfishuan.

Blerjana Bino, përfaqësuesja e Qendrës Scidev, e cila bën kërkime dhe raportime pranë Rrjetit për Gazetarë të Sigurtë, thotë për Zërin e Amerikës, se në Shqipëri janë bërë shqetësim i madh gjuha denigruese kundër gazetarëve, fjalimet kundër mediave, sulmet ndaj gazetareve gra, si dhe rritja e padive gjyqësore ndaj gazetarëve dhe punonjës të medias, deri në dyfishim, nga 33 raste në vitin 2022, në 73 raste në vitin 2023.

“Rastet që ne kemi monitoruar ndër vite tregojnë që pavarësisht se sulmet fizike, të drejtpërdrejta, nuk janë sistemike në Shqipëri, problem qëndron tek intimidimet, kërcënimet dhe tek presionet jo të drejtpërdrejta, që vijnë si rezultat i marrëdhënieve të ndërsjellta dhe intersave të fshehur ndërmjet politikës, pronarit të medias, shpesh herë edhe krimit të organizuar. Kjo krijon një situatë jo të sigurtë, dhe pamundëson gazetarinë e pavarur, cilësore dhe në interes të publikut”, thotë zonja Bino.

Një tryezë e gazetarëve me përfaqësues të Kuvendit, qeverisë, drejtësisë dhe diplomatë perëndimorë u zhvillua sot për të diskutuar mbi pasigurinë e gazetarëve në Shqipëri, ku siç u theksua aty, presionet i shtyjnë ata drejt vet-censurës dhe shtytjes për të mbrojtur interesat e pronarit më shumë se sa kodin e gazetarisë.

Përfaqësuesja e Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, thotë për Zërin e Amerikës se gjendja e medias në Shqipëri po përkeqësohet në vazhdimësi, siç u theksua edhe në Raportin vjetor të organizatës Reporterë pa Kufij.

Ajo thotë se tani është koha që zyrtarët dhe politikanët në pushtet të zbatojnë ligjet, standartet që ekzistojnë në direktivat europiane për sigurinë dhe lirinë e shtypit, duke nisur me një plan veprimi për sigurinë e gazetarëve, krahas një dialogu më të madh me organizatat e shoqërisë civile.

“Siguria e gazetarëve në Shqipëri është shqetësim serioz. Gazetarët shahen, fyhen dhe nuk bëhet gati asgjë për t’i mbrojtur ata. Shpresoj shumë që së pari të ndalen sulmet verbale ndaj gazetarëve. Lehtësia e politikanëve në Shqipëri, që të shajnë dhe të ofendojnë secilin që i kritikojnë ata, është e patolerueshme dhe është e rrezikshme. Dhe e dyta duhet të ndalet ajo që njihet si metodologjia e kasetave. Të ndalen materialet e gatshme nga qeveria, partitë dhe bashkitë, gazetarët të lejohen të ndjekin veprimtari zyrtare, të bëhen konferenca shtypi normale, në mënyrë që gazetarët të bëjnë lirisht pyetjet që duan, të citojnë lirisht pushtetin, dhe të marrin të dhënat që interesohen”, tha zonja Kusari.

Në këtë tyrezë me median, ligjvënës dhe përfaqësues të ministrive që mbulojnë çështje të sigurisë, prokurori i përgjithshëm, Olsian Çela, tha se ky institucion po e rrit transparencën e vet përballë medias, po i nxit prokurorët të nisin hetime proaktive kur mësojnë për dhunë e kërcënime ndaj mediave, po shton punën dhe angazhimin për sigurinë e gazetarëve, duke i ftuar ata që të denoncojnë rastet e tyre me fakte sa më shpejt në mënyrë që të nisin hetimet, dhe të bashkëpunojnë me drejtësinë për të forcuar mbrojtjen e tyre.

“Përgjatë vitit 2023 ne kemi patur vetëm 6 raste të denoncuara për dhunë ndaj gazetarëve. Duket se kemi një mospërputhje mes asaj që raportohet nga gazetarët dhe asaj për të cilën në fakt bëhet kallzim në organet ligjzbatuese. Këto kanë të bëjnë me vepra penale si goditje për shkak të detyrës, kanosje, shkatërrim i pronës, si dhe një rast për heqje të paligjshme të lirisë. Dy nga këto raste janë çuar për gjykim, një ngjarje në Fier dhe një në Lezhë. Edhe dy çështje të tjera këtë vit janë afër fazës të dërgimit për gjykim. Kjo tregon që ka një angazhim dhe çështjet merren seriozisht, përpiqemi të kryejmë hetime të shpejta. Duhet vlerësuar edhe konteksti në të cilin po diskutojmë sot. Jemi në një situatë aspak normale për prokurorinë, ku kemi shumë çështje që janë me përparësi dhe pa diskutim çështja e mbrojtjes së gazetarëve është ndër çështjet që duhet të jetë me përparësi”, tha zoti Çela.

Nga ana tjetër përfaqësuesja e rrjetit të gazetarisë investigative BIRN, Kristina Voko, shprehu shqetësim për faktin që tani po sulmohen vazhdimisht sidomos gazetarët që po raportojnë mbi proceset e e rëndësishme hetimore të hapura nga SPAK-u, ndaj gazetarëve që raportojnë mbi zhvillimet në parlament, si dhe ngritjen e komisionit kundër disinformimit.

Ajo theksoi që ndonëse në fillim kjo ide u mirëprit, si një ndihmë përballë sfidave të gazetarisë, por kjo ende nuk po shihet.

“Po shohim se ky komision në fillesat e tij po humbet fokusin nga ato rekomandime të vazhdueshme, që ne kemi nga raporte ndërkombëtare, siç është përafrimi me legjislacionin dhe direktivat europiane, detyrimi i vazhdueshëm që kemi për të adoptuar GDPR-në, detyrimi që do të kemi në vitet në vijim për të përafruar legjislacionin tonë në lidhje me Digital Service Act. Ai duhet të ketë në fokus edhe rekomandimet e vazhdueshme që vijnë për shembull edhe nga ODIHR-i, lidhur me rregullimin e propagandës përmes kasetave të gatshme, e ndikimit të partive politike në proceset editoriale të medias. Ftoj deputetët që ta nisin fillimisht punën nga ndotësit kryesorë të hapësirës së informimit, që kryesisht vijnë nga partitë politike, nga forca të huaja dhe që lidhen me procese demokratike siç janë proceset zgjedhore, dhe më pas të merren me rregullimin e platformave, e më pas të zgjerojmë diskutimin lidhur me rregullimin ose jo, se cilat janë metodat më të mira të vetërregullimit lidhur me mediat online”, tha zonja Voko.

Në tryezën mes gazetarëve, deputetëve, zyrtarëve dhe diplomatëve u theksua po ashtu se një shqetësim me rëndësi për gazetarët mbeten edhe kushtet e punës dhe siguria ekonomike e tyre. Në vitin 2022 u raportuan vetëm 6 raste në Inspektoriatin e Punës, kundrejt 26 rasteve që u raportuan në 2023, pa harruar që shumë raste e sulme nuk raportohen, por ato sjellin kufizimin e vazhdueshëm të hapësirës për gazetari në shërbim të interesit të publikut.

Marrë nga VOA

Continue Reading

Aktualitet

Dhunohet 17-vjeçari në Spartë/ U rrëmbye dhe u torturua nga të afërmit e të dashurës vetëm se ishte shqiptar

Një 17-vjeçar Shqiptar ka përjetuar momente të paimagjinueshme kur është rrëmbyer nga të afërmit e të dashurës dhe më pas është rrahur për tre orë në Spartë. Sipas asaj që tha babai i të miturës për STAR, djali i tij ka pasur një flirt me një shoqe klase, por prindërit e saj nuk e kanë miratuar marrëdhënien që dy fëmijët kishin krijuar për shkak të origjinës së tij shqiptare. 17-vjeçari ka marrë një telefonatë nga vëllai i vajzës dhe ka shkuar për ta takuar. Aty ai është sulmuar ashpër nga dy persona, të cilët më pas e kanë kapur para nënës dhe e kanë futur në bagazhin e një makine.

Gjithashtu në një moment të rrugës nga Areopolis ata ndaluan, e zbritën të riun nga bagazhi, e rrahën sërish dhe më pas e futën në makinë dhe e çuan në shtëpinë e vëllait të vajzës. Aty filloi një raund i ri torturash si nga vëllai i vajzës ashtu edhe nga prindërit e saj. Druri që ra ishte i pamëshirshëm, ku nëna e vajzës ia shkul flokët dhe i preu fytyrën sipas pretendimeve. Në fakt, nga goditjet e tij filloi t’i dilte gjak nga veshi, ndërsa, sipas avokatit, ai ka humbur dëgjimin në veshin e majtë dhe ende nuk dihet nëse do të shërohet.

Tortura e 17-vjeçarit zgjati për të paktën tre orë, ndërsa kapësit e lanë në një pikë ku lajmëruan nënën e tij për ta gjetur. Viktima është dërguar në spital, ku është shtruar prej disa ditësh, ndërsa ndodhet në gjendje të keqe psikologjike. Sipas njoftimit, babai i vajzës, i cili disa vite më parë kishte vrarë nënën e tij në Dyros, është arrestuar së bashku me djalin e tij dhe një person tjetër për rrëmbimin dhe rrahjen e 17-vjeçarit, ndërsa është në kërkim edhe nëna e vajzës e cila edhe ajo akuzohet për rrahjen që ka ushtruar tek djali.

Continue Reading

Aktualitet

Dyshohet se kanë kryer disa vjedhje, arrestohen tre shqiptarë në Itali

Autoritet italiane kanë arrestuar ditën e sotme tre shqiptarë. Mësohet se arrestimi i tyre ka ardhur pasi ata dyshohet se ata janë përgjegjës për disa vjedhje në Tirolin në Itali. Arrestimet u kryen në bazë të një urdhër-arresti nga prokuroria publike e Bolzanos.

Mediat italiane bëjnë me dije se hetimi filloi në shkurt 2024 pas disa vjedhjeve në Tirolin e Jugut. Forcat e rendit kanë arritur të identifikojnë me shpejtësi autorët dhe të monitorojnë lëvizjet e tyre. Gjatë hetimeve janë dokumentuar gjithsej pesë vjedhje, mes të cilave edhe një grabitje e rëndë në Brunico më 18 prill të këtij viti.

Grupi kriminal përbëhet kryesisht nga shtetas shqiptarë dhe është i specializuar për vjedhje banesash gjatë orëve të mbrëmjes dhe të natës. Një anëtar i bandës, i konsideruar si një figurë qendrore, rekrutonte ndihmës të tjerë nga rajone të tjera të Italisë, veçanërisht nga Kampania. Ky grup përdorte makina me qira për të shkuar në Tirolin e Jugut dhe për të kryer vjedhjet.

Duke ndërmarrë veprime të shpejta, oficerët e zbatimit të ligjit shpresojnë të kenë parandaluar krime të mëtejshme. Kamerat e vëzhgimit përmenden si një mjet i rëndësishëm për kapjen e autorëve. Si rezultat, oficerët kanë arritur të dokumentojnë aktivitetet e të dyshuarve dhe t’i arrestojnë brenda pak muajsh.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING