Shkrime
Nuk e di sa gjatë do jem këtu/ Trump mes frikës, moshës dhe testeve mjekësore
Donald Trump u largua të martën nga spitali ushtarak Walter Reed duke deklaruar me stilin e tij karakteristik se gjithçka kishte rezultuar “PERFECTLY”.
Por as deklarata triumfale e presidentit amerikan dhe as raportet optimiste të Shtëpisë së Bardhë nuk po arrijnë të shuajnë dyshimet që prej muajsh po shtohen rreth gjendjes së tij fizike dhe mendore.
Madje, edhe vetë Trump ka nisur të japë sinjale të pazakonta për moshën dhe vdekshmërinë e tij.
“Nuk e di sa gjatë do të jem ende këtu. Kam shumë njerëz që më duan të vdekur”, tha ai gjatë një eventi në East Room më herët këtë vit.
Vizita e fundit në Walter Reed National Military Medical Center ishte e treta që prej rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë si presidenti më i moshuar në historinë amerikane.
Zyrtarisht, Shtëpia e Bardhë e përshkroi si “kontroll rutinë mjekësor dhe dentar”, megjithëse Trump kishte shkuar tashmë dy herë te dentisti këtë vit në Florida.
Ndihmësit e tij kujdesen vazhdimisht të tregojnë kur presidenti ndodhet në Zyrën Ovale në orë të vona, ndërsa vetë Trump vazhdon të tallet pothuajse çdo ditë me Joe Biden, të cilin e quan “Sleepy Joe”.
“Unë nuk jam i moshuar. Jam shumë më i ri se ju”, deklaroi ai këtë muaj gjatë një aktiviteti në një komunitet pensionistësh në Florida.
Megjithatë, kontrasti mes narrativës së forcës dhe realitetit fizik është bërë gjithnjë e më i dukshëm.
Trump udhëton më pak se gjatë mandatit të parë presidencial dhe në disa evente publike është filmuar me sy të mbyllur për periudha të gjata.
Shtëpia e Bardhë insiston se nuk bëhet fjalë për përgjumje, por për “mbyllje të gjata sysh”.
Po ashtu, mavijosjet në duart e presidentit, të cilat ai përpiqet t’i mbulojë me grim, sipas stafit shkaktohen nga përdorimi i aspirinës dhe nga shtrëngimet e shumta të duarve.
Administrata ka pranuar gjithashtu se Trump vuan nga insuficienca kronike venoze, një problem i zakonshëm në moshë të avancuar që shkakton ënjtje në këmbë.
Presidenti provoi të përdorte çorape kompresive, por i konsideroi të pakëndshme. Edhe mënyra si Trump flet për jetën dhe rrezikun duket se ka ndryshuar.
Tentativat për atentat ndaj tij dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Irani duket se e kanë bërë presidentin më të vetëdijshëm për brishtësinë e situatës së tij.
Muajin e kaluar, gjatë një takimi me Mbretin Charles III në Shtëpinë e Bardhë, Trump foli për martesën 63-vjeçare të prindërve të tij dhe iu drejtua Melania Trump me një fjali që shumë e interpretuan si reflektim mbi moshën: “Nuk do ta arrijmë dot atë rekord, zemër. Nuk ka për të ndodhur.”
Megjithatë, në publik ai vazhdon të ruajë qetësinë edhe përballë rrezikut.
Muajin e kaluar, pas një alarmi sigurie gjatë një darke zyrtare, Trump doli para gazetarëve me smoking dhe u shfaq i qetë. “Është një jetë e rrezikshme”, tha ai.
Sipas njerëzve pranë presidentit, siguria personale është një mendim i vazhdueshëm për të.
Por përtej sigurisë, debati më i madh vazhdon të jetë ai për gjendjen shëndetësore dhe mendore të presidentit. /Përshtatur nga “CNN”